Ndërlidhjet

Shpagimi i borxhit ndërkombëtar


Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen me FMN-në dhe Bankën Botërore. Përveç marrjes eventuale të kredive të reja, Kosova është e detyruar që t’i kthejë borxhet e vjetra nga koha e ish-Jugosllavisë, të cilat ende nuk dihet saktë se sa janë.

Me gjithë faktin se ende mungojnë shifrat zyrtare se sa është borxhi ndërkombëtar, autoritetet kosovare kanë deklaruar se janë të gatshme që ta shpaguajnë këtë borxh.

Madje, Kuvendi i Kosovës dje ka ratifikuar Marrëveshjen për anëtarësim të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe përvetësimin e kredisë, e cila ka të bëjë me borxhet e vjetra që i takojnë Kosovës, nga koha e ish-Jugosllavisë.

Lidhur me këtë, njohës të çështjeve ekonomike pohojnë se Kosova ka mundësi për shpagimin e borxhit, por duhet gjetur mënyrën e duhur për t’iu qasur kësaj çështjeje.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se borxhi i huazuar ndaj institucioneve të huaja ndërkombëtare arrin në 800 milionë euro, të cilat, sipas tij, janë shpenzuar për ndërtimin e hidro-sistemeve, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhave.

“Zakonisht, kemi pasur një vakuum institucional në shlyerjen e këtyre borxheve, sepse ato borxhe që janë marrë më parë, i ka marrë Banka Popullore e Kosovës, ndërkaq garantuese e atyre borxheve ka qenë Federata Jugosllave. Të gjitha janë shpërbërë dhe tashmë kemi një realitet të ri, i cili nuk është paraparë as në statusin dhe as në aktet ligjore të Bankës Botërore”, thotë Bektashi.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Berim Ramosaj, thotë se institucionet kompetente duhet të jenë të kujdesshme në shpagimin e borxhit, pasi, sipas tij, në radhë të parë duhet të saktësohet shuma e borxhit dhe destinacioni se ku janë shpenzuar ato mjete.

“Duke marrë parasysh se tashmë jemi shtet dhe performancën e kemi shumë më të mirë në aspektin e komunikimit dhe, çka është me rëndësi, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe në FMN, ka mundësi shumë të mëdha që në njërën anë të specifikojmë saktë borxhin e Kosovës dhe në anën tjetër të na jepet shansi që të bëjmë riaranzhmane në kuptimin e pagesës se borxhit”, thotë Ramosaj.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se shpagimi i borxheve nuk do të paraqesë ndonjë problem. Mejdi Bektashi pohon se ekzistojnë disa mënyra për zgjidhjen e këtij problemi.

“Mënyra e parë është që disa shtete përkrahëse, politike dhe ekonomike të Kosovës, t’i shpaguajnë këto mjete. Me siguri që Banka Botërore, një pjesë të borxhit që ka Kosova do ta shlyejë për shkak të disa rrethanave, ndërsa një pjesë do të mbetet për t’u paguar nga Buxheti i Kosovës, që kryesisht do të mbështetet në mjetet e fondit të privatizimit, mjete të cilat gjenden në bonot e thesarit të shteteve perëndimore”, deklaron Bektashi.

Ai thotë se të gjitha paqartësitë që paraqiten rreth borxheve të Kosovës, duhet të zgjidhen në një konferencë të posaçme në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova duhet të ketë kujdes shumë të madh dhe unë besoj se të gjitha këto çështje rreth trashëgimisë ekonomike do të mund të rregullohen përmes konferencës për suksescion, e cila me siguri duhet të zhvillohet në një kohë shumë të afërt në mes Kosovës dhe Serbisë, ku do të pastrohen të gjithë aktivët dhe pasivët që janë trashëguar dhe që duhet të evidentohen nga ekspertët e të dyja shteteve, nga Serbia dhe Kosova”, thekson Bektashi.

Ndryshe, për shpagimin e borxhit, në bazë të ligjit ekzistues, Qeveria e Kosovës nga buxheti për vitin 2009 ka ndarë një shumë prej 55 milionë eurosh, shumë kjo që do të vazhdojë të ndahet edhe në vitet vijuese.
XS
SM
MD
LG