Ndërlidhjet

Ende pa vija kufitare me fqinjët


Më se një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vijat kufitare të Republikës me shtetet fqinje nuk dihen saktë. Zyrtarët kosovarë pohojnë se po punohet në këtë drejtim, përderisa autoritetet e rendit konsiderojnë se mosdefinimi i vijës kufitare paraqet problem si për vetë ata, ashtu dhe për banorët.


Ka kaluar më shumë se një vit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe shteti i ri ende nuk ka definuar fizikisht kufijtë me asnjërin nga shtetet fqinje.

Përfaqësuesit e institucioneve kosovare thonë se janë në kontakt me shtetet fqinje, përveç Serbisë, për të punuar në lidhje me këtë çështje.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pohon se autoritetet janë në përfundim të përcaktimit të vijave definitive kufitare me Maqedoninë, përderisa me Malin e Zi, zoti Krasniqi shpreh bindjen se bisedimet do të fillojnë së shpejti. Por, problem në këtë drejtim, sipas tij, do të paraqesë kufiri me Serbinë.

“Kosova i ka kufijtë e vet, por këta kufij duhet të ratifikohen, duhet të rishikohen dhe të behët një precizim i kësaj hapësire të Kosovës. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet pse Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së”.

“Sigurisht që në përfundim është vendosja e kufijve me Maqedoninë dhe mendoj që kjo shpejt do të ndodhë, pastaj do të fillojë me Malin e Zi. Nuk besoj që me Shqipërinë do të ketë probleme. Problemet më të gjata dhe me të vështira për të bërë demarkacionin, Kosova do t’i ketë me Serbinë”,
tha Krasniqi.

Edhe përfaqësuesit e policisë kufitare të Kosovës konsiderojnë se problemet më të mëdha në demarkacionin e kufijve të Kosovës me shtetet që e rrethojnë, do të jenë me Serbinë.

Ndihmësdrejtori i përgjithshëm i polices kufitare, Behar Selimi, thotë se Kosova me Serbinë ka më shumë se 380 kilometra të vijës kufitare, që ende nuk janë përcaktuar. Kjo gjë, sipas tij, paraqet problem si për policinë, ashtu dhe për banorët e atyre zonave.

“Me Republikën e Serbisë sigurisht që do të jetë një proces më i gjatë për shumë arsye; hiq ato politike, ka edhe arsye teknike. Me Republikën e Serbisë kemi 380 kilometra e 38 metra vijë kufitare, që është vija më e gjatë kufitare që Kosova ka me shtetet fqinje”.

“Në këtë vijë kufitare kemi fshatra andej dhe këndej kufirit që flasin shqip. Pozita gjeografike dhe e reliefit janë po ashtu të vështira dhe të gjitha këto në aspektin teknik të vijës kufitare do të shkaktojnë telashe. Kurse, në aspektin e sigurisë, këto na shkaktojnë telashe për përcaktimin e juridiksionit”,
deklaroi Selimi.

Ndërkaq, procesi i demarkacionit me Maqedoninë ende nuk ka përfunduar. Sipas Behar Selimit, i cili njëherësh është dhe kryetar i Grupit për demarkacion, ka mbetur edhe rreth 2% e vijës kufitare pa u definuar.

“Me Republikën e Shqipërisë veç ekziston një vijë kufitare, madje edhe fizikisht e shënuar. Mund të jetë ndonjë përtëritje aty këtu e ndonjë guri – nëse do të kishte kuptim përtëritja kur jemi në drejtim të procesit të integrimit në BE”.

“Me Maqedoninë, procesi është në përfundim, 98% e gjatësisë; 170 kilometra që kemi pasur me Republikën e Maqedonisë janë shënuar fizikisht. Ndërkohë që me Malin e Zi, nuk presim vështirësi të mëdha e as shqetësime”,
u shpreh Selimi.

Sido që të jetë, menaxhimi i kufijve të Kosovës nuk është tërësisht nën kontroll të Policisë Kufitare të Kosovës, thonë autoritetet e rendit. Policia e Kosovës ende nuk ka tërësisht nën kontroll menaxhimin e kufijve të vendit, pasi që 753 kilometra të vijës kufitarë të Republikës së Kosovës mbikëqyren nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
XS
SM
MD
LG