Ndërlidhjet

UVP sjell studentë serbë në Prishtinë


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Mbi 300 studentë nga vende të ndryshme po vijojnë mësimet në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Në mesin e tyre ka dhe studentë nga Serbia, të cilët vlerësojnë se Universiteti Veror i Prishtinës është shembull i bashkëpunimit rajonal.

Mlladen Antonjoviq Prileva është student nga Beogradi. Ai thotë se Universiteti Veror po i mundëson atij krijimin e marrëdhënieve të mira me studentë të vendeve të ndryshme të botës. Ai shprehet mjaft i kënaqur për marrëdhëniet e tij me studentët nga Kosova.

“Opinioni im i përgjithshëm për Kosovën: besoj fuqishëm që ka shumë punë të tjera që duhet të bëhen, në veçanti në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut. Po ashtu, gjëja më e rëndësishme që duhet bërë, është krijimi i marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa stabilitet nuk do të ketë ardhmëri për ne”, thotë ky student.

Edhe Tatjana Bogdanoviq shprehet e kënaqur me faktin që është pjesë e këtij projekti. Ajo thotë se po shfrytëzon pjesëmarrjen në këtë universitet për të mësuar më shumë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me edukimin.

“Unë kam pritur diçka ndryshe, por ka dalë shumë më mirë se që kam pritur. Këtu është shumë mirë. Kemi qenë shumë të mirëseardhur. Kemi takuar njerëz të vendeve të ndryshme të botës dhe kemi mësuar shumë gjëra që ofron ky projekt”, thotë Tatjana.

Ngjashëm mendon edhe Vesna Ambargovan nga Maqedonia. Ajo thotë se ky projekt është një mundësi mjaft e mirë për të mësuar çështje nga më të ndryshmet.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të mira. Ne takuam shumë miq nga Kosova. Ata janë shumë të hapur dhe miqësorë. Prishtina është një qytet, i cili të ofron mundësi të mira për ngritjen e kapaciteteve”, thotë Vesna.

Në anën tjetër, organizatorët e Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës thonë se marrëdhëniet e mira të ndërtuara ndërmjet studentëve të Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë shembull edhe për marrëdhëniet në mes këtyre dy vendeve fqinje.

Zyrtarja e programit në Universitetin Veror të Prishtinës, Aida Berisha, pohon se edicioni i nëntë i këtij universiteti ka krijuar mundësi më të mira për studentët.

“Deri më tani ka filluar java e dytë. Ka pasur mjaft studentë të interesuar. Aktualisht në Universitetin Veror janë 351 studentë, prej tyre 70 janë të rajonit, 60 janë ndërkombëtarë, ndërsa të tjerët vijnë nga Kosova. Marrëdhëniet mes studentëve janë shumë të mira dhe gjithçka është duke shkuar ashtu siç edhe është paraparë”, thotë Berisha.

Ajo konsideron se ky projekt ofron mundësi unike për zgjerimin e njohurive dhe aftësive në fusha të ndryshme të studimit, duke përfituar nga metodologjitë më të reja të ligjërimit, si dhe, siç shprehet ajo, duke u kënaqur me një atmosferë ndërkombëtare.

Ndryshe, Universiteti Veror është projekti më i madh ndërkombëtar që synon të ngrejë nivelin e ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës dhe të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë të arsimit në Kosovë dhe në rajon.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG