Ndërlidhjet

“Goditet drejtësia”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
EULEX-i, përmes raportit të parë monitorues, u bashkohet organizatave tjera që vlerësojnë se Kosova ka sistem gjyqësor e prokurorial të dobët. Ndonëse lavdërohet policia, propozohen 30 rekomandime për të përmirësuar efikasitetin në strukturën menaxhuese, kontrollin doganor, menaxhimin e kufijve, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti është rezultat i mbi 2500 vlerësimeve individuale, të përgatitura prej 400 monitoruesve dhe këshilltarëve të EULEX-it dhe përmban 70 rekomandime...

BOTA SOT
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash ratifikuan, të enjten, në një seancë të rregullt, Marrëveshjen për Përvetësimin e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe miratuan Memorandumin e Misionit të Thesarit të Bankës Botërore të datës 23-25 qershor 2009. Me këtë ratifikim Kosova merr përgjegjësi për kthimin e huas që ka marrë ish-Republika e Jugosllavisë në emër të investimeve në Kosovë, e njëkohësisht ka të drejtë, sikurse edhe shtetet tjera, të marrë kredi për investime kapitale. Kryeministri Hashim Thaçi tha se anëtarësimi Kosovës në FMN dhe BB është një e arritur e jashtëzakonshme, që ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit, njohje të reja për Kosovën, si dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike...

EPOKA E RE
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një bisedë telefonike për “Epokën e re”, ka thënë se situata politike në vend është stabile, por cilësia e qeverisjes aktuale, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, është shumë e dobët. “Sikurse që e dimë, Kosova është ngulfatur nga një korrupsion-sistem, i cili po merr në qafë Kosovën”, ka thënë Haradinaj. Lideri i AAK-së ka folur edhe për përgatitjet zgjedhore që është duke i bërë ky subjekt politik për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009. Haradinaj ka thënë se AAK-ja ka rritje të besimit dhe të përkrahjes, andaj zë besë se në zgjedhjet lokale do t’i fitojë disa komuna...

LAJM
Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, tenderin për sigurimin e veturave të Ministrisë ia ka dhënë kompanisë së sigurimeve “Sigma”, duke shkelur kështu rregullat që janë në fuqi, e të cilat janë miratuar edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. Kompania “Sigma” në tenderin në fjalë ka ofruar çmim më të ulët, sesa shtatë kompanitë e tjera për sigurimin e obligueshëm, e që në bazë të rregullave një gjë të tillë nuk ka mundur ta bëjë. Por, kjo e fundit ka gjetur edhe përkrahjen e fuqishme nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili konstaton se tenderi ka qenë në rregull, duke i cilësuar të pabaza ankesat e kompanisë së sigurimeve “Siguria”, “Sigal” dhe “Dukagjini”...

KOHA DITORE
Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten 13 persona të dyshuar për krim të organizuar në gjashtë qytete të Kosovës. Të arrestuarit janë të gjithë persona zyrtarë, 11 avokatë, 1 gjyqtar dhe një zyrtar i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. Megjithëse Policia e Kosovës të enjten nuk ka dashur të japë asnjë informatë shtesë lidhur me këto arrestime, “Koha Ditore” ka mësuar se gjykatësi i arrestuar është Kolë P., gjykatës në Gjykatën Komunale të Klinës, ndërsa avokatët e arrestuar janë: Xhafer M., Bedri G., Zef M. nga Klina, Muharrem R. nga Mitrovica, Sadik T., Fahrie Ç.-K. nga Prizreni, Sahit M. dhe Musa M., vëllezër nga Gjilani, Haxhë N., Zekë M. nga Peja, Xhavit K., Prekë P. nga Gjakova, K. P. punëtor i Gjykatës së Klinës dhe zyrtari i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, me mbiemrin Nuza...

INFOPRESS
Parlamenti i Kosovës ka miratuar të enjten në shqyrtimin e parë Ligjin për Rishikimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2009, me të cilin gati secilës ministri dhe agjenci të pavarur buxhetore i është rritur buxheti për shfrytëzim në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Rreth 108 milionë euro është shumë që është shtuar në Buxhet, para këto të mbledhura nga kursimet dhe planifikimet e tjera. Këto shtesa në secilën ministri do të shkojnë kryesisht për investime kapitale, por edhe investime të tjera. Dy partitë e koalicionit e kanë mbështetur këtë rishikim, e, në anën tjetër, përfaqësues të opozitës kanë dhënë vërejtje në lidhje me shpenzimet...

KOSOVA SOT
Institucionet e Kosovës ende kanë për të bërë në planin e përmbushjes së detyrave nga raporti i progresit të Kosovës, sidomos në planin e legjislacionit. Edhe pse bashkëpunimi në mes komisioneve të Kuvendit dhe Komisionit për integrime evropiane për çështjen e Planit të veprimit ka filluar, megjithatë bashkëpunimi nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ky konstatim ka dalë nga Komisioni për integrime evropiane pas takimit me komisionet parlamentare. Kryetarja e këtij komisioni, Zylfije Hundozi, tha se kuvendi ka adresuar plotësisht ose pjesërisht 2/3 nga 110 sfida të Planit të veprimit...

EXPRESS
Aleanca Kosova e Re (AKR), pas shumë deklarimeve në opinion, më në fund, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushtës, për të aplikuar sistemin e xhirimit me kamera nëpër vendvotime. Nënshkruesi i kërkesës, nënkryetari Ibrahim Makolli, ka thënë se AKR është e interesuar “për një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, transparent dhe në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare”. “Aleanca Kosova e Re e shqetësuar me vonesën e kompletimit të organit më të lartë për organizimin e zgjedhjeve - KQZ dhe, mbështetur në defektet e shënuara në zgjedhjet e fundit në Kosovë (nëntor 2007) para disa javëve, publikisht ka kërkuar nga KQZ që për zgjedhjet komunale të këtij viti të shqyrtojë mundësinë e instalimit të kamerave në secilin vendvotim...”, thuhet në kërkesë...
XS
SM
MD
LG