Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i, në një raport të tijin, gjen se sistemi i drejtësisë ka mangësi të mëdha. Policia e Kosovës vlerësohet si organizatë profesioniste, por me të meta në zinxhirin komandues. Masa reformuese kërkohen dhe për doganat.


Tetë muaj pas zbarkimit të tij në Kosovë, EULEX-i publikon raportin e parë monitorues të tri fushave, të cilat i mbikëqyr - drejtësisë, policisë dhe doganave. Ndërsa policia dhe doganat marrin disa vlerësime pozitive, gjetjet në sistemin e drejtësisë tregojnë të kundërtën.

Në raport thuhet se Policia e Kosovës në shumë aspekte është “një organizatë për t’u lavdëruar”, por ekzistojnë rreth tridhjetë rekomandime të propozuara për ndryshime.

EULEX-i thotë se ekziston një shqetësim lidhur me cilësinë e udhëheqjes së saj dhe kapacitetit për drejtim strategjik. Policia kritikohet për mangësi në zinxhirin komandues në mes nivelit rajonal e qendror apo edhe mes departamenteve të ndryshme brenda dhe jashtë policisë.

“Policia e Kosovës është një institucion shumë profesional, por i kemi identifikuar fushat, ku duhet bërë më tepër punë”, thotë zëvendësshefi i EULEX-it, Roj Rivi.

Policia e Kosovës është vlerësuar të jetë organizatë shembull për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën, sa i përket përfaqësimit të pakicave.

Fusha e dytë e monitoruar, drejtësia, ka marrë nota negative në shumë sfera. Në krahasim me Policinë e Kosovës, thuhet në raport, sistemi i së drejtës penale dhe gjyqësori si tërësi janë treguar shumë më të dobët në aftësinë e tyre, për të mbështetur një ndjekje dhe gjykim të pavarur dhe efikas të rasteve.
Të gjeturat e EULEX-it kanë zbuluar dobësi në lidhje me pavarësinë de jure të gjyqësisë kosovare.

“Të gjeturat e EULEX-it kanë zbuluar dobësi në lidhje me pavarësinë de jure të gjyqësisë kosovare. Sistemi i emërimit dhe i ngritjes në pozitë të gjyqtarëve kosovarë nuk është i përshtatshëm për ta ruajtur pavarësinë e tyre”, thuhet në raportin e publikuar sot (të enjten).

Vetë zëvendësshefi i EULEX-t, Roj Rivi, në një konferencë për gazetarë, ku ka zbuluar gjetjet e raportit, ka thënë se bëhet presion politik mbi punonjësit e drejtësisë.

“Kjo është shoqëri e vogël dhe natyrisht që ka presion politik dhe presione të tjera. Kjo është e natyrshme, por ajo që duhet bërë, është dhënia e pavarësisë më të madhe dhe autonomisë gjyqtarëve”, tha Rivi.

Mosfunksionimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është identifikuar si një e metë tjetër, ndërsa thuhet se përbërja e ardhshme e këtij këshilli lë vend për shqetësim, për shkak të numrit të madh të anëtarëve që duhet të emërohen nga Kuvendi i Kosovës. Kështu mund të ketë ndikim të vazhdueshëm të pushtetit politik.

Mungesa e sistemit të mbrojtjes së gjyqtarëve kosovarë, por edhe e dëshmitarëve, shihet si e metë tjetër serioze.

“Nga ana EULEX-it janë vërejtur edhe raste të frikësimit të gjyqtarëve. Po ashtu, këtyre trysnive u janë ekspozuar edhe prokurorët”,
thuhet në raport.

Doganat e Kosovës thuhet se do t’u nënshtrohen masave reformuese. Sugjerohet që doganat të integrohen me Policinë Kufitare të Policisë së Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Publik për parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar.
Doganat e Kosovës po ashtu janë shumë profesioniste, por nëse duam të ecim përpara drejt integrimeve evropiane, atëherë duhet të ketë një menaxhim të integruar të kufijve...

“Doganat e Kosovës po ashtu janë shumë profesioniste, por nëse duam të ecim përpara drejt integrimeve evropiane, atëherë duhet të ketë një menaxhim të integruar të kufijve, që nënkupton se doganat dhe policia kufitare duhet të bashkëpunojnë më shumë, sesa tash”, tha Rivi.

EULEX-i thotë se ky është raporti më gjithëpërfshirës i bërë ndonjëherë mbi punën e institucioneve për sundim të ligjit në Kosovë dhe është rezultat i mbi 2500 vlerësimeve të përgatitura nga mbi 400 monitorues dhe këshilltarë të EULEX-it, gjatë gjashtë muajve të fundit.

Nga ky monitorim kanë dalë 70 propozime, që do të përbëjnë bazën e përqendrimit të vëmendjes së EULEX-it në të ardhmen. Të gjitha rekomandimet pritet të realizohen nga vetë zyrtarët kosovarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG