Ndërlidhjet

Deputetë arabë kërkojnë më shumë lobim nga Prishtina


Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë takimit me delegacionin arab. Prishtine, 29 korrik '09.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë takimit me delegacionin arab. Prishtine, 29 korrik '09.

Një delegacion i përbashkët parlamentar nga Egjipti, Jordania e Iraku, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka inkurajuar diplomacinë kosovare që të lobojë më shumë tek vendet arabe e islamike për njohjen e pavarësisë.


Diplomacia kosovare nuk është treguar shumë aktive në lobimin e saj për njohjen e Kosovës tek vendet e botës arabe e islame, kanë thënë sot në Prishtinë përfaqësues të parlamenteve të Egjiptit, Irakut dhe Jordanisë.

Delegacioni parlamentar nga këto tri vende ka vlerësuar se mungesa e aktivitetit diplomatik të Prishtinës është një prej arsyeve pse Kosova nuk është njohur nga shumë shtete arabe e islamike.

Këto komente, deputetët e këtij delegacioni i kanë bërë pas takimeve që zhvilluan me kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, Komisionin parlamentar për politikë të jashtme dhe Bashkësinë Islame të Kosovës.

Gamal Zahran, deputet në Parlamentin egjiptian, tha se agjenda e Qeverisë egjiptiane ka të bëjë më shumë me çështje të brendshme e rajonale. Kurse, Kosova, sipas tij, nuk ka ardhur ende në agjendë.

“Njohja reale e Kosovës është më e lehtë, sesa njohja zyrtare. Dhe, hapi i parë që duhet të bëjmë, është njohja e pasaportës së Kosovës”, tha deputeti egjiptian, i cili personalisht u zotua se do ta ngrejë çështjen e njohjes së Kosovës në Parlamentin e Egjiptit.

Ndërkaq, Ala Maki Abdul Razak, deputet në Parlamentin irakian, tha se Iraku i njeh pasaportat e Kosovës dhe, sipas tij, kanë qenë problemet e brendshme në Irak që kanë penguar njohjen e Kosovës deri në këtë fazë.

“Gjendja e sigurisë në Irak ka filluar të përmirësohet dhe kjo na mundëson që tash të kemi kontakte dhe të pranojmë delegacione në Bagdad”, tha Razak, duke e siguruar kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, se nëse vendos të shkojë në Bagdad, ai i garanton se asgjë nuk do t’i ndodhë.

Deputeti irakian ka shprehur bindjen e tij se njohja e Kosovës nga Bagdadi mbetet vetëm çështje kohe.

Në këtë delegacion ishte edhe Mohad Abdallah Al Hamad Abu Hdeib nga Komisioni i jashtëm i Parlamentit të Jordanisë, shtet ky që ka njohur Kosovën e pavarur. Por, që të shtohet numri i njohjeve, ai i sugjeroi diplomacisë dhe institucioneve kosovare që të jenë më aktive.

“Besoni se shumë vende arabe nuk e dinë se ç’po ndodh këtu në Kosovë, pasi që ato kanë shumë probleme të brendshme e çështje rajonale. Kështu që ju përket juve të ndërmerrni nisma për t’i informuar këto vende për Kosovën”, tha Abu Hdeib.

Duke iu përgjigjur këtyre kërkesave të deputetëve arabë për më shumë aktivitet diplomatik, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pajtohej se ka mundur të bëhej më shumë.

“Shpresojmë dhe besojmë se ky takim nuk do të mbetet i vetmuar dhe do të ketë takime tjera në të ardhmen për t’u njohur. Ndoshta vonesa e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran ka ardhur edhe si rezultat i kontakteve jo të mjaftueshme dhe mosnjohjes sa duhet i luftës dhe angazhimit të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi”, tha Krasniqi.

Ndryshe, kritika drejtuar diplomacisë kosovare për aktivitet jo të mjaftueshëm tek vendet arabe e islamike në përgjithësi, Qeveria e Kosovës ka marrë edhe nga opozita dhe shoqëria civile.

Por, këtyre kritikave, Ministria e Jashtme dhe kryeministri i Kosovës u janë përgjigjur në vazhdimësi me pohimet se Kosova ka bërë aq sa ka mundur të bëjë çdo shtet i ri. Kosova e pavarur deri më tani është njohur nga 62 vende.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG