Ndërlidhjet

Dëmet nga ekonomia joformale


Sado që ka ide, propozime dhe strategji që të zvogëlohet pjesëmarrja e lartë e ekonomisë joformale në Kosovë, ekspertët për çështje ekonomike në Prishtinë thonë se rrethanat ekonomike, sidomos tani në kohën e krizës ekonomike botërore dhe të recesionit ekonomik që ka prekur dhe Kosovën, kanë detyruar shumë biznese të kalojnë në veprimtari joformale, me qëllim që t’i mbijetojnë konkurrencës.

Eksperti për çështje ekonomike, Isa Mulaj, pohon se ekonominë e paligjshme në Kosovë më së shumti e ushtrojnë kompanitë e mëdha.

“Tek ekonomia formale nuk kemi ndonjë vijë të prerë se çka është formale dhe informale. Veprimtaritë më të mëdha informale në Kosovë i udhëheqin pikërisht kompanitë dhe bizneset që formalisht janë të regjistruara, të cilat paguajnë një pjesë të tatimeve, ndërsa një pjesë të madhe e fshehin, duke shfrytëzuar kanale të ndryshme”, thotë zoti Mulaj.

Ai konsideron se mosefikasiteti i gjyqësisë kosovare ndikon në krijimin e një hapësire të favorshme për ekonomi të paligjshme.

“Sipas përllogaritjeve, ekonomia e paligjshme në Kosovë është më e larta në rajon dhe mendohet se është gjysmë për gjysmë me ekonominë formale. Kjo dukuri i shkakton humbje të mëdha buxhetit të Kosovës”, theksoi zoti Mulaj.

Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Muhmet Sadiku, konsideron se për të penguar ekonominë joformale, duhet të funksionojë shteti ligjor. Po ashtu, sipas tij, është e nevojshme të përforcohen gjobat si dhe shërbimet e inspektimeve të ndryshme.

“Në Kosovë nuk kemi hulumtime relevante për këtë fenomen, mirëpo ka trajtime, kanë filluar debate dhe mund të vlerësohet se ekonomia në të zezë në Kosovë sillet rreth 40 për qind, që është mjaft shqetësuese”, thotë zoti Sadiku.

Ai konsideron se Kosova duhet të vijë deri në atë situatë që bizneset jolegale të bëhen më të shtrenjta se bizneset legale. Atëherë, sipas tij, do të mund të pritet një zhvendosje nga ekonomia joformale në ekonominë formale.

“Në këtë sens besoj se do të kenë ndikim edhe ndryshimet fiskale, të cilat janë aktualisht në Kosovë, sepse sa më shumë që të ulen ngarkesat fiskale, ekziston mundësia që një pjesë e ekonomisë informale të kalojë në ekonomi formale”, pohon zoti Sadiku.

Ndërkaq, gjatë zbatimit të një projekti për zvogëlimin ekonomisë joformale, të bërë nga Aleanca Kosovare e Biznesit, është theksuar se shkaktar kryesor i kësaj dukurie është mosfunksionimi i shtetit ligjor.

Projekti, i cili ka pasur për qëllim rishikimin e ligjeve dhe rregullativave ekzistuese që ndikojnë në rritjen apo zvogëlimin e ekonomisë joformale, ka treguar se në Kosovë në të gjitha sektorët ekonomia joformale është në përmasa shqetësuese.
XS
SM
MD
LG