Ndërlidhjet

Rasmusen: Synoj reduktim të KFOR-it në Kosovë


Anders Fog Rasmusen

Anders Fog Rasmusen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, në ditën e parë të punës, tha se synon reduktimin e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që udhëhiqet nga NATO-ja.


"Për Kosovën, qëllimi im është i qartë: deri në fund të mandatit tim, dëshiroj ta shoh KFOR-in e reduktuar në një forcë të vogël të reagimit, ose dalje të gjithë së bashku”, tha sot zoti Rasmusen, në një konferencë për gazetarë në Bruksel.

Duke folur për Afganistanin, ku, sipas raporteve, trupat e jashtme po ballafaqohen me periudhën më vdekjeprurëse prej vitit 2001, sekretari i ri i përgjithshëm theksoi se synim afatgjatë duhet të jetë lëvizja drejt transferit të përgjegjësive për siguri tek afganët.

“Qëllimi afatgjatë duhet të jetë që konkretisht dhe dukshëm të lëvizim me transferin e përgjegjësive për siguri tek afganët. Besoj se gjatë mandatit tim si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, afganët duhet ta marrin udhëheqjen e përgjegjësisë për siguri në pjesën më të madhe të vendit të tyre”, tha zoti Rasmusen.

Në këtë temë, ai theksoi se mandati i NATO-s nga Kombet e Bashkuara është i qartë, “që të ndihmohet parandalimi që Afganistani të shndërrohet përsëri në stacion të madh të terrorizmit ndërkombëtar”.

Sipas tij, “secili që beson në të drejtat themelore njerëzore, përfshirë edhe të drejtat e femrave, duhet ta mbështesë këtë mision” të NATO-s në Afganistan.

Mendohet se një nga sfidat e sekretarit të ri të përgjithshëm të aleancës euroatlantike, do të jenë dhe raportet me Rusinë.

“Besoj se gjatë mandatit tim si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ne duhet të zhvillojmë një partneritet të vërtetë strategjik me Rusinë. Ne duhet ta zgjerojmë bashkëpunimin praktik në fushat, ku kemi interesa të përbashkëta”, tha Anders Fog Rasmusen, në konferencën për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel.

Por, ai tha se me Rusinë ka edhe mospajtime fundamentale.

“Është e qartë se do të ketë edhe çështje fundamentale, për të cilat ne nuk pajtohemi. Ne, për shembull, duhet të insistojmë që Rusia të bashkëpunojë me obligimet e veta ndërkombëtare, përfshirë edhe respektimin e integritetit territorial dhe lirinë politike të fqinjëve të saj”.

“Por, ne nuk do të lejojmë që këto fusha të mospajtimeve t’i helmojnë raportet e tërësishme”,
tha Anders Fog Rasmusen, në ditën e parë të punës në postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
XS
SM
MD
LG