Ndërlidhjet

Konfirmohet rasti i dytë me grip të derrit


Qendra Emergjente në Prishtinë
Qendra Emergjente në Prishtinë

Në Kosovë është konfirmuar edhe rasti i dytë i gripit të derrit. Sipas autoriteteve shëndetësore, pacienti është një 17 vjeçar, i cili ka ardhur nga Irlanda në Kosovë. Autoritetet konsiderojnë se nuk ka nevojë për panik, edhe pse paralajmërojnë rritje të numrit të personave të prekur me virusin A/H1N1.


Autoritetet shëndetësore në Prishtinë kanë konfirmuar sot edhe rastin e dytë të një personi të infektuar me virusin A/H1N1.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë, thotë se bëhet fjalë për një person 17 vjeçar, që ka ardhur nga Irlanda në Kosovë. Por, gjendja shëndetësore e këtij të fundit, sipas Ramadanit, është e mirë.

“Deri tash ne kemi raportuar për gjashtë raste të gripit, prej të cilave dy janë konfirmuar pozitive dhe dy të tjera janë në observim. I dyti është konfirmuar dje. Personi është nga Irlanda, mosha 17 vjeçare, shqiptar. Këtë rast e ka detektuar sistemi i mbikëqyrjes së Kosovës, përmes Institutit Kombëtar dhe Klinikës Infektive”, tha Ramadani.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, edhe një herë ka theksuar se gjendja në Kosovë është nën kontroll dhe se nuk ka nevojë për panik. Ai pohoi se institucionet shëndetësore kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e pacientëve të prekur nga ky virus.

Por, megjithatë, ministri Gashi tha se edhe në Kosovë pritet të ketë rritje të numrit të personave të prekur nga ky grip.

“E ripërsëris se situata është nën kontroll të plotë dhe ne jemi të përgatitur që nëse ky grip, si çdo grip tjetër, në çdo vit tjetër, ka numër edhe më të madh, ne jemi në gjendje që situatën ta mbajmë nën kontroll, edhe me njerëz, edhe me barna dhe me të gjitha çka nevojiten për këtë”.

“Nuk ka dyshim se numri i personave me grip, ashtu si në vendet tjera, edhe në vendin tonë, të rritet, por ne do t’i dalim ballë
”, theksoi ministri Gashi.

Ai po ashtu pohoi se Qeveria e Kosovës ka siguruar doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu për këtë fazë epidemiologjike.

Sipas Gashit, Kosova është vendi që ka siguruar më së shumti preparate adekuate për trajtimin e pacientëve nga ky virus.

“Nga drejtori i Klinikës Infektive, si niveli më i lartë profesional i infektologjisë në vendin tonë, dëgjohet për një koordinim të mirë me të gjithë infektologët e vendit, me pajisje të nevojshme, me hapësirë të nevojshme dhe me terapi komplete për të gjitha nivelet klinike lidhur me këtë sëmundje. Si vend, e ripërsëris se kemi doza të mjaftueshme për një numër të madh të pacientëve”, theksoi ministri Gashi.

Rasti i parë i këtij virusi në Kosovë është paraqitur këtë javë, tek një fëmijë 9 vjeçar, i cili kishte ardhur për pushime nga Londra.
XS
SM
MD
LG