Ndërlidhjet

KQZ ende pa vendim për kamerat


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Partitë politike në Kosovë i shtojnë kërkesat e tyre për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime dhe vendnumërime të votave gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit. Por, KQZ thotë se ende nuk ka marrë vendim lidhur me këto kërkesa.




Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shqyrtuar, por nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me kërkesën e disa partive politike për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime dhe vendnumërime të votave, gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit.

KQZ, përmes Komisionit për buxhet, është duke i shqyrtuar implikimet buxhetore që do të kishte aprovimi i kësaj kërkese. Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, tha se kërkesa për kamerat do të shqyrtohet edhe ditëve në vijim, deri në marrjen e një vendimi.

“Komisioni për buxhet është takuar dhe e ka analizuar këtë rekomandim të KQZ-së dhe në të ardhmen, në bazë të analizave dhe perceptimeve të veta, ky komision do të bëjë një vlerësim të vetin dhe do t’ia rekomandojë KQZ-së. Kurse, vetë KQZ, ditëve në vijim, në mbledhjet e ardhshme do ta shqyrtojë këtë çështje”, tha Ajvazi.

Ndërkohë, deri tash, të gjitha partitë relevante politike, përveç subjektit më të madh parlamentar, Partisë Demokratike të Kosovës, e cila nuk është deklaruar, e kanë mbështetur nismën e Aleancës Kosova e Re dhe partive të tjera, që vendvotimet dhe vendnumërimet e votave të monitorohen përmes kamerave.

Së fundi, kërkesa është mbështetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo në koalicionin qeverisës. Nënkryetari i saj, Lutfi Haziri, thotë se pajisja me këtë teknologji gjatë zgjedhjeve është e përballueshme për buxhetin e Kosovës.

“E mbështesim qëndrimin, kërkesën e partive politike, që të gjitha vendvotimet dhe komisionet komunale të jenë të pajisura me teknologji informative, që përfshin edhe kamerat në të gjitha vendvotimet, në mënyrë që ky proces të bëhet transparent për qytetarët. Ne besojmë që pas rishikimit buxhetor, ka kapacitete financiare buxhetore Qeveria që ta mbështesë këtë kërkesë”, theksoi Haziri.

Në mungesë të një monitorimi të qartë ndërkombëtar, vendosja e kamerave vlerësohet si esenciale për mbarëvajtjen dhe transparencën e gjithë procesit zgjedhor.

Lidhja Demokratike e Dardanisë, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Lulëzim Zeneli, konsideron se KQZ-ja duhet të vendosë pro vendosjes së kamerave, për t’i shmangur parregullsitë eventuale gjatë zgjedhjeve dhe numërimit të votave.

“Duke pasur për fakt argumentet nga proceset e kaluara zgjedhore, konsiderojmë se monitorimi përmes kamerave do të krijonte një pasqyrë të qartë dhe transparencë të plotë në këtë proces zgjedhor. Ne, deri tash, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje dhe besojmë se kërkesa jonë, bashkë me shumicën e partive opozitare, do të hasë në mirëkuptim nga ana e KQZ-së”, tha Zeneli.

Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, kërkesën e tyre për kamerat e mbështesin edhe në shumë parregullsi, që, sipas tyre, janë evidentuar në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007, kur 30 mijë vota të qytetarëve të Kosovës ishin shpallur të pavlefshme.

Kjo, sipas tyre, ishte pasojë e parregullsive gjatë numërimit të votave dhe jo pasojë e votimeve të pavlefshme nga ana e votuesve.

Andaj, shumica e subjekteve politike pret që KQZ t’i rekomandojë Qeverisë së Kosovës ndarjen e mjeteve shtesë buxhetore për pajisjen me kamera dhe teknologji tjetër të domosdoshme, në shërbim të rritjes së transparencës gjatë gjithë procesit të votimit dhe numërimit të votave.
XS
SM
MD
LG