Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës kanë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës, që nëse nuk do të realizohet marrëveshja e nxjerrë në mes këtyre dy palëve, ata do të ndërmarrin veprime tjera, të cilat, siç thonë, do të jenë shumë radikale. Por, përfaqësuesit e Qeverisë pohojnë se në masë të madhe i kanë kryer obligimet e tyre që dalin nga kjo marrëveshje.


Nënkryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Jahir Mujolli, thotë se sektori i shëndetësisë në përgjithësi është në gjendje alarmante që nga paslufta.

“Ne kemi pasur premtimin e kryeministrit Thaçi, që marrëveshja do të respektohet dhe do të realizohet qind për qind. Por, në mbledhjen e mbajtur të sindikatës, kemi konstatuar që nuk është realizuar pjesa materiale sipas marrëveshjes, dhe kemi caktuar një afat që deri më 31 dhjetor të paguhen 44 euro për të gjithë punëtorët”, thotë zoti Mujolli.

Pagesa prej 44 eurosh ka qenë njëra nga pikat kryesore të marrëveshjes së nxjerrë nga Sindikata e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës.

Por, zoti Mujolli i quan provokuese premtimet e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të arsimtarëve, derisa nuk po respektohet marrëveshja që kryeministri ka bërë me punëtorët shëndetësorë.

“Punëtorët shëndetësorë vërtet janë të zhgënjyer. Ne, me fjalë, jemi prioritet sikur në vitin 2008, ashtu edhe në vitin 2009, por kjo është vetëm në fjalë dhe jo në vepër”, shprehet zoti Mujolli.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se duhet të jetë e qartë se nuk është mënyrë e zgjidhjes së problemeve presioni, greva apo format tjera. Këto probleme, sipas tij, duhet të zgjidhen nëpërmes dialogut social.

“Sa u përket institucioneve, ne kemi kryer në masë të madhe të gjitha obligimet dhe me aq sa jemi të informuar, një pjesë shumë e mirë, për të mos thënë të gjitha komunat e Kosovës, kanë realizuar të gjitha obligimet që dalin nga deklarata e përbashkët që kemi nxjerrë me përfaqësues të Sindikatës së Shëndetësisë dhe Qeverisë. Shpresoj që të gjitha shqetësimet e arsyeshme do të adresohen”, thotë Krasniqi.

Grevat dhe pakënaqësitë e vazhdueshme të punëtorëve dhe kategorive të caktuara të shoqërisë, për përfaqësues të ndryshëm të organizatave japin efekte negative për Kosovën në përgjithësi.

Xhafer Xhaferi, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se pakënaqësitë e qytetarëve janë të shprehura që nga paslufta dhe, siç thotë ai, kjo situatë në vazhdimësi ka qenë e rëndë.

“BSPK ka shprehur pakënaqësitë e saj, ia ka bërë të ditur Qeverisë. Janë ndërmarrë masa të ndryshme. Përveç kërkesave që i janë bërë Qeverisë, janë mbajtur dhe dy protesta gjatë këtij viti. Gjithashtu ka pasur protesta nga sindikata të ndryshme. Megjithatë, Qeveria nuk ka marrë hapa konkretë që ta tejkalojë këtë situatë”, deklaron zoti Xhaferi.

Ndryshe, pas shëndetësisë, sektor ky që ka paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave radikale, paralajmërime të ngjashme ka dhe nga sektorë të tjerë, si dhe ka protesta të vazhdueshme të punëtorëve nga ndërmarrjet e privatizuara.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG