Ndërlidhjet

Misteri i fatit të të pagjeturve


Fotografitë e të pagjeturve, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.
Fotografitë e të pagjeturve, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Zbardhja e fatit të disa të të pagjeturve mund të mos ndodhë asnjëherë. Ky konkludim ka dalë nga një takim i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.






Fati i disa personave të pagjetur vështirë se do të dihet ndonjëherë, pasi disa prej kufomave janë djegur në furrnalta. Kështu ka deklaruar sot Pajazit Nushi, anëtar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, duke e konsideruar si shumë të ndjeshme çështjen e të pagjeturve.

“Nuk jam fort i sigurt, një numër shumë i madh i rasteve të të zhdukurve kurrë nuk do të gjenden, nuk do të ketë mundësi të zbulohen”, u shpreh Nushi.

Komisioni ka shqyrtuar ecurinë e procesit të zgjidhjes së problemit të të pagjeturve. Anëtarët e komisionit kanë deklaruar se janë duke u bërë përpjekje maksimale që fati i 1,907 personave të pagjetur të dihet sa më parë.

Kryetari i këtij komisioni, Prenk Gjetaj, pohon se vështirësi më e madhe në këtë drejtim është mungesa e informacioneve.

“Derisa ekziston numri i personave të pagjetur, duhet të ekzistojë edhe angazhimi për identifikimin e tyre. Mirëpo, ne kemi edhe probleme të natyrës që vërtet janë të njohura, si mungesa e të dhënave dhe informacioneve për fatin e shumë personave të pagjetur”.

“Madje, dyshohet se ka pasur edhe asgjësime, dyshime janë këto, prandaj për këtë edhe kemi shtruar biseda në mes të delegacioneve”,
tha Gjetaj.

Në këtë takim, pakënaqësi të shumta kanë shfaqur të afërmit e personave të pagjetur, duke thënë se institucionet e Kosovës nuk po bëjnë sa duhet për këtë çështje.

Sheremet Ademi, familjar i njërit prej të pagjeturve, konsideron se Qeveria e Kosovës në këtë drejtim është duke vendnumëruar.

“Ju lutem, tregojnë rezultatet dhe ato mund të jenë treguesi më i mirë se sa është e përkushtuar qeveria, sa janë të përkushtuara institucionet tona rreth kësaj çështjeje. Vetë fakti i numrit të identifikimeve tregon se sa janë të interesuar, vetë gjendja në morgun e Prishtinës tregon për këtë”.

“Vetë gjendja e rrobave që mirëmbahen, mendoj se është dëshmia më e fuqishme se sa është e angazhuar dhe sa është e sinqertë qeveria jonë dhe institucionet tjera. Shumë herë familjarët kanë të drejtë të jenë të shqetësuar dhe me arsye dhe bindje të plotë për të humbur besimin në institucionet tona”,
tha Ademi.

Me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar janë duke vazhduar bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit për personat e zhdukur. Por, sipas kryesuesit të delegacionit, Pajazit Nushi, informacionet kanë qenë të përgjysmuara.

“Shumë informacione kanë qenë informacione të pjesshme, shumë informacione, ata nuk kanë mundur t’i marrin prej nesh”, deklaroi Nushi.

Kanë kaluar 10 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende nuk është zbardhur fati i rreth 1,900 personave. Familjarët kërkojnë trysni më të madhe ndaj Beogradit nga faktori ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG