Ndërlidhjet

Dilemat mbi organizimin e zgjedhjeve


OSBE në Kosovë u ka sqaruar sërish partive politike se roli i kësaj organizate në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë vetëm këshillëdhënës. Partitë opozitare kërkojnë rritje të transparencës dhe prani më të madhe ndërkombëtare në zgjedhje.


Partitë politike kanë ngritur disa shqetësime në lidhje me organizimin, monitorimin dhe vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të ardhshme lokale në Kosovë.

Duke iu përgjigjur kërkesave të disa partive opozitare për rol të shtuar të OSBE-së, misioni i kësaj organizate në Kosovë rikujton se roli i OSBE-së tashmë ka ndryshuar dhe se janë institucionet e Kosovës ato që marrin në duar procesin.

Zëdhënësja e këtij misioni në Prishtinë, Edita Buqaj thotë se OSBE do të ketë një rol këshillëdhënës duke i ofruar KQZ-së mbështetje dhe trajnim lidhur me planifikimin e procesit zgjedhor.

Sa u përket kërkesave për rol të shtuar të OSBE-së në zgjedhje apo për vëzhgim OSBE ka një mandat të qartë, ndërtimin dhe forcimin e institucioneve në Kosovë. Kjo është arsye pse OSBE nuk mund t’i vëzhgojë zgjedhjet. OSBE ka themeluar KQZ-në, organ ky që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve”, thotë Edita Buqaj.

Zëdhënësja Buqaj thotë po ashtu se OSBE nuk i ka monitoruar zgjedhjet as në të kaluarën dhe këtë nuk do ta bëjë as tash.

Ndërkohë, subjektet pjesëmarrëse, duke mos e pasur të qartë rolin e faktorit ndërkombëtar në zgjedhje kërkojnë rritjen e transparencës, përfshirë edhe vendosjen e kamerave nëpër vendvotime dhe vendnumërime të votave.

Një kërkesë e tillë, nga KQZ-ja është vlerësuar se ka implikime financiare dhe kërkon miratimin e qeverisë. Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria nuk ka marrë asnjë kërkesë për ndarjen e mjeteve për kamera dhe pajisje tjera teknike që do të shërbenin për monitorimin e procesit zgjedhor.

Qeveria është e interesuar të ketë zgjedhje fer, demokratike dhe të organizuara me transparencë të plotë. Çdo kërkesë që vjen nga KQZ për qeverinë e Kosovës qoftë ajo legale apo buxhetore do të plotësohet qind për qind".

"Por, ajo çka jemi të interesuar ne është të kemi transparencë, dhe sa më shumë që ka transparencë të plotë gjatë procesit të zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve do të ketë më pak mundësi që të kontestohen zgjedhjet”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke mos e pohuar e as mohuar mundësinë e plotësimit të kërkesës së disa partive opozitare, nëse kërkesa parashtrohet përmes KQZ-së.

Por, në anën tjetër Aleanca Kosova e Re si inicuese e çështjes së kamerave thotë se zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se pikërisht në mungesë të transparencës dhe abuzimeve, 30 mijë votat e qytetarëve të Kosovës është dashur të shpallen të pavlefshme.

Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së i propozon KQZ-së dhe qeverisë, që të mos e hedhin poshtë pa e shqyrtuar kërkesën, pasi që praktika ndërkombëtare, sipas tij, ka dëshmuar se monitorimi i shtuar rrit transparencën e gjithë procesit.

Praktika ndërkombëtare e vendeve tjera tregon se instalimi i kamerave nëpër vendvotime, në veçanti aty ku numërohen votat ka ngritur transparencën dhe është tregu si proces pozitiv që çon në drejtim të plotësimit të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira, të drejta dhe fer”, tha Makolli

Ideja e rritjes së transparencës dhe monitorimit të gjithë procesit zgjedhor, është përkrahur edhe nga shumë parti tjera opozitare dhe ato jashtë parlamentit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Burim Ramadani e sheh si shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vendnumërimit të votave edhe pse bazuar në përvojat e kaluara, ai dyshon që qeveria dhe presidenti do të përfillin kërkesat e opozitës.

Ne do të kërkonim nga qeveria dhe institucionet tjera që të mos presin çdo herë letër dhe të mos e përdorin këtë si arsye për t’i shtyrë vendimet ose për t’i shtyrë çështjet, të cilat do të duhej të ndikonin pozitivisht në Kosovë".

"Tek e fundit edhe presidenti është vonuar dhe nuk ka respektuar letrat e opozitës asnjëherë dhe as qeveria, jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në aspektet tjera kërkesat që kemi bërë
”, thekson Ramadani.

Ndërkohë, një shqetësim tjetër i këtyre zgjedhjeve është çështja e pjesëmarrjes së komunitetit serb dhe ndërlidhja e participimit me procesin e decentralizimit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se nuk mund të ketë krijim të komunave të reja dhe decentralizim pa pjesëmarrje paraprake në zgjedhje, pasi që sipas tij, nxitimet do të shkonin në favor të strukturave paralele serbe, që të marrin pushtetin pa iu nënshtruar fare procesit legal zgjedhor.

Ne jemi të interesuar që të respektojmë dokumentin e presidentit Ahtisari, por i kemi dy kushte paraprake, kushti i parë është që procesi i decentralizimit të lidhet me bindjen e plotë që do të kemi pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje, ngase nuk do të krijojmë komuna që do të udhëhiqen nga struktura paralele dhe së dyti se procesi i decentralizimit të jetë i balancuar edhe në pjesën veriore të Kosovës”, tha Kuçi.

Sidoqoftë, zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, vlerësohet të jetë testi i parë i demokracisë në Kosovën e pavarur.

Marrë parasysh kompetencat e shtuara të institucioneve të Republikës së Kosovës, këto zgjedhje dallojnë nga proceset e kaluara pasi që faktori ndërkombëtar tani kalon në vëzhgues, apo rol pasiv, kurse faktori vendor ka përgjegjësinë e plotë për organizim dhe mbarëvajtje të procesit.
XS
SM
MD
LG