Ndërlidhjet

Berisha: Do procedojmë me reforma të mëdha


Sali Berisha

Sali Berisha

“Pavarësisht nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, unë e garantoj opozitën se do të bëj çdo përpjekje që të procedojmë së bashku për reforma të mëdha, që nevojiten për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti kryeministër, zgjedhjet kanë përfunduar. Tashmë është e qartë që Partia Demokratike është fituese e këtyre zgjedhjeve, do të duhet të formojë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, për shkak edhe të një marrëveshjeje paraprake. Por, si do ta gjejë veten, le të themi, Qeveria e re, Kuvendi i ri, kur kemi një opozitë, e cila thotë se do të hyjë në Kuvend, por, megjithatë, do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme?

SALI BERISHA
Unë, në radhë të parë, dua të shpreh vlerësimin që opozita u tërhoq nga bojkoti i Parlamentit, sepse ky do të ishte një veprim jashtëzakonisht absurd.

Këto zgjedhje u zhvilluan në prani të numrit më të madh të vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe nuk besoj të ketë një qytetar të këtij vendi që të mos pranojë se këto zgjedhje ishin më të mirat që vendi ka njohur ndonjëherë.

Mund të them vetëm faktin e fundit, që çdo mandat i këtyre zgjedhjeve është votuar 7 me 0 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra nga të gjithë komisionerët, pavarësisht nga propozimet partiake që ata janë në komision.

Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është një kërkesë native do të thosha, e natyrshme për opozitën. Çdo opozitë ka një dëshirë - që ditën e parë që instalohet në Parlament, mendon se si mund të realizojë zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme realizohen në sistemet demokratike nëpërmjet mocioneve; opozita do të përdorë mocionin dhe kjo është në të drejtën e saj.

Gradualisht do ta kuptojë që provokimi i zgjedhjeve të parakohshme është një pamundësi, në një mënyrë, në rrafshin kushtetues, pasi që, siç dihet, Kushtetuta sigurisht që ka Parlamentin, institucionin më kryesor të vendit, por edhe kryeministrit i ka dhënë mbrojtjen e nevojshme që të mund të qeverisë.

Në këtë kontekst, kjo mbetet një aspiratë për opozitën, por unë mbetem i hapur që të bashkëpunoj me opozitën. Pavarësisht nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, unë e garantoj opozitën se do të bëj çdo përpjekje që të procedojmë së bashku për reforma të mëdha, që nevojiten për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë që zgjedhjet ishin me standarde, megjithatë Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, dhe vetë Partia Socialiste vijon të këmbëngulë se procesi kishte parregullsi të mëdha, që e ka ndikuar në njëfarë mënyre rezultatin...

SALI BERISHA
Unë mund të them këtë, që Edi Rama nuk ishte i zoti të paraqesë as provën më të vogël për parregullsi që kanë ndikuar në rezultat.

Le të marrin Beratin, që ai u ra burive. Të gjitha procesverbalet e Beratit, të gjitha tabelat e rezultateve të Beratit, qytet që qeveriset tërësisht nga socialistët, të gjitha tabelat e rezultateve dhe procesverbalet e Tiranës, të gjitha tabelat e rezultateve dhe procesverbalet e Shkodrës kanë firmën e të gjithë komisionerëve socialistë në qendrat e numërimit dhe në qendrat e votimit. Pra, nuk ka as edhe një vërejtje të vetme.

Së dyti, zoti Edi Rama duhet të bëhet i sinqertë. I sinqertë në ç’kuptim? Ai ka marrë të gjithë filmin, filmimet e numërimit të votave në Berat, i ka kontrolluar me ditë të tëra dhe nuk ka gjetur as defektin më të vogël.

Do të thoni ju se nga i di unë këto? I di, sepse janë dokumente që i është dhënë filmi. Di, nga ana tjetër, se sikur problematika më e vogël të ekzistonte në numërim, Edi Rama do t’ia paraqiste ato filmime si provë materiale trupit gjykues, do t’ia paraqiste ato numërime defektuoze si provë materiale Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Dhe në fakt, ai, ndonëse mbushi faqe të tëra me llafe boshe, prova materiale nuk paraqiti, as dhe një të vetme.

Së fundi, pasi përfundoi gjykimi, për Beratin votuan 7 me 0, votuan të gjithë komisionerët socialistë për shpërndarjen e mandateve. Po kështu votuan për Shkodrën, po kështu votuan për Tiranën.

Pra, ankimet, pa i substancuar, pa i bërë të qenësishme, natyrisht nuk mund të merren për bazë. Unë e kuptoj sindromën e pikëllimit që të krijon humbja, por nuk ka as hidhërim, as gëzim të përjetshëm, janë të përkohshëm, kalojnë këto dhe gjithçka normalizohet.

E vërteta është që këtë garë jashtëzakonisht të bukur, kjo mazhorancë e fitoi, sepse fitoi taktika e saj, fitoi koalicioni. Unë ia dola të bashkoj rreth vetes 17 forca politike, ai bashkoi rreth vetes 4 forca politike. Mësimi është mësim.

Unë këtë konkluzion e nxora nga zgjedhjet e 2005-ës, sepse ky ishte mekanizmi i fitimit; këtë e aplikova në zgjedhjet e 2009-ës, do ta zgjeroj në zgjedhjet e 2013-ës. Andaj, zoti Rama nuk ka pse të qahet.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, këtë vlerësim pozitiv që ju keni për zgjedhjet, a prisni që ta reflektojë në njëfarë mënyre edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODIR-it, duke pasur parasysh se vëmendja në raport do të përqendrohet tek procesi i numërimit, që duhet thënë se zgjati plot një javë?

SALI BERISHA
Se çfarë do të thotë raporti, ajo është në tagrin e tyre. Unë nuk mund të paragjykoj, as të ndërhyj. Është e vërtetë që zgjati, por është e vërtetë që këto zgjedhje u certifikuan në kohën më të shkurtër se të gjitha zgjedhjet që Shqipëria ka zhvilluar deri më sot.

Në vitin 2005 jemi dëshmitarë që zgjedhjet janë certifikuar në fund të gushtit. Por, ka pasur zgjedhje tjera, zgjedhjet lokale dhe të tjera, certifikimi i të cilave ka zgjatur dhe tre muaj.

Natyrisht, në gjithë këtë proces, rëndësi kryesore ka se a u zbatua ligji apo jo, a është shkelur ligji elektoral apo jo. Ligji elektoral nuk është zbatuar në një pikë, sepse parashikonte përfundimin e numërimit ditën e hënë, pas së dielës së votimit, në ora shtatë të darkës. Ishte parashikim tërësisht i gabuar. Pse?

Nuk ishte llogaritur që 1,550,000 fletë votimi duhet të vendoseshin secila mbi skaner, mbi kamerë, për t’u projektuar në ekran, e cila kërkonte një veprim të paktën 15 sekonda për fletë. Pra, kërkonte një veprim që dyfishonte kohën e shikimit të fletës dhe kjo ishte arsyeja që nuk përfunduan dot në orën shtatë pasdite - çka do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme duhet të dyfishohen qendrat e numërimit të votave.

Ka pasur disa tensione në Bushat, në Fier, në Kurbin, të cilat i zgjodhi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Unë mendoj se qytetarët shqiptarë votuan të lirë, pa asnjë lloj trysnie në qendrat e votimit. Unë mendoj se votat e tyre janë numëruar me korrektësi dhe cilido që dyshon në korrektësinë e këtij procesi, është i ftuar të shkojë të marrë filmin, siç e mori zoti Rama dhe t’i rinumërojë. Po ta bëjë këtë, do të gjejë se numërimi ka qenë korrekt.

Natyrisht se standardet janë një problem, që edhe në vendet më të zhvilluara nuk është se arrijnë përsosmërinë, duhet gjithmonë kujdes për to që të përsosen. Unë nuk them se ishin të përsosura standardet, them se ka vend për t’u përmirësuar dhe do të përmirësohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, po i rikthehem edhe një herë qeverisjes së re. Është një pyetje që në fakt ju është bërë disa herë kohët e fundit, sidomos pas asaj që konfirmoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike. A ndiheni i qetë me Lëvizjen Socialiste për Integrim brenda Qeverisë?

SALI BERISHA
Plotësisht i qetë. Unë ndihem plotësisht i qetë. Pse? Së pari, ky koalicion vjen nga një diktim që bën verdikti i sovranit. Partia Demokratike fitoi 70 mandate, por të jeni të sigurt që edhe po të ishin 72 dhe 73 mandate, e njëjta skemë do të zbatohej. Pra, votoi për një koalicion.

Në këtë rast, mundësitë e koalicionit, në spektrin e partive parlamentare, ishin dy: me Partinë Socialiste dhe vendi do të mbetej me katër deputetë në opozitë, me LSI-në dhe vendi mbetet me një opozitë të fuqishme dhe mbetet me një Qeveri funksionuese, me një mazhorancë bindëse dhe ky është interesi më i mirë.

Pra, në vendime të tilla të diktuara nga shëmbëlltyra e rezultatit elektoral, absolutisht nuk mund të kem as zemërthyerjen më të vogël.

Unë garantoj këtu që sikur të kishte ndodhur që të mos ekzistonte LSI-ja dhe të kishte vetëm dy parti, me këto rezultate, unë do të bëja koalicion me Partinë Socialiste, se nuk mund të shkohej në zgjedhje.

Nuk ekziston koncepti të ripërsërisim zgjedhjet, sepse nuk mora të gjitha mandatet që më duhen për të qeverisur, në një kohë kur qytetarët votuan në këtë mënyrë.

Andaj, pres me shumë interes krijimin e Qeverisë së re dhe një Qeveri që ka për mision kryesor përgatitjen e vendit për integrim në Bashkimin Evropian, që ka mision kryesor punësimin, trajtimin e një sërë problemesh sociale që mundojnë vendin.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër, a është e vërtetë se me Lëvizjen Socialiste për Integrim keni bërë një marrëveshje, le të themi paraprake, për të ndryshuar kodin zgjedhor për sa i takon komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, për të parashikuar ndoshta një komisioner të LSI-së në këto komisione apo ndoshta te depolitizimi i komisioneve?

SALI BERISHA
Është plotësisht e vërtetë që jam në favor të ndryshimit të kodit zgjedhor dhe dhënies së një komisioneri forcës së tretë politike të vendit. Por, jo tani që unë jam në koalicion, këtë qëllim e kam pasur edhe kur ata kanë qenë kundërshtarët e mi dhe këtë qëllim e kam bërë publik.

Rastisi që unë, nëpërmjet ndërmjetësit tim, me të cilin merresha vesh me Edi Ramën, i kam sugjeruar zotit Rama me dhjetëra e dhjetëra herë që të mos përjashtohet LSI-ja, sepse për çdo shqiptar ajo ishte forca e tretë politike.

U detyrova të dal publikisht kur deputetët hynë në grevë urie dhe deklarova se votat e mia janë të gjitha në dispozicion për të bërë ndryshime në kod, në mënyrë që zotit Meta t’i jepej komisioneri.

Atëherë, këtë qëndrim që kam mbajtur para zgjedhjeve, e kam konstant edhe pas zgjedhjeve, dhe ne do të luftojmë që të mbajmë 84 vota, të ndryshojmë kodin në interesin më të mirë të stabilitetit të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
E di që do të më thoni zoti kryeministër se në javën e dytë do të fillojnë negocimet për kabinetin e ri dhe çfarë do të marrë Lëvizja Socialiste për Integrim apo aleatët e tjerë në bashkëqeverisje me ju, por, megjithatë, a keni krijuar një ide paraprake?

SALI BERISHA
Domethënë, negociatat do të fillojnë dhjetëditëshin e fundit të gushtit. 20 ditë kjo Qeveri do të ketë shansin të vazhdojë me shpejtësi me reformat, vendimet dhe programin e Shqipërisë evropiane.

Meqenëse Kushtetua nuk lejon instituimin e Qeverisë së re para dhjetëditëshit të parë të shtatorit, fundi i javës së parë apo fillimi i javës së dytë, atëherë detyrimisht duhet që kjo Qeveri dhe kjo administratë të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe t’i përmbushin detyrimet qeverisëse të përditshme, por edhe ato afatgjata, përderisa janë në kabinet.

Kështu që deri në dhjetëditëshin e tretë të gushtit, unë nuk çel negociata; gjatë dhjetëditëshit të fundit do të fillojnë negociatat jo vetëm me LSI-në, por mos harroni se unë kam fituar me një koalicion të gjerë dhe unë do t’i qëndroj loajal koalicionit, do të diskutoj me partnerët e mi për të ndarë edhe me ta pushtetin sigurisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, një nga prioritetet e Qeverisë suaj, e deklaruar tashmë edhe gjatë fushatës zgjedhore, është çështja e liberalizimit të regjimit të vizave. Ju e keni thënë tashmë se kjo do të ndodhë në vitin e parë të këtij mandati të ri. Ku e mbështesni këtë besim, duke pasur parasysh se ka një vendim tashmë të Komisionit Evropian për të liberalizuar vetëm për disa vende të Ballkanit Perëndimor?

SALI BERISHA
Unë mbështes këtë para së gjithash në vendosmërinë time dhe të Qeverisë sime për t’i përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i liberalizimit të vizave në Bashkimin Evropian, për të bërë një punë shumë serioze dhe për t’i përmbushur ato me seriozitetin më të madh dhe me sigurinë më të madhe.

Unë mendoj se po punohet intensivisht dhe në mënyrë transparente për përmbushjen e tyre.

Jam i bindur se Shqipëria, për shkak të mungesës së pasaportave biometrike dhe disa detyrave të lëna nga grupi i ekspertëve të Komisionit Evropian, që erdhi dhe preku në vend gjithçka, do të mund t’i plotësojë këto dhe pas plotësimit të tyre, kam siguri të plotë se do të vendoset për liberalizimin e vizave edhe për Shqipërinë, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ishte në fakt vendimi i Komisionit Evropian, le të themi një lloj penaliteti, që i bëri disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku futet dhe Shqipëria, duke pasur parasysh që Shqipëria dhe vendet tjera janë ndër mbështetësit më entuziastë të integrimit në Bashkimin Evropian?

SALI BERISHA
Unë, personalisht, këtë proces e shoh deri tani të ecë sipas parashikimeve. Ky ka qenë dhe e kemi bërë publik, këtu ka ardhur zoti Baro, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, dhe komisioneri për drejtësinë, sigurinë në Komisionin Evropian.

Dhe, në rast se ju kujtohet, deklaratat publike që i kemi bërë në konferencë shtypi, kanë qenë të kësaj natyre, të kësaj fryme, që Shqipëria po vlerësohet, do të vlerësohet, do bëhen zgjedhjet. Unë e shoh që procesi ecën sipas një parashikimi që është bërë.

RADIO EVROPA E LIRË
E thatë në fund të mandatit, e deklaruat që do të shkoni në Kosovë. Do të shkoni në Kosovë në këtë mandat të ri zoti kryeministër dhe kur mund të ndodhë kjo vizitë?

SALI BERISHA
Do të shkoj në Kosovë gjatë këtij mandati disa herë. Do të shkoj zyrtarisht, do të shkoj dhe privatisht, sepse dua të shkoj në të dyja mënyrat.

Do të shkoj në vizitë zyrtare, do të përpiqem të shkoj edhe me pushime, sepse ka vende të mrekullueshme dhe unë dihet që preferoj vendet malore para brigjeve të detit. Kështu që kam vendosur të shkoj në të dyja mënyrat. Do të shkoj sa më shpejt. Të krijohet Qeveria dhe do të shkoj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG