Ndërlidhjet

Lëvdata dhe kritika për lobim


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

MPJ thotë se po lobon për njohje të reja, duke i hedhur poshtë kritikat e opozitës dhe së fundi të një delegacioni parlamentar arab. Por, opozita ende thekson se qeverisë së vendit i mungon një strategji e mirëfilltë për lobim.


Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile për mungesë të aktiviteteve diplomatike për njohje të reja për Kosovën. Së fundi, ajo është kritikuar edhe nga një delegacion i përbashkët parlamentar nga vendet arabe.

Deputetët arabë kanë thënë se diplomacia kosovare nuk është treguar shumë aktive në lobimin e saj për njohjen e Kosovës tek vendet e botës islame.

Por, përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës i hedhin poshtë këto deklarata.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Kujtim Shala, shpreh bindjen që delegacioni arab ka tjetër qëndrim, pas takimit të zhvilluar sot me zyrtarë të diplomacisë kosovare.

“Sot nuk i kishin ato kritika, kanë marrë sqarime për të gjitha ato që kanë kërkuar dhe tani kanë një pamje tjetër. Deri tani kanë pasur vetëm njërën anë të medaljes. Normalisht që kanë parë opinionin e shoqërisë civile, të shtypit dhe opozitës, e jo të institucioneve”, tha Shala.

Zoti Shala pohon se aktualisht është duke u punuar në shumë drejtime për sa i takon mundësisë së njohjeve të reja të Kosovës. Siç thotë ai, Ministria e Punëve të Jashtme po vazhdon procesin e lobimit sipas planit të paraparë dhe strategjisë së saj.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të bëjë as minimumin e punës së saj për njohje, një vit pas pavarësisë.

“Kosova është dashur që deri tani të ketë një plan fillimisht qeverisës dhe së dyti, për aspektin për të cilin po flasim, një plan të prezencës së Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, e jo vetëm të lobimit”.

“Gjithçka është e ndërlidhur edhe me qeverisjen e Kosovës në lobim dhe me prezencën tonë në vende të ndryshme - mungesa e një plani dhe, në fund të fundit, mungesa e inkuadrimit të të gjithë njerëzve të Kosovës në këtë proces shumë të rëndësishëm për Kosovën”,
tha Gjini.

Por, edhe analistët politikë kritikojnë angazhimet e deritanishme të Ministrisë së Jashtme dhe të vetë Qeverisë së Kosovës në planin e lobimit.

Analisti Ramush Tahiri konsideron se Kosovës vazhdon t’i mungojë një strategji e mirëfilltë për njohje të reja.

“Kritikat janë të drejta, sepse nuk ka një program konkret lobimi dhe nuk ka një program konkret ndërtimi edhe të përfaqësive tona prej ku mund të bëhet lobimi, pra në qendrat kryesore. Kjo flet për një mungesë të kapaciteteve të Kosovës në këtë lëmi, sepse rezultati apo njohjet në numër për Kosovën ende janë të vogla, ani që ka kaluar një kohë nga pavarësimi i Kosovës”, vlerësoi Tahiri.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kujtim Shala, thotë se kjo ministri asnjëherë nuk është ndalur në procesin e lobimit për njohje të reja. Sipas tij, aktualisht po punohet intensivisht nga përfaqësitë e Kosovës në shtete të ndryshme.

“Tash për tash mund të flasim për kontaktet, të cilat i zhvillojmë nga këtu dhe nëpërmjet përfaqësive që kemi. Puna më e madhe direkte normalisht që zhvillohet në selinë e Kombeve të Bashkuara”, theksoi Shala.

Pritjet e lidershipit në Kosovë janë që procesi i njohjeve, pas disa vendeve arabe e islamike, të përfshijë edhe vendet e Amerikës Qendrore dhe Latine.
XS
SM
MD
LG