Ndërlidhjet

logo-print

"Zhvillimet e fundit lënë një përshtypje se gradualisht Kosova është duke u izoluar politikisht nga Evropa, qytetarët e Kosovës janë duke u izoluar, duke u futur në geto", thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Partisë Social-demokrate, Agim Çeku.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Çeku, po vazhdojnë debatet në lidhje me lënien anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Ndërkohë që ju keni hasur edhe në probleme tjera gjatë udhëtimeve të ndryshme. Sa konsideroni se Kosova ka mundur të bëjë diç për të përmirësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj?

AGIM ÇEKU
Unë mendoj se të gjitha këto zhvillimet e fundit lënë një përshtypje se gradualisht Kosova është duke u izoluar politikisht nga Evropa, qytetarët e Kosovës janë duke u izoluar, duke u futur në geto.

EULEX-i, në njëfarë forme, është duke i injoruar institucionet e Kosovës, shtetin e Kosovës, duke bërë politikë në vete, duke bërë përpjekje që t’ia lehtësojë punën vetes, duke shkelur apo mosrespektuar institucionet tona apo Kushtetutën tonë.

Vërtet, këto janë zhvillime që nuk shkojnë drejt afirmimit të shtetit të Kosovës dhe mendoj se institucionet tona duhet të jenë shumë më të vendosura me reagimet e tilla.

E kanë obligim kushtetues që ta afirmojnë Kosovën, ta mbrojnë Kosovën, t’i mbrojnë qytetarët, të mbrojnë Kushtetutën, të respektojnë Kushtetutën dhe nuk bën që këto gjëra të kalojnë në heshtje, apo nuk bën të reagojnë vetëm atëherë kur merret një vendim që Kosova mbetet jashtë liberalizimit të vizave, pa ndonjë perspektivë të qartë se një ditë do të hyjë në këtë proces.

Ajo që ndodhi, është një mesazh shumë i keq që Evropa u dha shqiptarëve, u dha boshnjakëve, e që turqit vazhdimisht janë duke pranuar një mesazh të tillë. Thjesht, e shoh si një dobësim të entuziazmit apo të vullnetit të Unionit Evropian apo dhe të seriozitetit të tij që të integrojë tërë Ballkanin në Unionin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, sa ka vend për shqetësime në lidhje me proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian?

AGIM ÇEKU
Integrimi në Unionin Evropian është qëllim strategjik, objektiv strategjik i Kosovës dhe assesi, pa marrë parasysh se çfarë veprimi, çfarë padrejtësie i bën Evropa Kosovës, ne nuk duhet të shmangemi, apo ta shmangim vëmendjen, apo të largohemi nga ky objektiv.

Çdo punë që e bëjmë, ne duhet t’i përdorim modelet evropiane, duhet të synojmë arritjen e standardeve evropiane në jetën tonë të përditshme, në jetën tonë institucionale, demokratike etj., në mënyrë që edhe ta bëjmë veten evropianë.

A do të hyjmë apo nuk do të hyjmë në Unionin Evropian, kjo është çështje tjetër, varet nga vullneti dhe gatishmëria e Unionit Evropian që të na pranojë.

Por, ne duhet të synojmë standarde evropiane, duhet të synojmë që të ndërtojmë një shoqëri të modelit evropian, institucione të modelit evropian, demokraci të modelit evropian, ekonomi të modelit evropian dhe atëherë besoj që do ta meritojmë edhe anëtarësimin e plotfuqishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë disa parakushte që Kosova dhe vendet tjera duhet t’i plotësojnë para se të përfshihen në këtë proces. Besoni se kanë filluar të zbatohen kriteret e domosdoshme teknike?

AGIM ÇEKU
Ky është një proces i gjatë, i mundimshëm. Ky proces shkon me së paku tri pista dhe këtu është ajo që Qeveria e Kosovës nuk e ka kuptuar, institucionet nuk e kanë kuptuar dhe nuk punojnë mjaft.

Pista e parë janë reformat e ndryshme apo arritja e standardeve, plotësimi i kërkesave etj. Ne kemi mundur, ne kemi pasur rastin ideal kur kemi filluar t’i japim pasaportat e Republikës së Kosovës, kemi mundur t’i japim me standarde evropiane dhe kushtin e parë e kishim plotësuar.

E dyta, kemi policinë kufitare, kemi një menaxhim të integruar të kufijve dhe mund të jemi pak më të kujdesshëm; jemi vendi i vetëm në botë ndoshta, ku gjithkush hyn me çfarëdo dokumenti që ka; vendi i vetëm në botë që s’ka nevojë prej asnjë shteti viza.

Ne duhet ta duam veten pak më shumë, të sillemi si shtet dhe të vendosim rregulla se kush po hyn e kush po del. Të gjitha këto gjëra do të kishim mundur t’i bëjmë edhe pa na thënë Evropa - është në interes tonin.

Pista e dytë janë negociatat me Komisionin Evropian, Unionin Evropian, që vazhdimisht të jemi në proces me ta, që t’u ofrojmë të arriturat tona, të pyesim për këshillat e tyre, të shfrytëzojmë nga asistenca e tyre, domethënë të jemi shumë më të kyçur.

Pista e tretë është mobilizimi i opinionit publik për këtë proces, përfitimi i mbështetjes së tyre, se në këtë proces nuk mund të ndodhin reforma, nuk mund të ndodhë integrim evropian, nëse çdokush nuk e kryen punën e vet, edhe qytetari, edhe komuna, edhe Parlamenti, edhe çdo ministri, Qeveria në përgjithësi, shoqëria civile, mediumet – të gjitha këto kanë detyra në këtë proces.

Ne flasim shumë për integrimin në Unionin Evropian. Kur na ndodhin gjëra të tilla, atëherë themi se Evropa i ka fajet. Jo, ka gjëra që edhe ne duhet t’u paraprijmë, duhet të jemi proaktivë. Fjala për liberalizimin e vizave ka qenë shumë më herët dhe ne e kemi neglizhuar. Pasi është marrë vendimi, tani është një alarm. Është i vonshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, këto ditë, misioni i EULEX-it thotë se është në kërkim të marrëveshjeve me Serbinë, ku përfshihen edhe disa çështje që ju i përmendët. Pamë edhe reagimin e Qeverisë përmes një letre të hapur. Andaj, a duhet të përfshihen në këto bisedime edhe autoritetet vendore?

AGIM ÇEKU
Edhe unë, edhe subjekti që drejtoj kemi tërhequr vërejtjen, që duhet të jemi të kujdesshëm se cili është misioni i EULEX-it, cilat janë referencat e EULEX-it, a është 1244-shi, a është Kushtetuta e Kosovës, a është Plani i Përbashkët i Veprimit i Komisionit Evropian, a janë gjashtë pikat etj.

Është një paqartësi dhe EULEX-i, bashkësia ndërkombëtare, por dhe institucionet tona i shmangen këtij debati. Gjithkund në botë, në çdo vend sovran, çfarëdo misioni që vjen në atë vend, qoftë ushtarak, qoftë civil, qoftë policor, apo i drejtësisë – nënshkruhet një marrëveshje me vendin nikoqir dhe përcaktohen të ashtuquajturat rregulla të angazhimit dhe çdo mision i respekton institucionet e vendit sovran, e respekton sovranitetin e atij vendi.

Ne jemi vend i pavarur, jemi të njohur nga shumica e vendeve të Unionit Evropian, por EULEX-i, në njëfarë forme, është duke u sjellë si status neutral, domethënë neutral ndaj statusit, duke iu referuar, kur i konvenon, 1244-shit, atëherë komunikon me Serbinë.

Faktikisht, tani EULEX-i është duke bërë një punë jo shumë transparente, nuk i dimë cilat janë referencat, nuk e dimë përmbajtjen e bisedimeve, nuk e dimë qëllimin e bisedimeve dhe ka të drejtë zëvendëskryeministri që reagon, por më çudit pse reagon me letër.

Dërgimi i letrës dëshmon se qëndrojnë larg njëri-tjetrit. Letrat i dërgohen atij që është larg ose fizikisht, ose me qëndrime. Kështu që ne duhet të jemi shumë afër EULEX-it, me bashkëpunim të përditshëm 24 orësh, shtatë ditë në javë dhe atëherë do t’u shmangeshim këtyre korrespondencave publike me letra.

Ne duhet të jemi këtu për një qëllim, që në Kosovë të ushtrohet, të respektohet ligji dhe rendi i Kosovës, Kushtetuta e Kosovës – ky është misioni i EULEX-it.

Rendi duhet të vendoset edhe në gjykatat në veri, edhe kur të kontrollohen kufijtë dhe kjo duhet të bëhet vetëm me institucionet e Kosovës. Beogradi si vend fqinj mund të informohet për veprimet, por s’ka çka të konsultohet apo të lypet pëlqimi i tij për një veprim brendapërbrenda Kosovës. Ajo është Kosovë, është territor i Kosovës dhe vetëm me institucionet legjitime të Kosovës të bisedohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia, përmes Interpolit, ka publikuar një listë me emra, ku jeni edhe ju, si persona të kërkuar, të cilët mund të kenë në vazhdimësi probleme gjatë kalimeve kufitare. A duhet të përfshihet edhe kjo çështje në bisedime?

AGIM ÇEKU
Unë mendoj që do të duhej të shtrohej edhe kjo çështje. Bashkësia ndërkombëtare, EULEX-i, si institucion i bashkësisë ndërkombëtare, nëse bisedon, duhet t’u thotë se kjo drejtpërdrejt e dëmton procesin e stabilizimit, procesin e pajtimit, procesin e ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore në të ardhmen.

Domethënë, ka një impakt shumë negativ dhe për hir të gjithë kësaj, EULEX-i duhet të kërkojë nga Serbia që mos t’i kopjojë apo mos t’i zbatojë politikat e Milloshevqit. Kështu që pres, nuk kam dëgjuar që EULEX-i ka bërë ndonjë hap të tillë. Unë pres nga institucionet tona gjithashtu.

Mendoj që unë kam dhënë një kontribut në këtë drejtim. E kemi draftuar, duke marrë parasysh këtë rastin tim të fundit, duke marrë parasysh se kam një vendim të një gjykate të një vendi të Unionit Evropian, që e vlerëson si të pabazë një akuzë të tillë.

Tani zëvendëskryeministri i ka dërguar një letër Interpolit me të gjitha këto fakte, që tani janë prova materiale. Dhe, besoj, jo për mua, por për të gjithë ne që mund të jemi në ato lista, që vërtet Interpoli ta kuptojë se Serbia është duke e qitur në pozitë shumë të palakmueshme Interpolin, se Interpoli po reagon në bazë të disa kërkesave që nuk janë legjitime dhe po komprometohet Interpoli.

Nuk është e lehtë për Interpolin, që katër herë vetëm në rastin tim nuk po respektohet institucioni i Interpolit.

Atëherë, duhet edhe Interpoli vetë të kërkojë nga Serbia apo t’ia kthejë Serbisë këto fletarrestime, se janë komprometuese, janë të dëmshme edhe për kredibilitetin, për besueshmërinë e Interpolit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, nëse mund të ndërrojmë temë, në sondazhet e fundit jeni figura më e votuar politike, kurse pritet që sivjet të kaloni edhe testin e parë si parti politike në zgjedhjet lokale. Cilat janë pritjet e juaja?

AGIM ÇEKU
Fillimisht ju them që përflitet kështu, e unë kurrë asnjëherë nuk kam porositur sondazhe dhe nuk kam porositur njerëz që të më votojnë apo të më mbështesin.

Kështu që normal se imponon një rezultat i tillë i sondazhit, por, njëkohësisht, të obligon që të mos e lejosh veten që të zhgënjesh dikë me veprimet tuaja apo me mospunën tënde, me mosangazhimin tënd.

Është e vërtetë se ky është testi i parë që do ta kalojë Partia Socialdemokrate, ne jemi duke u përgatitur për këtë, jemi optimistë se do të shënojmë rezultat të mirë në këto zgjedhje. Pres që të jemi befasia e këndshme e këtyre zgjedhjeve.

Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve, do ta kemi një start të mirë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen. Ne do të jemi shumë më të gatshëm, shumë më të përgatitur dhe mendoj e pres se do ta shënojmë një rezultat shumë më të madh në zgjedhjet parlamentare, sesa tani në këto lokale.

Misioni im politik nuk është që përmes socialdemokracisë të kthehem në pushtet. Unë nuk kam iluzione që socialdemokracia në zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë zgjedhjet.

Duke qenë i bindur se Kosovës i duhet një demokraci sociale, Kosova duhet të jetë një shtet social, atëherë misioni im është që ta afirmoj këtë ide, ta afirmoj këtë projekt politik, t’i sfidoj partitë tjera, që ato duhet të kenë një program të qartë, mos të jenë parti private të liderëve, apo kompani private, por të jenë parti që kanë program, të cilat janë dëshmuar kudo në Evropë, të cilat njihen për nga emri i partisë dhe për nga programi, e jo për nga lideri. Dhe unë, me këtë veprimtarinë time politike, dua ta arrij këtë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG