Ndërlidhjet

Rashiq: Pa decentralizim, s’ka dalje në zgjedhje


Ministri për punë dhe çështje sociale në Kosovë, Nenad Rashiq, deklaroi se Partia Liberale e Pavarur e tij, nuk do të marr pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë më 15 nëntor, nëse nuk realizohet decentralizimi, sipas planit të Marti Ahtisarit.

“Nëse do të realizohej decentralizimi, për të cilin ka shumë pak kohë, atëherë të gjithë serbët do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, sepse plani Ahtisari, u jep, veçanërisht komunave të reja serbe, autorizime të mëdha”, i tha zoti Rashiq, një televizioni në Serbi.

Mëtutje ai vlerësoi se “në këtë moment, zbatimi i decentralizimit në Kosovë, nuk i konvenon as Prishtinës, as bashkësisë ndërkombëtare, e as Beogradit,”.

Më herët, zyrtarë të lartë të Serbisë, që e kundërshtojnë planin Ahtisari, kanë thënë se nuk ka kushte për daljen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale më 15 nëntor.
XS
SM
MD
LG