Ndërlidhjet

Mundësitë e përhapjes së gripit


Autoritetet shëndetësore në Kosovë parashikojnë që në vjeshtë mund të rritet numri i personave të prekur me virusin A-H1N1, të njohur si gripi i derrave. Por, megjithatë, sipas tyre, tashmë janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar këtë grip.

Drejtori i departamentit për marrëdhënie me media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se, sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 25 për qind e popullatës në gjithë botën mund të preket nga ky virus, shifër kjo, që, sipas Hotit, mund të përfshijë dhe Kosovën.

“Është paraparë që në atakun e parë, apo në valën më goditëse, që parashihet të jetë në vjeshtë, mund të përfshihet 25 për qind e popullatës në vende të ndryshme të botës”.

“Ndoshta kjo shifër mund të prekë edhe vendin tonë, por, në bazë të përgatitjeve të deritashme, në bazë të ecurisë se si po shkon zbatimi i masave të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk ka vend për shqetësim”,
thotë Hoti.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, pohon se shtatori mund të jetë muaji kur mund të rritet numri i personave të prekur me këtë virus.

“Sipas prognozave epidemiologjike, ka gjasë që të presim numrin e rritur gjatë muajve të vjeshtës, gjatë shtatorit, kur fillojnë të hapen shkollat dhe kur fillon të ftohet moti - përhapja e mundur është më e madhe”, shprehet Ramadani.

Megjithatë, Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen nga kjo, pasi, sipas tij, ministra ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu.

Hoti po ashtu pohon se po bëhen përpjekje për të porositur vaksinën kundër virusit A-H1N1, në mënyrë që në vjeshtë të këtij viti, kur pritet të dalë në treg, Kosova të sigurojë sasi të mjaftueshme për të përballuar pandeminë e gripit të derrit.

“Kosova posedon doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu; mund të mbulohen rreth 30 mijë pacientë, por, nëse është e nevojshme, do të porositen edhe doza të tjera. Vaksina, siç dihet, ende nuk është në treg, por Kosova po synon ta shfrytëzojë këtë kohë derisa vaksina të jetë në treg dhe të bëjë porosinë e duhur”.

“Është paraparë që me vaksinim të mbulohen 450 deri 500 mijë qytetarë. Për aq kohë sa vaksina nuk është në treg, institucionet e vendit do t’i bëjnë përllogaritjet e tyre, do t’i gjejnë mjetet dhe sigurisht, me kohë, do të bëhet edhe porosia”,
thotë Hoti.

Nga ana tjetër, qytetarët nuk shprehen të shqetësuar, përkundër mundësisë së përhapjes së këtij virusi në Kosovë. Njëri prej tyre është Sali Gashi:

“Është e mundur të përhapet, për arsye se janë flukset e mëdha të qytetarëve, të cilët vijnë për pushime vjetore. Por, sipas deklaratave të Institutit Kombëtar të Shëndetit, nuk duhet të ketë ndonjë panik”.


Bedri Berisha, ndërkaq, thotë:

“Ka mundësi të përhapet në një përqindje shumë të vogël, por për panik nuk ka vend. Më tepër mendoj se është një aferë mediale, jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Megjithatë, nuk ka vend për panik”.

Ndryshe, nga mesi i muajit korrik, në Kosovë janë paraqitur 9 raste të dyshuara me grip të derrave, ndërkaq 2 prej tyre, pas marrjes së analizave, kanë rezultuar pozitive. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, mosha e re është më e atakuar nga ky virus.
XS
SM
MD
LG