Ndërlidhjet

logo-print

Sot priten rezultatet e analizave të katër rasteve të dyshuara të infektimit me virusin A-H1N1. Deri më tash nuk ka asnjë rast të evidentuar të gripit të derrit në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë, po përgatitet për blerjen e vaksinës, sapo ajo të dalë në treg.

Pasditen e stome priten të arrijnë në Kosovë rezultatet e analizave të katër rasteve të dyshuara të infektimit me virusin A-H1N1.

Aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë rast të evidentuar me influencën A- H1N1, ndërkaq priten rezultatet e mostrave të analizave për katër raste të dyshuara të dërguara në Institutin Torlak të Beogradit.

Ministria e Shëndetësisë kërkon nga qeveria miratimin e kërkesës që Kosova nga vjeshta e këtij viti, kur vaksina pritet të dalë në treg dhe kur parashikimet Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë se ky grip mund të marrë përmasa më alarmante, të sigurojë sasi afërsisht të mjaftueshme në përpjekjet për të përballuar me sa më pak pasoja pandeminë e gripit të derrit.

Drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se nevojiten rreth 6 milionë euro që Kosova të hyjë në listën e vendeve që kanë porositur këtë vaksinë.

Ministria e Shëndetësisë i ka bërë kërkesë qeverisë së Kosovës, që të nisë procedurat për sigurimin apo porositjen e vaksinës. Kalkulimet janë që duhet të sigurohen 450- 500 mijë vaksina, që mund të kushtojnë rreth 6 milionë euro”.

Në këtë fazë vaksina ende nuk është në treg, por qëllimi i institucioneve është që Kosova të futet në listën e vendeve, që e kanë bërë porosinë e vaksinës dhe të jenë të gatshëm për përdorimin e saj në momentin kur ajo të jetë në treg”, tha Hoti.

Ndërkohë që pandemia e gripit të derrit po merr përmasa më të mëdha në botë, Kosova përballet me probleme të shumta të sigurimit të pajisjeve dhe kontrollit mjekësor nëpër kalimet kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë thotë se ka disa organe që janë bashkërisht përgjegjëse për të siguruar kontrollin e udhëtarëve në mënyrë që të gjitha rastet e dyshuara të marrin trajtim adekuat si masa parandaluese të përhapjes së virusit.

Masa preventive po bëhen në mënyrë të organizuar me SHPK-në dhe institucione tjera. Mbeten në fuqi masat e rekomanduara të OBSH-së. Deri në këtë fazë puna preventive ka ecur mirë dhe fakti se ende nuk ka raste të gripit të derrave në Kosovë, do të thotë se një pjesë e aktiviteteve të parapara ka shkuar si është paramenduar më parë”, tha Hoti.

Gripi i derrit, sipas të dhënave të publikuara ka prekur 160 vende të botës, përfshirë edhe vendet fqinje të Kosovës. Përderisa në Kosovë, nuk ka asnjë rast të evidentuar me këtë virus.

Me mbi 13 mijë doza Tamiflu, tashmë të siguruara dhe afër 500 mijë vaksina, autoritetet kosovare besojnë se do të përballojnë me më pak pasoja virusin H1N1, i cili sipas disa parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë vjeshtës dhe dimrit, mund të prekë të paktën 25 për qind të popullatës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG