Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës thonë se pa zbatimin e decentralizimit, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Këtë qëndrim tash ka filluar ta mbajë edhe njëri nga ministrat serbë në qeverinë Thaçi. Por, krerët e qeverisë hedhin poshtë këtë mundësi.



Ndërsa më parë ishin serbët jashtë institucioneve, ata që kushtëzonin pjesëmarrjen në zgjedhje me decentralizim, tash, këtë qëndrim kanë nisur ta mbajnë dhe vetë ministrat në qeverinë Thaçi.

Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Qeverinë e Kosovës dhe anëtar i Partisë së Pavarur Liberale Serbe, Nenad Rashiq, e quan të papranueshëm faktin se procesi i decentralizimit nuk ka nisur ende. Sipas tij, tani është vënë në pikëpyetje dalja e serbëve në zgjedhje.

Nëse ne si Parti Liberale dalim në zgjedhje pa marrë parasysh decentralizimin, atëherë serbët si pakicë në komunat siç është Prishtina, me votat e tyre nuk do të mund të dërgonin as edhe një përfaqësues në Kuvendin Komunal".

"Prandaj, ne nuk shohim arsye që të dalim në zgjedhje, përderisa me të nuk mund të mbërrijmë asgjë. Në këtë rast, nëse nuk do të ketë decentralizim, ne do të jemi vetëm dekor në ndonjë komunë potenciale”, tha Rashiq.

Por, zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë hedhur poshtë këtë ide, duke thënë se decentralizimi para zgjedhjeve shkon në favor të strukturave paralele serbe.

Edhe Prishtina ka vënë kusht; që të sigurohet pjesëmarrja në zgjedhje para decentralizimit, dhe që ky proces të jetë i balancuar edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Por, Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës thotë se pa garanci të qarta, të cilat ofrojnë mbrojtje institucionale, serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje.

Pa decentralizim nuk mund të flitet për kurrfarë dalje në zgjedhjet e ardhshme lokale të Kosovës. Për serbët, procesi i decentralizimit duhet të bëhet në përputhje me Rezolutën 12 44, përmes OKB-së dhe BE-së, ashtu që në periudhën e ardhshme mund të kërkohet mundësia e modifikimit të planit, të sigurohet mekanizmi për mbrojtjen e komunitetit serb, të komunave të ardhshme, që numri i komunave të rritet si dhe kompetencat të barten nga qeveria qendrore në atë lokale”, tha Veliq.

Dragan Veliq nuk është për decentralizimin, që parashihet me planin e Ahtisarit. Zyrtarët në Beograd nuk e kanë pranuar atë plan, sepse në bazë të tij është shpallë pavarësia.

Megjithatë, shumë serbë thonë se nëse pjesa politike e këtij dokumenti ndryshon, pjesët praktike mund të pranohen dhe eventualisht të ndërrohen.

Për këtë, Veliq konsideron se serbët së pari duhet të marrin një decentralizim të vërtetë e më pastaj të flasin për krijimin e kushteve për dalje në zgjedhjet e ardhshme

Sipas planit të Marti Ahtisait, parashihet që të formohen komunat e Mitrovicës Veriore, Gracanicës, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit dhe zgjerimi i komunës së Novobërdës.

Ky proces, sipas Rashiqit nuk është politik, por teknik dhe rregullon jetën e serbëve në Kosovë.

Është diskutabile nëse ky proces do të kryhet tash në vjeshtë, apo duhet pritur pranverën. Ne kërkojmë që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe që komuniteti serb të ketë përfaqësues adekuatë që i mbrojnë interesat e tyre".

"Tash jemi në një pozicion pat politik në të cilin asnjëra palë nuk është e gatshme për decentralizim, ndërsa ne mbesim këtu ku jemi, në zero negative, ku nuk mund të mbrojmë interesat tona, të formojmë komuna të reja dhe të bëhemi pjesë aktive e shoqërisë”, tha Rashiq.

Por, cka nëse i bojkotojnë zgjedhjet? Veliq pranon se do të kishte shumë humbje, por edhe anashkalimi i kushteve serbe nuk është zgjidhja. Ai thotë se urgjentisht duhet nisur bisedimet.

Duhet që edhe komuniteti ndërkombëtar dhe pala shqiptare ta kuptojnë se me mosdaljen e serbëve në zgjedhje me kapacitet të plotë do të zgjedhen disa kuazi përfaqësues të serbëve".

"Tashmë është dëshmuar se me këtë mënyrë nuk zgjidhet problemi i Kosovës. Por, serbët duhet ta kuptojnë interesin e daljes në zgjedhje dhe këtu presim edhe mbështetjen e Republikës së Serbisë, sepse pa këtë pëlqim s’do të ketë as decentralizim serioz dhe as nuk është e mundur zgjidhja e problemeve”, tha Veliq.

Zgjedhjet komunale mbahen më 15 nëntor. Beogradi zyrtar ka thënë se nuk ka kushte që serbët të marrin pjesë në to.

Në 10 vjetët e fundit, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ka qenë gjithnjë problematike. Arsyet më të shpeshta për bojkot kanë qenë mungesa e kushteve, por edhe mosbashkëpunimi me institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG