Ndërlidhjet

Bankat shtrëngojnë kriteret për dhënien e kredive


Disa banka komerciale që veprojnë në Kosovë, kanë filluar të jenë më konservative sa i përket kreditimit të korporatave dhe ndërmarrjeve të mëdha të biznesit. Kështu thonë zyrtarë të Bankës Qendrore dhe zyrtarë të bankave.


Për shkak të krizës financiare globale, disa banka komerciale që veprojnë në Kosovë kanë filluar të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, posaçërisht ndaj korporatave dhe ndërmarrjeve të mëdha të biznesit, por, megjithatë normat e interesit nuk kanë lëvizur.

Arsye pse bankat kanë shtrënguar kriteret për marrjen e kredive, është frika e rritjes se pamundësisë se subjekteve për t’i shlyer kreditë.

Kështu thonë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës dhe vetë zyrtarë të bankave.

Meridian Kukleci, drejtor i Mbikëqyrjes se Bankave në Bankën Qendrore të Kosovës, pohon se për shkak të rrezikut të mundshëm, të gjitha bankat komerciale në Kosovë, analizojnë mirë ecurinë e biznesit ose shoqërisë që kërkon të marrë kredi.

Megjithatë, Kukleci, thotë se sistemi financiar në Kosovë është i qëndrueshëm dhe nuk është prekur nga kriza financiare ndërkombëtare..

Do të kisha quajtur më shumë si kujdes i shtuar në ndërmarrjen e të gjitha masave për sigurimin e menaxhimit më adekuat të rrezikut kreditor, aq më tepër kur tregu është i përmasave që njihen të gjithë klientët, dhe bankat në këtë drejtim shërbehen me regjistrin e kredive- një modul që funksion në Bankën Qendrore”, thotë Kukleci.

Iliriana Tahiri, menaxhere më marrëdhënie më publikun në Bankën Raiffeisen, pohon se interesimi i klientëve për marrjen e kredive është mjaft i madh, por kjo bankë tashmë është e kujdesshme në kreditim.

Edhe pse në Kosovë ndikimi i krizës ekonomike, nuk është i ngjashëm, si edhe në vendet tjera, pra nuk është një ndikim direkt, ne me kujdes i kemi vëzhguar zhvillimet e fundit në këto vende, edhe si rezultat Raifeisen Bank, në Kosovë, ka filluar të jetë pak më konservative sa i përket kreditimit të korporatave dhe ndërmarrjeve të mesme. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se nuk japim kredi për këto segmente, kreditimi vazhdon edhe më tutje” pohon Tahiri.

Ndërkaq, Virtyt Gacaferi, nga TEB-Banka, shprehet se kjo bankë nuk ka ndryshuar asnjë procedurë për aplikim për marrjen e kredive.

Banka jonë është gjithmonë e kujdesshme në dhënien e kredive. I shikojmë të gjitha trendet ekonomike të cilat janë në Kosovë, ekipi i rrezikut dhe ekipi i kredi-dhënies, të gjithë i shikojnë të gjitha trendet ekonomike dhe në bazë të tyre vendoset a t’i jepet kredia dikujt apo jo”, tha Gacaferi.

Por, ndryshe nga bankat në rajon, sistemi bankar në Kosovë nuk ka lëvizur normat e interesit për kredi. Iliriana Tahiri, thotë se normat e interesit vazhdojnë të mbeten të njëjta më periudhën para krizës financiare globale.

Nuk ka ngritje të normave të interesit. Ju e dini që përcaktimi i normave të interesit varet edhe nga shumë faktorë të tjerë, do të thotë nga qarkullimi i parasë në treg, nga rreziku i vendit ku vepron banka".

"Mirëpo, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje në normat e interesit dhe nuk presim që në të ardhmen e afërt të ndodh diçka e tillë, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit që po ndodhin në tregjet e vendeve të ndryshme” tha Tahiri.

Edhe Virtyt Gacferi, pohon se TEB- Banka, nuk ka rritur kamatat për kredi.

Normat e interesit janë norma të tregut. Do të thotë janë norma të çmimores, të cilat janë publike dhe normat speciale për klientët special. Nuk ka ndonjë lëvizje të normave të interesit”, thotë Gacaferi.

Ndryshe, normat e kamatës për kredi sillen nga 10 deri në 13 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Por, këto norma i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike.

Banka Qendrore nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG