Ndërlidhjet

Siria e rëndësishme për Lindjen e Mesme


Në gjashtë javët e kaluara, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçell, dy herë ka vizituar Sirinë, derisa administrata e presidentit Barak Obama po i intensifikon përpjekjet për ripërtëritjen e procesit të paqes ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.


Pak njerëz argumentojnë se çështja më e madhe që ndan perëndimin dhe botën myslimane është konflikti izraelito-palestinez.

Në këtë aspekt shtrohet pyetja se a është ky shpjegimi për qëndrimin e gjatë të të dërguarit amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçell?

Për këtë çështje, zoti Miçell foli para gazetarëve, pas mbërritjes në Jerusalem nga Damasku.

“Vizioni i presidentit Obama është që të arrihet paqja gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme, përfshirë paqen ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, Sirisë dhe Izraelit, si dhe paqe ndërmjet Izraelit dhe Libanit, duke përfshirë edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Izraelit dhe të gjitha vendeve fqinje në rajon. Ky është objektivi ynë dhe kjo është arsyeja që ne jemi të përkushtuar tërësisht”, tha Miçell.

Kjo ka kuptim sipas Murhaf Xhouejatit, profesor për Lindjen e Mesme në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Siria është faktor kyç në Lindjen e Mesme, për shkak të aleancës së saj me Hezbollahun, Hamasin dhe Iranin.

“Nëse ne dëshirojmë të kemi një lloj nisme diplomatike, një lloj procesi negociator ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve dhe nëse ne ua kthejmë shpinën mospajtimeve Siri-Izrael, atëherë sirianët, me gjasë, do të kenë mundësi ta shkatërrojnë çdo marrëveshje paqësore, e cila nuk i merr parasysh interesat e tyre. Këto interesa janë rikthimi i rrafshnaltës së Golanit, që ishte okupuar nga Izraeli në vitin 1967”, tha Xhouejati.

Nëse shqetësimet e Sirisë janë marrë parasysh, atëherë Damasku mund të jetë bashkëpunues dhe i dobishëm, thotë Xhouejati. Sipas tij, çdo iniciativë për paqe duhet të përfshijë Sirinë.

Dhe, në qoftë se Siria do të nënshkruajë një traktat të paqes me Izraelin, atëherë edhe Libani do ta bënte të njëjtën gjë, kështu që Izraeli do të ishte në paqe me të gjithë fqinjët. Izraeli tashmë ka të nënshkruar marrëveshje të paqes me Egjiptin dhe Jordaninë.

Por, sipas ekspertit Xhouejati, Izraeli duhet të tregojë se është i gatshëm për krijimin e shtetit palestinez, sipas zgjidhjes me dy shtete.

Nga ana tjetër, Marina Otavej, drejtoreshë e programit për Lindjen e Mesme në Institutin Karnegi në Uashington, shprehet më pak optimiste.

Ajo pajtohet se ka mundësi që Siria të bindet që t’i japë fund mbështetjes për Hamasin dhe Hezbollahun dhe se nënshkrimi i një marrëveshjeje paqësore mes Sirisë dhe Izraelit, mund të shtynte edhe Libanin që ta bëjë të njëjtën gjë.

“Shumë njerëz në administratën e Bushit, por edhe më vonë në atë Obama, patën filluar të mendojnë për Sirinë si vendi më i lehtë për të punuar me të. Ata mendonin se nëse nuk mund të ketë negociata reale ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve, atëherë ne mund të kemi negociata ndërmjet Sirisë dhe Izraelit. Mendoj se ky është njëri nga shkaqet e qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Sirisë”, tha Marina Otavej.

Më tutje, ajo thekson se ideja e një traktati të paqes midis Izraelit dhe Sirisë duket e largët, pasi ajo presupozon kthimin e rrafshnaltës së Golanit.

Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, e kishte mbështetur rikthimin e këtij territori të diskutueshëm te Siria, mirëpo kryeministri aktual, Benjamin Netanjahu, e kundërshton një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG