Ndërlidhjet

Prishtina pa vendim rreth zgjedhjeve serbe


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Beogradi ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për institucionet paralele serbe, për Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës. Qeveria e Kosovës thotë se ende nuk ka vendim se si do të sillet ndaj këtyre paralajmërimeve.


Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë vendim të prerë se si do të sillet në rastin e paralajmërimit të Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në dy komuna të Kosovës, më 16 gusht.

Zëdhënësi Memli Krasniqi tha se Qeveria do të marrë një vendim adekuat rreth këtyre zgjedhjeve të paralajmëruara në momentin më të përshtatshëm. Ndërkohë, partitë politike konsiderojnë se Beogradi nuk ka kurrfarë mandati që të organizojë zgjedhje të lira në territorin e Kosovës, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se askush nuk ka autoritet që të ndërhyjë në Kosovë dhe të menaxhojë apo organizojë procese zgjedhore.

Andaj, ai pret nga qeveria dhe institucionet e pranisë ndërkombëtare që të reagojnë dhe mos të lejojnë mbajtjen e tyre. Haziri thotë se institucionet paralele në Kosovë duhet të shkrihen përgjithmonë, kurse komuniteti serb të integrohet në kuadër të sistemit legal të Republikës së Kosovës.

Strukturat paralele në Kosovë, të cilitdo vend qofshin, cilësdo parti, duhet të shpërbëhen në tërësi, duhet të shkrihen, duhet të eliminohen, sepse nuk i ndihmojnë procesit, e aq më shumë që shteti serb, fqinji verior i Kosovës, po vazhdon të sjellë në Kosovë probleme të tilla. Kosova ka kapacitete mos t’i lejojë”, tha Haziri.

Një qëndrim edhe më të ashpër kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë e mban Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se lejimi eventual i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve nënkupton lejim të shkeljes në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Këto zgjedhje shkelin sovranitetin e Kosovës, janë në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat në Kosovë. Janë në kundërshtim me jetën demokratike në Kosovë dhe institucionet e vendit e kanë për obligim që të reagojnë, në mënyrë që të mos lejojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve ilegale, qofshin të parakohshme apo të rregullta”, u shpreh Ramadani.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se autoritetet në Beograd kanë konstatuar se për Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës duhet organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që është vërejtur se këto komuna nuk po funksionojnë.

Për Prishtinën, Beogradi parasheh të mbajë zgjedhje në Graçanicë, vendbanim ky i populluar me shumicë serbe, kurse për Pejën në Gorazhdec.

Dragan Veliq nuk pajtohet me institucionet e Kosovës se këto zgjedhje do të prodhonin struktura paralele.

Nuk pajtohem që këto janë struktura paralele. Sigurisht që zgjedhje të tilla duhet të mbahen. Institucionet formohen që t’u dalin në ndihmë qytetarëve serbë në realizimin e të drejtave të tyre”, tha Veliq.

Ndërkohë, mungesa e qëndrimit të qartë të Qeverisë së Kosovës mendohet se mund të jetë e ndërlidhur me konsultimet shtesë që u duhen autoriteteve vendase me ato ndërkombëtare.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pret që autoritetet ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë, kësaj radhe të mos lejojnë ndërhyrjen e Serbisë dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Kosova i ka ftuar dhe i ka brenda shtetit të vet dy institucione evropiane me mandat të plotë, që në raste të tilla ato duhet ta ushtrojnë mandatin. Është ICO, e cila ka dy kapela të komunitetit ndërkombëtar, dhe të BE-së, por edhe forcat e sigurisë që garantojnë që të tjerët nuk mund të ndërhyjnë, sepse NATO nuk është në Kosovë që të na ruajë ne nga pretendimet territoriale dhe agresioni i mundshëm i vendeve tjera”, deklaroi Haziri.

Sidoqoftë, Serbia edhe në të kaluarën ka organizuar zgjedhje në Kosovë, përkundër kundërshtimeve të autoriteteve kosovare, përderisa prania ndërkombëtare në vazhdimësi është deklaruar se nuk i organizon, por as nuk i pengon zgjedhjet e tilla.

Kësaj radhe bëhet fjalë për zgjedhje të jashtëzakonshme, që Beogradi parasheh për dy komuna në Kosovë. Me mbështetjen e Beogradit, serbët lokalë kanë organizuar institucione paralele, siç është ai i Kuvendit të komunave serbe të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG