Ndërlidhjet

“Kosova ‘shtet i pakryer’, EULEX-i ‘si UNMIK-u’”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Lidhja Demokratike e Dardanisë ka mbetur pa një nga nënkryetarët e saj dhe pa një deputet në Parlamentin e Kosovës, sepse Berim Ramosaj, nënkryetari i deridjeshëm i kësaj partie, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga partia në të cilën po jepte kontributin e tij politik. Këtë gjë ai e ka bëtë të ditur përmes një konference të mbajtur për media të hënën, ku përmes një shkrese të dërguar LDD-së, ka njoftuar për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga funksionet e partisë në të cilën ka vepruar. Ai ka cilësuar se mungesa e debatit politik dhe demokratik në parti, sjellja egocentrike e kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci, kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë hap...

EPOKA E RE
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar rastin e parë me gripin e derrit. I infektuari është një nëntëvjeçar, i cili ditë më parë ka ardhur nga Londra së bashku me familjen e tij në Kosovë. Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, në një konferencë për medie të hënën, ka thënë se nëntëvjeçari i infektuar me këtë virus është në gjendje të mirë shëndetësore. “Pacienti nuk ka pasur shenja klinike, por si person i kontaktit të një shkolle të dyshuar me virus, i janë marrë mostrat dhe janë dërguar për ekzaminime. Pas këtij ekzaminimi e konfirmojmë rastin e parë të gripit H1N1 në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi...

LAJM
Anëtarët e Komisionit për legjislacion dhe gjyqësi në Kuvendin e Kosovës, si dhe pjesëmarrës në dëgjimin publik i kanë dhënë vërejtjet lidhur me Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë. Në këtë takim, i cili u mbajt të hënën, debati u përqendrua në çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e autoritetit të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe kompetencat e tij. U dakordua që AKK-ja ta ketë autoritetin që ta mbikëqyrë deklarimin e pasurisë deri në një shkallë kur këtë çështje e marrin organet e tjera. Ndërkaq, po ashtu, është propozuar që të rritet edhe numri i zyrtarëve që e kontrollojnë deklarimin e pasurisë...

KOHA DITORE

Kosova, me gjithë shpalljen e pavarësisë, është një “shtet i pakryer”, me sovranitet të kufizuar dhe de facto e ndarë në veriun serb dhe jugun e dominuar nga shqiptarët, ndërsa as UNMIK, por as EULEX-i nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë çfarëdo për të parandaluar ndarjen e vendit. Kështu konkludon një analizë politike e situatës në Kosovë, e publikuar të hënën nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”. Autorët e analizës së titulluar “Kosova pas pavarësisë – a po i përmbush misioni i BE-së, EULEX, premtimet e veta?”, Vedran Xhihiq dhe Helmut Kramer, pohojnë se çdo indikator i rëndësishëm makroekonomik tregon për zhvillime negative në Kosovë, një situatë kjo që është përkeqësuar edhe më tepër nga kriza globale ekonomike, dhe theksojnë problemet: rritja e ulët ekonomike, deficiti tregtar në rritje, dhe nivelet e larta të varfërisë e papunësisë...

INFOPRESS
Raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, nuk janë të tensionuara. Kështu së pak ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Kjo deklaratë e Kuçit pason atë të të ashtuquajturit ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, sipas të cilit po vazhdojnë negociatat në mes të Beogradit dhe EULEX-it për kthimin e gjykatësve në veriun e Mitrovicës. Në deklaratën e tij rreth bisedimeve me EULEX-in për kthimin e gjykatësve në veriun e Mitrovicës, Bogdanoviq nuk ka përjashtuar mundësinë e nënshkrimit të disa protokolleve mes EULEX-it dhe Qeverisë së Beogradit, pa praninë e institucioneve të Kosovës...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës ka siguruar mjetet për fillimin e autostradës Morinë-Merdar. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti këtë si një vendim të rëndësishëm, duke siguruar qytetarët e Kosovës se ndërtimi i autostradës Merdar-Vërmicë do të fillojë të ndërtohet në vjeshtën e këtij viti. “Ky projekt është shumë i rëndësishëm, i cili do ta ndryshojë venin tonë. Për realizimin e projektit kemi përkrahjen edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, është shprehur kryeministri Thaçi. Ai më tej ka vlerësuar lart kontributin e kabinetit qeveritar, por edhe të opozitës në diskutimin dhe miratimin e rishikimit të buxhetit 2009 në Kuvendin e Kosovës, që mundëson fillimin e autostradës Morinë-Merdar...

EXPRESS
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, nëse duan decentralizim të pushtetit. Kusht tjetër, sipas tij, është që decentralizimi të zbatohet edhe në pjesën veriore të Kosovës. “Ne jemi të interesuar që të respektojmë dokumentin e presidentit Ahtisari, por i kemi dy kushte paraprake: kushti i parë është që procesi i decentralizimit të lidhet me bindjen e plotë që do të kemi pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje, ngase nuk do të krijojmë komuna që do të udhëhiqen nga struktura paralele dhe së dyti, që procesi i decentralizimit të jetë i balancuar edhe në pjesën veriore të Kosovës”, tha Kuçi...

ZËRI
Partitë politike kanë ngritur disa shqetësime në lidhje me organizimin, monitorimin dhe vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të ardhshme lokale në Kosovë. Organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 15 nëntorit, si proces të parë zgjedhor që ekskluzivisht drejtohet nga faktori vendor, opozita dhe partitë jashtë parlamentit e shohin me shqetësime dhe mosbesim tek pozita, e cila, si shumicë, ka megjithatë rolin kryesor në organizim. Andaj, krahas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë e opozitës kanë ngritur edhe shumë kërkesa në shërbim të rritjes së transparencës, vëzhgimit e monitorimit. Po ashtu, është kërkuar një rol më i fuqishëm ndërkombëtar në organizimin dhe monitorimin e procesit...
XS
SM
MD
LG