Ndërlidhjet

Prishtina pajtohet me EULEX-in rreth të metave në drejtësi


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të Qeverisë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për reforma të thella. Ata pajtohen me raportin monitorues të misionit të EULEX-it, si dhe me kritikat e bëra.



Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës pajtohen me kritikat e shumta të bëra në raportin monitorues të EULEX-it, në lidhje me funksionimin e institucioneve të sundimit të ligjit, ku apostrofohen sidomos gjyqësori dhe prokuroria, si institucione me mangësi të shumta.

Zyrtarë të Qeverisë dhe deputetë kosovarë thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për reforma të thella.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se raporti është shqyrtuar nga Bordi i përbashkët për sundim të ligjit. Ai thotë se ky raport do të jetë një bazë e mirë për vazhdimin e reformave në sistemin e drejtësisë, i cili në të gjitha raportet e deritashme paraqitet si fusha me më së paku të arritura në Kosovë.

Hajredin Kuçi
“Është e vërtetë që sistemi i drejtësisë është i pavarur, sistemi gjyqësor. Do ta respektojmë një pavarësi të tillë, por nuk është jollogaridhënës dhe shpeshherë në Kosovë po krijohet përshtypja që pavarësia e mungon llogaridhënien”.

“Në Kosovë kemi nevojë për një sistem të drejtësisë më efikas, më efektiv, për gjyqtarë më efikas dhe për një rifreskim të tërë sistemit gjyqësor në Kosovë”,
thekson Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shpreson se riemërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mund të sillnin një freski në përmirësimin e këtij sistemi.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, nuk ka preferuar ta komentojë raportin e EULEX-it, deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se rekomandimet e EULEX-it janë të bazuara dhe se Kosovës i duhet një sistem më i shëndoshë i drejtësisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit parlamentar për legjislacion dhe gjyqësi, thotë se vërejtje të ngjashme me ato të EULEX-it, sistemit gjyqësor e prokurorial i janë bërë edhe nga vetë deputetët.
Mendoni një shtyllë e pushtetit me rëndësi të veçantë, një shtyllë e pavarur e pushtetit të mos e ketë një organ mbikëqyrës për 7-8 muaj, mund ta kuptoni se në çfarë situate jemi...

“Vërejtjet që i kanë rreth sistemit gjyqësor në Kosovë janë me vend. Ju e dini një fakt që organet e drejtësisë po funksionojnë për 7-8 muaj pa organin mbikëqyrës, pa organin kryesor që vendos për menaxhimin, inspektimin, emërimet, shkarkimet e gjyqtarëve - pa Këshillin Gjyqësor të Kosovës”.

“Dhe, mendoni një shtyllë e pushtetit me rëndësi të veçantë, një shtyllë e pavarur e pushtetit të mos e ketë një organ mbikëqyrës për 7-8 muaj, mund ta kuptoni se në çfarë situate jemi”,
thotë Hyseni.

Kosova ka një sistem klasik të drejtësisë, i cili nuk përkon me kohën, thotë deputeti i Aleancës Kosova e Re, Riza Smaka.

Reformat në këtë sistem, ai nuk i sheh ndërhyrje në shtyllën e drejtësisë. Përkundrazi, thotë Smaka, mosveprimi është edhe më i dëmshëm, pasi që po lejon që ky sistem të shkatërrohet.

Smaka rikujton mijëra lëndë që presin fjalën e drejtësisë dhe të cilat nuk trajtohen, pasi që, sipas tij, ka zvarritje të shumta, që shpesh lënë dyshime të hapura për korrupsion dhe dukuri tjera negative.
Sistemi gjyqësor është klasik, është i tejkaluar dhe koncepti nuk është adapt me kohën...

“Kritikat e EULEX-it, unë i konsideroj me vend, nuk janë tendencioze. Duhet të bëhet një reformim esencial i sistemit gjyqësor. Sistemi gjyqësor është klasik, është i tejkaluar dhe koncepti nuk është adapt me kohën”, vlerëson Smaka.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulëzim Zeneli, konsideron se EULEX-i ka qenë shumë i butë në kritikat e bëra, pasi që, sipas tij, gjyqësori, por edhe Policia e Kosovës, janë në pozitë më të rëndë sesa që paraqiten në raportin e publikuar dje.

“Ajo që është esenciale të theksohet, është se ka të meta dhe vazhdimisht janë përcjellë të metat dhe parregullsitë e mëdha në sistemin gjyqësor të vendit”.
...ka çalime, për të cilat do të duhej të ishim mjaft të brengosur.

“Dhe, kur kësaj ia shtojmë edhe të metat që e kanë përcjellë Policinë e Kosovës, atëherë lë të kuptohet se në këta dy sektorë apo segmente vitale të shtetësisë së Kosovës, ka çalime, për të cilat do të duhej të ishim mjaft të brengosur”,
thotë Zeneli.

Në raportin monitorues të EULEX-it për institucionet e sundimit të ligjit, gjendja në sistemin gjyqësor e prokurorial paraqitet si shumë e rëndë dhe kërkohen reforma të thella, përderisa më shumë lavdërime ka marrë Policia e Kosovës.

Raporti përmban rreth 70 rekomandime për institucionet e sundimit të ligjit për të qenë më efikase në ndërtimin e shtetit ligjor të Kosovës.
XS
SM
MD
LG