Ndërlidhjet

Ende nuk dihet se kur do të përfundojë procesi i privatizimit të kompleksit turistik në Brezovicë, i cili gjendet në Komunën e Shtërpcës, të banuar me shumicë serbe. Ekspertë të ekonomisë thonë se për shkak të përfitimeve që sjell privatizimi i këtij kompleksi, ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt.


Ende nuk dihet se kur do të privatizohet qendra e skijimit ”Brezovica”, e cila gjendet në Komunën e Shtërpcës, edhe pse përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kanë filluar disa vite më herët. Kështu të paktën thonë anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas tyre, privatizimi i ndërmarrjeve duhet të ndodhë, pavarësisht nga ajo se në cilin rajon gjendet, por, për shkak të natyrës dhe rëndësisë që ka kjo qendër, thuhet se kërkohet një qasje e jashtëzakonshme dhe një angazhim i konsiderueshëm i të gjitha palëve.

Haxhi Arifaj, anëtar i Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore duhet të ndodhë sipas planit dhe programit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Qëndrimet dhe vendimet që janë marrë më herët nga AKM-ja, mendoj se edhe AKP-ja duhet, në bazë të rregullores që është në fuqi, të veprojë njësoj. Këtu nuk ka territore të ndara, është një shtet i Kosovës”.

“Duhet të funksionojë në bazë të rregullave dhe normave që i ka dhe nuk është dashur që të ketë pengesa në këtë drejtim. Edhe në enklavat ku janë Brezovica, Graçanica, të vazhdohet me një kontinuitet, sipas planit dhe programit të privatizimit që përgatitet nga zyrat rajonale, gjegjësisht dhe nga AKP-ja”,
tha Arifaj.

Kompleksi “Brezovica”, i cili është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, duhet patjetër të privatizohet, në mënyrë që të tërhiqen investitorë të huaj, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Kushtrim Puka, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se mosprivatizimi i këtij kompleksi është problem politik.

Ai thotë se autoritetet kompetente, në radhë të parë, duhet të zgjidhin problemin pronësor të këtij kompleksi. Përndryshe, qendra turistike “Brezovica” vazhdon të menaxhohet nga kompania hoteliere “INEX” nga Beogradi.

“Para se të vendoset tenderi, është shumë me rëndësi që të zgjidhet problemi pronësor me ‘INEX’-in. Përderisa problemet me ndërmarrjet tjera publike janë zgjidhur me kohë, nuk ka ndonjë arsye të veçantë pse kompleksi turistik ‘Brezovica’ të mos privatizohet sa më shpjet, për shkak se dobitë janë shumë të mëdha nga privatizimi i tij”, vlerëson Puka.

Qendra turistike e Brezovicës do të privatizohet me metodën e spinof-it special, që nënkupton ruajtjen e destinimit.

Sipas kritereve të caktuara, është paraparë që 80 për qind e të punësuarave të jenë vendorë, përkatësisht nga komuniteti serb. Për këtë, Puka thotë se privatizimi i kësaj qendre, përveç se do të ndikojë në zbutjen e tensioneve ndëretnike, do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Privatizimi do të stimulonte edhe ekonominë në atë vend, sepse investitorët e huaj do të sillnin investime të reja në këtë kompleks dhe do ta shndërronin në një kompleks shumë më atraktiv për turistët e huaj, të cilët do të mund t’i kalonin pushimet aty dhe në këtë mënyrë do të përfitojë edhe shteti si shtet, por edhe banorët e këtij rajoni”, tha Puka.

Brezovica është qendër kosovare e turizmit veror dhe dimëror. Për vizitorët që pëlqejnë skitë, Brezovica është qendra e turizmit më e vizituar gjatë dimrit në Kosovë.

Përveç dy hoteleve, në qendrën turistike në Brezovicë ekzistojnë edhe 300 vila. Kjo qendër është ndërtuar në vitin 1970 dhe që nga atëherë nuk ka pasur investime në mirëmbajtjen e saj.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG