Ndërlidhjet

“Është e qartë se as Serbia, e as serbët nuk do ta pranojnë Planin e Ahtisarit, e as çfarëdo që del nga ai. Pra, s’ka zgjedhje, s’ka decentralizim, s’ka komuna të reja”, thotë sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, çështja e decentralizimit është riaktualizuar, para së gjithash për shkak të kushteve të vëna edhe nga Prishtina, edhe nga serbët lokalë. Ju keni paraqitur një ide tjetër për këtë. Mund ta shpjegoni më tepër?

OLIVER IVANOVIQ
Kjo nuk ka qenë ide imja, kjo është ide e bashkëbiseduesve të mi ndërkombëtarë, të cilët më kanë pyetur se cila është rrugëdalja nga kjo situatë. Është e qartë se as Serbia, e as serbët nuk do ta pranojnë Planin e Ahtisarit, e as çfarëdo që del nga ai. Vetëm ky fakt prodhon konkluzionin se serbët nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Pra, s’ka zgjedhje, s’ka decentralizim, s’ka komuna të reja. Nëse ky është obligim i Qeverisë së Kosovës, ata do të duhej të gjenin formën se si të zbatohet kjo ide.

Unë kam folur në lidhje me atë që të dalë në sipërfaqe ndonjë organizatë neutrale, e cila ka përvojë të mjaftueshme në lidhje me decentralizimin në Kosovë dhe, në të njëjtën kohë, të jetë e pranueshme për të dyja palët, edhe për shqiptarët e Kosovës, edhe për serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju po flisni nga prizmi i një zyrtari të Qeverisë serbe. Por, në Kosovë ka serbë që e duan decentralizimin qoftë edhe me pjesëmarrje në zgjedhje...

OLIVER IVANOVIQ
Unë po flas si një njeri që politikisht është pragmatik. Kjo situatë lehtë mund të na çojë në përfundimin se çka mund të bëjmë në periudhën që është para nesh. Është e qartë se nuk mund të ndryshohet qëndrimi politik i Serbisë as në lidhje me statusin, e as për Planin e Ahtisarit.

Nëse Serbia thotë qartë jo, atëherë asnjë serb nuk do të pranojë. Secili serb që e ndjen veten serb, nuk do të pranojë ndonjë gjë tjetër. Prandaj, ata politikanë të margjinalizuar që mendojnë ndryshe, kanë problem të thjeshtë, sepse nëse do të marrin pjesë në zgjedhje, do të kenë vetëm pak mbështetje politike, do të thotë disa qindra vota.

Pa ndihmën e Serbisë, ata njerëz nuk mund të bëjnë asgjë. Në kuptimin politik janë plotësisht të papërdorshëm. Për këtë arsye mendoj se kjo është një humbje kohe, humbje e energjisë dhe rezultati do të jetë i keq.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë nga presidenti serb, Boris Tadiq, dhe është përsëritur nga Qeveria e Serbisë se nuk ka kushte për pjesëmarrje në zgjedhje. Por, a nuk do të dëmtohen serbët e Kosovës, meqë me pjesëmarrje do të mund t’i fitonin komunat e reja?

OLIVER IVANOVIQ
Zgjedhjet nuk e zgjidhin këtë problem. Po t’i zgjidhnin problemet zgjedhjet, në Ballkan do të kishte shumë më pak probleme. Fatkeqësisht nuk e kemi një situatë të tillë.

Së pari, korniza politike në të cilën paraqitet kërkesa për formimin e komunave të reja, është e atillë që nuk mund të pranohet nga serbët. Ndërsa, paqe në Kosovë, stabilitet në kuptimin politik nuk do të ketë nëse shqiptarët dhe serbët nuk janë të kënaqur.

Do të thotë, kërkojmë një zgjidhje, që aktualisht nuk e prek statusin dhe kjo është formimi i komunave të reja. Por, formimi i komunave të reja duhet të bëhet në një format që është neutral ndaj statusit, sepse deshën ta pranojnë ose jo shqiptarët, nuk ka formë tjetër se si do të merrnin pjesë serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkupton kjo se vetëm pse ka rrjedhur nga Plani i Ahtisarit nuk pranohet ky decentralizim?

OLIVER IVANOVIQ
Asnjë decentralizim që lidhet me Ahtisarin apo me pavarësinë e Kosovës, nuk pranohet. Kjo nuk do të ndodhë, sepse do ta përjetonim si një kurth, si një mashtrim që dikush të na japë komunat e reja në shkëmbim të pranimit të pavarësisë. Kjo nuk pranohet, kjo thjesht nuk do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë, jeni për formë të njëjtë të decentralizimit, por jo që kjo të rrjedhë nga Ahtisari?

OLIVER IVANOVIQ
Pak a shumë, kjo do të ishte mundësia që të rishqyrtohet i tërë dokumenti dhe që ndonjë organizatë e re ekspertësh ta rishqyrtojë, ndoshta edhe të ndryshojë diçka që do të rriste funksionalitetin dhe pas kësaj të pranohej nga të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështje tjetër që ka nxitur debat kohëve të fundit janë bisedimet mes EULEX-it dhe Beogradit. Ka pasur kritika për një mostransparencë. Për çka në fakt bëhet fjalë?

OLIVER IVANOVIQ
Bisedimet janë në fillimin e tyre. Që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë ka qenë e sigurt se do të ketë probleme dhe se Serbia nuk do ta pranojë këtë pavarësi.

Kur Serbia thotë se nuk e pranon, besoni se këtë edhe e mendon dhe kjo nënkupton se dokumentet ndërkombëtare të pranueshme do të jenë vetëm ato që kanë vulën e UNMIK-ut. Nëse nuk kanë, janë dokumente të papranueshme.

Në këtë kuptim kemi probleme me daljen apo kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës, me ndërprerjen e plotë të komunikimit në sistemin e drejtësisë dhe problemet që kemi në lidhje me hyrjen e mallrave përmes linjave administrative.

Domethënë, doganat, policia dhe drejtësia janë fushat ku EULEX-i ka mision monitorues, por edhe funksione ekzekutive. Këtu duhet gjetur zgjidhja e problemit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, ka kërkuar negociata të reja, ndërsa homologu i tij kosovar, Skënder Hyseni, e quan këtë çështje të mbyllur. Si e shihni ju zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Do të ketë bisedime. Statusi i Kosovës, cilido që të jetë ai, nuk mund të jetë përfundimtar nëse me të nuk pajtohet Serbia, sepse ky fakt, nëse nuk pajtohet Serbia, paraqet kundërshtim të së drejtës ndërkombëtare dhe nxit shqetësime në tërë botën.

Edhe pse shqiptarët nuk pajtohen, e tërë bota është e shqetësuar, sepse shembuj të tillë janë paraqitur gjithkund në botë pas shpalljes së pavarësisë dhe të gjitha lëvizjet separatiste thirren në precedentin e Kosovës.

Nëse duam të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme, duhet të ulemi në tryezë të bisedimeve. Kur do të ndodhë kjo, do të varet nga të dyja palët.

Askush nuk mund t’i nxisë me dhunë shqiptarët që të ulen në tryezë, ashtu sikurse nuk mund të nxiten serbët që të pranojnë pavarësinë apo ndonjë status tjetër. Pra, duhet të takohemi dhe të gjejmë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG