Ndërlidhjet

logo-print

“Sistemi i (pa)drejtësisë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Në Kosovë, institucionet e drejtësisë janë të dështuara. Kjo fjali po përsëritet me vite të tëra në të gjitha raportet e organizatave që e monitorojnë këtë sektor të rëndësishëm të një shteti që pretendon të jetë demokratik. Së fundi, edhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX-i, e ka notuar drejtësinë me notë të dobët. Përveç pengesave që ka pësuar nga UNMIK-u, për nëntë vjet, sistemi i drejtësisë ka qenë i penguar edhe nga institucionet vendëse, duke qenë shpeshherë nën ndikimin politik. Edhe në raportin e parë gjashtëmujor të EULEX-it, gjyqësori kosovar paraqitet i dobët, si dhe i ndikuar nga politika... Edhe pse zyrtarët e gjyqësorit dhe të Qeverisë nuk pranojnë se drejtësia është krejt zi, përfaqësues të opozitës thonë se drejtësia ka dështuar qysh moti dhe është krijuar për të dështuar kësisoj...

KOHA DITORE
Vendet arabe nuk kanë njohuri të mjaftueshme për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe si pasojë qëndrimet e tyre ndaj vendit tonë bazohen kryesisht në paragjykime, është thënë në konferencën “Kosova dhe vendet arabe”, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ku panelistë kanë qenë ligjvënës dhe aktivistë nga Lindja e Mesme. Mospërcjellja e informatave bashkë me njohuritë e kufizuara mes kosovarëve dhe arabëve kanë bërë që komunikimi i ndërsjellë të ketë telashe, dhe si rrjedhojë të reflektojë edhe në procesin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga shtetet arabe. “Shumica e arabëve nuk e njohin Kosovën. Në këtë pikëpamje është përgjegjësia juaj që të kontaktoni me popujt arabë. Çështja e Kosovës te arabët është e errët...”, ka thënë drejtori i qendrës “Al-Quds” në Jordani, Oraib Mohammad Alrtatavi...

INFOPRESS
Edhe pse si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të nëntorit, serbët lokalë të Kosovës kanë vënë përshpejtimin e implementimit të procesit të decentralizimit, institucionet e Kosovës vazhdojnë të thirren në Pakon e Ahtisarit dhe respektimin e saj. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë: implementimi i decentralizimit do të bëhet sipas hapave të paraparë më parë dhe pa ndonjë përshpejtim eventual të këtij procesi. “Është një proces për të cilin përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve mbetet i njëjtë. Brenda kompetencave tona dhe karshi bashkëpunimit e koordinimit me ICO-në do t’i bëjmë të gjitha që janë të parapara edhe me pakon e Ahtisarit”, ka thënë për “Infopress” zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi...

KOSOVA SOT
Pas një debati të ngjeshur, i cili ka zgjatur rreth një orë, në takimin e dytë të punës të Komisionit ad-hok për shqyrtimin e kandidaturave të konkursit të vitit të kaluar për Bordin e RTK-së, komisioni, me shumicë votash, ka vendosur që konkursi të rishpallet për herë të tretë. “Me përjashtim që përfaqësuesja e LDD-së ka abstenuar dhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste ka qenë kundër, të gjithë të tjerët që kanë qenë prezentë e kanë mbështetur këtë propozim, qoftë ata të partive shqiptare, qoftë ata të komuniteteve jo shumicë, edhe të atyre serbë, që të rishpallet konkursi për Bordin e RTK-së dhe të kërkohet që deri më datën 1 tetor të sillen emrat në Komisionin ad-hok prej nga edhe ne do ta bëjmë përzgjedhjen e kandidaturave për t’i dërguar në Kuvend”, tha kryetari i Komisionit, Hajredin Kuçi...

EXPRESS
Rusia, aleati më besnik i Serbisë, nuk ka deponuar komente rreth rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Më 17 korrik, kur ka qenë afati i fundit për dorëzimin e komenteve, Serbinë e kanë “tradhtuar” edhe dy shtete tjera të mëdha, Kina dhe Brazili, të cilat po ashtu nuk kanë deponuar komentet e tyre. Se këto tri shtete kanë abstenuar nga faza e dytë e procesit rreth rastit të Kosovës është bërë e ditur zyrtarisht të mërkurën nga Gjykata e Drejtësisë. Ndryshe, Rusia, Kina dhe Brazili kanë paraqitur deklaratat e tyre në prill dhe është pritur që të paraqesin edhe komente. Në favor të Kosovës komentet i kanë dorëzuar 9 shtete: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda, Sllovenia, Zvicra, Norvegjia dhe Shqipëria. Ndërkaq, në favor të Serbisë janë vetëm katër shtete: Qipro, Argjentina, Bolivia dhe Spanja...

ZËRI
Në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, thotë se certifikimi i subjekteve politike, të cilat kanë pasur gjoba, ende nuk është bërë dhe se do të jetë i kushtëzuar me shlyerjen e gjobave të shqiptuara. Po ashtu, ajo në këtë intervistë flet edhe për një seri çështjesh, si ajo e vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve, pjesëmarrjes së subjekteve politike në to, problemet me të cilat ballafaqohet KQZ-ja, e çështje të tjera. “Kryetarja e KQZ-së është emëruar para më se dy muajve, ndërsa ka pasuar sukcesivisht emërimi i kryeshefit të ekzekutivit dhe drejtoreshës së zyrës për regjistrimin e partive politike. Ne jemi kyçur në punë dhe konsiderojmë se moskompletimi i KQZ-së me kohë nuk do të ketë ndikim negativ në përgatitjen e zgjedhjeve të 15 nëntorit”...

BOTA SOT
Ende pa filluar fushata elektorale për zgjedhjet e 15 nëntorit, partitë politike kanë nisur përgatitjet për t’u prezantuar përpara votuesve të Kosovës. Derisa disa parti tashmë kanë përcaktuar kandidatët e mundshëm për kryetar në disa komuna, partitë tjera janë në përzgjedhjen e emrave dhe në përgatitje të programit elektoral. Por, të gjitha këto përgatitje kanë të bëjnë vetëm me aspektin teknik, pra të hartimit të listave, të emrave të kandidatëve. Është një aspekt tjetër i përgatitjes së partive politike që në esencë është themelor, por që tash për tash asnjë prej partive politike nuk e ka publikuar zyrtarisht. Fjala është për sloganet, premtimet apo “parullat” politike, me të cilat do të bëhet fushata elektorale, apo me anë të të cilave do të joshet elektorati i Kosovës për votim...

EPOKA E RE
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, ka kritikuar edhe një herë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës që për njohje të reja nuk i ka shfrytëzuar disa personalitete të fuqishme ndërkombëtare, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në kohët më të vështira. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka shfrytëzuar shumë personalitete, të cilët kanë qenë të gatshëm të lobojnë për Kosovën, madje emra të mëdhenj si presidenti Ahtisari, ambasadori Uilliam Uoker, sekretarja e shtetit, Medlin Ollbrajt, dhe shumë personalitete tjera ndërkombëtare që kanë shërbyer në Kosovë dhe të cilët kanë qenë pjesë e vendimmarrjes për Kosovën”, ka thënë Gashi. Ai ka folur edhe rreth përcaktimit të ambasadorëve të Republikës së Kosovës...
XS
SM
MD
LG