Ndërlidhjet

Policia e Kosovës interviston Ivanoviqin


Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, është paraqitur në stacionin policor të Zveçanit, pas kërkesës së prokurorëve të EULEX-it. Ai hodhi poshtë akuzat për pjesëmarrje në disa veprime kriminale.


Për dy orë me radhë, Polica e Kosovës, në stacionin policor në Zveçan, ka marrë në pyetje njërin prej liderëve të serbëve të veriut të Mitrovicës, Millan Ivanoviq.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se zoti Ivanoviq është paraqitur në kohën e paraparë në stacion. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, thotë se gjatë intervistës, i akuzuari nuk ka kundërshtuar pyetjet e bëra nga policia dhe hetuesit.

“I njëjti është paraqitur sot, do të thotë i është kundërpërgjigjur ftesës së policisë. I njëjti është paraqitur në stacionin policor në Zveçan. Është intervistuar, në prezencën e avokatit të tij mbrojtës, nga hetuesit policorë të Kosovës, nga drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë”.


“Në këtë intervistë, policia ka realizuar të gjitha pikat e intervistimit, të cilat i ka kërkuar prokuroria përkatëse, në këtë rast prokurori ndërkombëtar i EULEX-it, i cili është përgjegjës për rastin në fjalë. Ndërsa, nuk është raportuar për çfarëdo lloj kundërshtimi gjatë realizimit të intervistës”,
tha Hoti.


Prokurorë nga misioni evropian për sundimin e ligjit, ditë me parë, kanë kërkuar nga Millan Ivanoviq që të paraqitet në polici për intervistë, me dyshimin për pjesëmarrje në disa veprime kriminale, organizimin dhe mbështetjet e grupeve terroriste, nxitje të urrejtjes nacionale, raciale e fetare, rrezikim të personelit të EULEX-it dhe pjesëmarrje në masën që kishte bërë vepra penale.

Mirëpo, zoti Ivanoviq, pas intervistimit, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura, duke thënë se nuk ka kurrfarë baze për ngritjen e aktakuzës penale ndaj tij.
Konsideroj se bëhet fjalë për një presion politik, edhe pse akuzat janë shumë të mëdha, por të pa baza. Mendoj se kjo çështje është vetëm presion i motivuar politik ...

“Konsideroj se bëhet fjalë për një presion politik, edhe pse akuzat janë shumë të mëdha, por të pa baza. Mendoj se kjo çështje është vetëm presion i motivuar politik”.

“Aty nuk ka asnjë kualifikim serioz, ndërsa unë u jam përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe nuk ka asnjë arsye as për këtë intervistë, e të mos flas për ngritjen e padisë”,
ka deklaruar Ivanoviq.

Edhe avokati i tij, Lubomir Petkoviq, tha se aktualisht po zhvillohet kallëzim penal, me të cilin EULEX-i e ngarkon Ivanoviqin për vepra të rënda penale.

Sipas Petkoviqit, prokurori publik i EULEX-it është fokusuar në 10 shkurtin e këtij viti, kur, siç thotë ai, i akuzuari ka kryer këto vepra penale. Krahas kësaj, ai ka thënë se bëhet fjalë edhe për zhvillimet në vitin e kaluar, kur qenë djegur dy pikat doganore në Bërnjak dhe Jarinë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës nuk ka bërë të ditura detaje nga intervistimi i Ivanoviqit, por, sipas zotit Hoti, një raport do t’i paraqitet prokurorisë përkatëse.

“Detajet e intervistës sigurisht që nuk mund të behën publike, janë çështje e konfidencës. Raporti në fjalë sigurisht që i deponohet prokurorisë përkatëse, ndërsa mbetet te prokurori ndërkombëtar që t’i marrë vendimet ose veprimet e tjera të përcaktuara me ligj”, tha Hoti.

Në kohën kur prokuroria e EULEX-it ka kërkuar paraqitjen e Ivanoviqit në polici, ai, përmes zyrtarëve serbë të policisë, kishte porositur përfaqësuesit e EULEX-it se nuk do ta bënte një veprim të tillë, duke thënë se nuk i njeh institucionet e Kosovës dhe se do të kërkonte mbrojtje nga shteti i Serbisë.
XS
SM
MD
LG