Ndërlidhjet

Klinton: Gjuhë e ashpër ndaj Iranit, Koresë Veriore

  • Andrew Tully

Hillari Klinton

Hillari Klinton

Gjatë pjesëmarrjes së saj në samitin e Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, përdori një gjuhë të ashpër lidhur me Iranin dhe Korenë Veriore. Administrata amerikane thotë se beson se më mirë është të flitet ashpër, sesa të luftohet.


Sekretarja e amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur që t’i armatosin vendet fqinje të Iranit, në mënyrë që të ngrihet, siç tha ajo, “ombrella mbrojtëse” për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm, i cili mund të jetë planifikuar nga Teherani.

“Irani duhet të kuptojë që zhvillimi i programeve bërthamore nuk do ta avancojë sigurinë e tij ose arritjen e qëllimeve, duke e rritur fuqinë si në aspektin rajonal, ashtu edhe në atë global”, ka thënë Klinton.

Kryediplomatja amerikane, Klinton, e cila në Tajlandë ka marrë pjesë në një takim të Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore, i njohur si ASEAN, po ashtu kishte fjalë të ashpra edhe për Korenë e Veriut.

“Përkundër zbatimit të sanksioneve, ne jemi të hapur për bisedime me Korenë e Veriut. Por, ne nuk jemi të interesuar për masa gjysmake. Ne nuk e kemi ndërmend ta shpërblejmë veriun vetëm për ta kthyer në tryezën e bisedimeve”.

“Ne po ashtu nuk do t’u japim asgjë të re atyre për veprimet që ata tashmë janë pajtuar t’i ndërmarrin. Ne nuk kemi oreks për të zhvilluar negociata të zgjatura, pasi ato vetëm na çojnë prapa aty ku kemi qenë”,
tha Klinton.

Por, nëse fjalët e saj duken si rikthim në administratën e Bushit, kjo thjesht është një koincidencë, thotë Xhejms Gudbi, nga Instituti Brukings në Uashington, i cili është ekspert për çështjet e programeve bërthamore dhe çështje të tjera të sigurisë.

Sipas tij, shumëçka ka ndryshuar që nga viti 2002, kur ish-presidenti Bush iu referuara “boshtit të së keqes”, që në atë kohë përfshinte Irakun, Iranin dhe Korenë Veriore.

Por, Gudbi thotë se me të gjitha këto vende, Shtetet e Bashkuara tash ballafaqohen me situata krejtësisht të ndryshme. Nga Iraku i invaduar, Shtetet e Bashkuara tashmë po i tërheqin forcat e tyre.

Ndërsa, sa i përket Iranit, problem paraqesin zgjedhjet presidenciale të qershorit dhe deklarimi i fitores përpara se votat të ishin numëruar.

Gudbi parashikon se nuk do të ketë shumë angazhime midis Teheranit dhe Uashingtonit, përderisa problemi i votimit të zgjidhet njëherë e mirë.

Gudbi thotë se situatë e njëjtë është edhe me Korenë e Veriut. Ai përmend raportet nga Peniani, që thonë se gjendja shëndetësore e liderit Kim Jong Il është përkeqësuar si duket nga kanceri dhe për vendimin e tij që djalin e tij ta emërojë si pasardhës.

Nëse këto raporte të ndryshimit të pushtetit janë të sakta, atëherë Gudbi thotë se Koreja e Veriut nuk është në pozitë shumë të mirë për të hyrë në bisedime substanciale.

Duke u shprehur për Iranin, analisti Gudbi thotë se ndoshta duhet të bëhen përpjekje për ndonjë takim rajonal.

“Administrata e presidentit Obama duhet të shpenzojë kohë në përpjekje për të organizuar një lloj forumi rajonal, ku do të përfshiheshin, pos Iranit, shtetet e Gjirit, Izraeli dhe shtetet tjera arabe në rajon”.

“Mendoj se këto vende do të pranojnë një lloj nisme rajonale, ku do të diskutoheshin shumë tema. Njëra prej tyre është sigurisht armatimi për shkatërrimin në masë, duke përfshirë edhe armatimin bërthamor”,
shprehet Gudbi.
XS
SM
MD
LG