Ndërlidhjet

Një strategji për tërheqjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja, e përgatitur nga ekspertë vendorë dhe ekspertë të Bankës Botërore, sipas zyrtarëve të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, pritet të publikohet në shtator të këtij viti. Ata konsiderojnë se me anë të kësaj strategjie do të mundësohet tërheqje më e madhe e investitorëve të huaj në Kosovë.


Sigurimi i mjeteve financiare dhe krijimi i një klime të favorshme për investime të huaja të drejtpërdrejta do të mundësonin një rimëkëmbje ekonomike, vlerësojnë autoritetet vendore.

Kryetari i Agjencisë për Promovime të Investimeve, Mustafë Hasani, shpreh bindjen se me strategjinë që pritet të jetë e gatshme në shtator të këtij viti, do të mund të ketë zhvillime më të mëdha sa u përket investimeve të huaja në Kosovë.

“Është një strategji, e cila po punohet nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ata janë duke shikuar se cilët janë sektorët atraktivë që mund të jenë për investime të huaja, në cilat shtete ne duhet të orientohemi për të tërhequr investitorë të rinj në Kosovë”.

“Të shikohet se sa kemi fuqi punëtore, sa është e lirë, sa është e përgatitur dhe sa mund t’i përshtatet asaj strategjie, e cila është duke u përgatitur”,
thotë zoti Hasani.

Megjithatë, ai pohon se, përkundër mungesës së strategjisë, është punuar në këtë drejtim dhe është mundësuar që në Kosovë të vijnë investitorë seriozë, të cilët do të mund të kontribuonin në zhvillimin ekonomik të vendit.

Edhe analistët për çështje ekonomike janë optimistë se tani, pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, investimet e huaja mund të ndodhin.

Eksperti për çështje ekonomike, Isak Mustafa, thotë se Qeveria e Kosovës është duke u munduar të krijojë kushte për investime të huaja, por kriza ekonomike globale, pohon ai, ishte faktori kyç që zmbrapsi investitorët.

“Duhet të kemi një biznes fillestar në bazë të këtyre investimeve që na kanë munguar deri më tani. Një rol të rëndësishëm, besoj që do ta luajë diaspora, pasi që një pjesë të mjeteve të tyre shpresojmë se do ta investojnë në Kosovë”, shprehet zoti Mustafa.

Ndërkohë, kryeshefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Mustafë Hasani, thotë se Kosova ofron shumë përparësi, përfshirë këtu dhe regjistrimin më të shpejtë të bizneseve nga të gjitha vendet e rajonit.

“Në Parkun e biznesit në Drenas, katër kompani të huaja kanë fituar të drejtën për fillimin e investimeve. Dy kompani janë gjermane, një e Hungarisë dhe një e Austrisë. Po ashtu, tani kemi një interesim edhe më të shtuar të investitorëve pas kësaj faze, që është parë se është një park që mund të jetë atraktiv”.

“Kemi investitorë potencialë nga Turqia, konkretisht një fabrikë për prodhimin e metaleve, dhe disa kompani tjera që me siguri, pas studimit të fizibilitetit që do ta bëjnë, do të jenë ato që do të fitojnë në fazën e dytë”,
thotë zoti Hasani.

Ndërsa, Halil Bislimi, nga kompania “Besa”, investitor në Parkun Industrial në Drenas, shprehet:

“Në bazë të llogarive që kemi bërë, besojmë që do të ketë sukses dhe do të punësohet një numër i madh i punëtorëve. Biznesi jonë do të jetë afatgjatë dhe do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Ndryshe, investimet e huaja në Kosovë, nga autoritet kosovare janë cilësuar si mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të vendit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG