Ndërlidhjet

logo-print

Arrestimet e fundit të policisë ndaj një grupi që dyshohet të jetë i përfshirë në krim të organizuar, kanë nxitur debatin nëse bëhet fjalë në të vërtetë për një goditje të krimit të organizuar.




Arrestimi i 13 personave, të dyshuar se janë përfshirë në krim të organizuar, 11 nga të cilët tashmë po mbrohen në liri, ka ngjallur debate në vend.

Ndërsa subjektet politike në pushtet vlerësojnë se ky veprim paraqet një goditje kundër krimit të organizuar, opozitarët mendojnë se në fakt bëhet fjalë për arrestim spektakular.

Policia arrestoi të enjten 13 persona, 11 avokatë, një gjykatës dhe një zyrtar të një kompanie sigurimi, nën dyshimin se kanë bërë falsifikim dokumentesh, keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim e keqpërdorim të besimit. Operacioni u ndërmor në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, beson se me një veprim të tillë goditet krimi i organizuar.

“Unë jam i prirur t’u besoj edhe organeve të ndjekjes, edhe të drejtësisë. Sigurisht se ato janë çështje me të cilat duhet të merren organet kompetente dhe të vijnë në përfundimin e duhur”,
tha Veliu.

Por, nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Shkumbin Demaliaj, thotë se edhe kësaj here u bë një arrestim, siç e quan ai, spektakular.

“Ka qenë diçka spektakulare, por këto ndërmarrësi është dashur të ndodhin edhe më herët, sepse dihet se janë mbi 700 mijë lëndë në gjykatat e Kosovës të pazgjidhura, çka do të thotë se një e treta e popullit të Kosovës është në gjyq”.

“Personalisht, por edhe si grup parlamentar, vlerësoj se është koha e duhur, që nëse këta njerëz janë përfshirë në këto raste, duhet ta marrin dënimin e merituar. Dhe, kjo shtyllë shtetërore, që është segmenti i drejtësisë në këtë rast, ta marrë kahjen e duhur në zgjidhjen e lëndëve në favor të qytetarëve dhe jo në favor të tyrin personal dhe në favor të xhepave të tyre si të korruptuar”,
tha Demaliaj.

Kryeministri Hashim Thaçi është deklaruar se Qeveria e tij i ka shpallur luftë krimit të organizuar. Megjithatë, raporti i parë monitorues i EULEX-it ka gjetur se policia madje nuk ka as strategji për të luftuar këtë dukuri negative.

“Drejtorisë për Krimin e Organizuar i mungon një dokument i hollësishëm strategjik, që i përkufizon qëllimet dhe objektivat e saj dhe, si rrjedhojë, nuk ekziston ndonjë politikë e shkruar ose strategji e përgjithshme, që i jep formë përpjekjes për t’u marrë me krimin e organizuar”, thuhet në raport.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, nuk beson se arrestimet e fundit do të godasin në të vërtetë krimin.

“Praktika e deritanishme ka treguar se janë arrestuar në mënyrë spektakulare dhe janë liruar brenda pak orësh. Tash të shohim nëse drejtësia po shkon në vend dhe a janë ose jo arrestime të gabuara”,
shprehet Maloku.

Është thënë shpesh se lufta kundër krimit të organizuar është një nga masat kryesore, që Kosova duhet të ndërmarrë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Në të vërtetë, kjo luftë është shpallur disa herë në Kosovë, edhe atëherë kur fjalën kryesore e ka thënë administrata e OKB-së.

Por, raporte të ndryshme të grupeve qeveritare e joqeveritare pohojnë se Kosova ka edhe shumë punë për të bërë, për të çrrënjosur këtë dukuri. Ngecjet në këtë drejtim vijnë posaçërisht nga dështimet në sistemin e drejtësisë, i cili edhe nga EULEX-i u vlerësua të jetë larg përmbushjes së standardeve.

Shkumbin Demaliaj dyshon se drejtësia do të jetë e pavarur në lidhje me arrestimet e fundit.

“Në këtë rast, drejtësia nuk e dimë se si do të merret me drejtësinë. A janë në të të përfshirë edhe gjyqtarët e tjerë? Në këtë rast shihet se është një kamuflim i madh, sepse ata më në fund janë kolegë, kanë vepruar bashkë dhe tash s’dimë se si do të zgjidhet problemi mes drejtësisë me drejtësinë”, tha Demaliaj.

EULEX-i në raportin e tij të fundit ka shprehur shqetësimin për mungesë pavarësie të gjykatësve dhe prokurorëve.
XS
SM
MD
LG