Ndërlidhjet

logo-print

Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmojnë se veç një rasti të prekur nga gripi A-H1N1, nuk ka raste të tjera në vend, për të cilat mund të thuhet se janë prekur me këtë virus. Por, sido që të jetë, ata pohojnë se janë marrë masa shtesë në trajnimin e mjekëve në qendrat e mjekësisë familjare.


Pas konfirmimit të rastit të parë me simptoma të gripit A-H1N1, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ata të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thonë se janë rritur masat e kujdesit dhe të kontrolleve kudo.

Drejtori i Zyrës për marrëdhënie më media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se gjatë ditës së sotme nuk ka asnjë rast të dyshuar, që mund të jetë i prekur nga gripi i derrit.

“Situata epidemiologjike vazhdon të jetë e qetë. IKSHP raporton në baza ditore në Ministrinë e Shëndetësisë për njoftime nga terreni, nëse ka diçka të re apo jo. Sot nuk ka ndonjë rast të ri të dyshuar të gripit H1N1”.

“Ndërkohë që rasti i djeshëm, që është konfirmuar si pozitiv, është trajtuar edhe mbrëmë në Kliniken Infektive dhe, sipas njoftimeve të infektologëve, pacienti është në gjendje shumë të mire”,
tha Hoti.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës pohojnë se gjendja në të cilën ndodhet vendi, nuk kërkon masa të veçanta, veç atyre të kontrolleve të vazhdueshme.

Epidemiologia Isme Humolli, nga IKSHP-ja, thotë se gjendja është nën kontroll.

“Situata në të cilën jemi, nuk kërkon masa specifike. Jemi në vëzhgim të të gjithë situatës në gjithë Kosovën. Sipas informatave që i patëm sot, nuk kemi as rastin e dyshimit më të lehtë për raste të tjera të gripit”, theksoi Humolli.

Sipas zyrtarëve të Institutit të Shëndetësisë Publike, në shumë qendra të mjekësisë familjare po jepen rekomandime të ndryshme për ndihmë eventuale për personat e prekur nga gripi.

Zonja Humolli pohon se gjithçka që ndërmerret në këtë drejtim, bëhet me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Qendra Emergjente në Prishtinë

"Jemi në trajnim me mjekësinë familjare si vija e parë e frontit dhe kështu do të vazhdojmë më tutje punën tonë. Mirëpo, ajo çka është e rëndësishme, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe i përcjellim rekomandimet e saj”.



“Sipas rekomandimeve të tanishme të OBSH-së, ne duhet t’i përcjellim rastet, rastet e lehta me simptomalogji të lehtë; nuk hospitalizohen, por duhet të përcillen komplikimet dhe eventualisht ndonjë rast i vdekjes”,
tha ajo.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se aktualisht kontrollet më të mëdha po bëhen në aeroport dhe në pikat kufitare.

“Monitorimi i hyrje-daljeve në pikat kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ngritja e nivelit të higjienës në institucione shëndetësore, zhvillimi i një fushate për vetëdijesim të qytetarëve, si dhe përdorimi i medikamenteve nëse ka raste, të cilat kanë nevojë për to”, u shpreh Hoti.

Ndryshe, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë kanë siguruar qytetarët se të gjitha institucionet shëndetësore në vend janë të furnizuara me medikamentin Tamiflu.

Ndërsa, siç thonë ata, janë duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që sa më parë të porosisin edhe vaksina kundër virusit H1N1, në mënyrë që në vjeshtë të këtij viti, kohë kjo kur vaksina pritet të dalë në treg, Kosova të sigurojë sasi të mjaftueshme, në përpjekje për të përballuar pandeminë e gripit të derrit. Pritet të porositen rreth 500 mijë vaksina, të cilat do të kushtojnë rreth 6 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG