Ndërlidhjet

Funksionalizimi i gjyqësorit


Reformat në sistemin e gjyqësisë kanë shënuar progres të dukshëm, ndonëse mbetet shumë punë për t’u bërë, thonë përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Një nga reformat e bëra, sipas tyre, është ndërrimi i metodës për menaxhimin e lëndëve nëpër gjykata.

Zyrtarë të sistemit të gjyqësisë në Kosovë thonë se janë në proces të reformimit të këtij sistemi, pas të cilit reformim, siç thuhet, mbase do të ketë sundim të plotë të ligjit dhe vënie të drejtësisë.

Shefi i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Halit Muharremi, thotë se miratimi i një pakoje të ligjeve, që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit gjyqësor, do të ishte i domosdoshëm si në aspektin e zbatimit të Kushtetutës, po ashtu edhe në ripërcaktimin e strukturës së gjyqësorit të Kosovës.

“Deri më tani ka munguar një ofertë më serioze financiare në raportin që pritet dhe kërkohet nga gjyqësori. Nga gjyqësori kërkohet një azhuritet, efiçencë më e lartë, po ashtu një profesionalizëm më i lartë dhe një ndarje e drejtësisë, në mënyrë që shoqëria kosovare të funksionojë sa më mirë”,
deklaron zoti Muharremi.

Ai thotë se përderisa ka filluar procesi i reformimit të prokurorëve dhe gjyqësorëve, akoma nuk është e qartë se cila do të jetë ajo strukturë e gjyqësorit në të ardhmen.

Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, organ ky që menaxhon gjykatat dhe prokuroritë, thekson se pa funksionimin e mirë të sistemit të gjyqësorit të Kosovës, edhe legjislacioni, edhe ekzekutivi nuk mund të jenë të suksesshëm.

“Në Kosovë kemi më shumë se një sistem juridik pozitiv, prandaj kjo krijon vështirësi shtesë. Vështirësi krijohen si në zbatimin e ligjit dhe ligjshmërisë, po ashtu në konfuzionin që krijohet në aplikimin e këtyre ligjeve. Jemi në pritje të nxjerrjes së pakove të ligjeve, që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit gjyqësor të Kosovës”,
pohon zoti Muharremi.

Ndërkohë, zyrtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të komponentit të drejtësisë të EULEX-it nënshkruan të hënën memorandumin e mirëkuptimit, që ka për qëllim përdorimin e përbashkët të sistemit të menaxhimit të informimit të lëndëve, si dhe menaxhimin më të mirë të tyre.

Ky sistem mundëson që ndalesat dhe kufizimet të vendosen në qasje të bazës së të dhënave nëpërmjet kontrolleve të sigurisë së teknologjisë informative, në mënyrë që të parandalohen qasje të paautorizuara në informatat e ndjeshme konfidenciale.

Shefi i komponentit për drejtësi në EULEX, Alberto Perduka, vlerëson se ky memorandum do të ndikojë jo vetëm në ngritje të përgjegjësive, por edhe të bashkëpunimit nga të dyja palët e personelit.

“Ne mund të themi se sistemi i menaxhimit të informacioneve mbi rastet ka për qëllim të përmirësojë cilësinë, kuantitetin dhe efikasitetin e punës së gjykatësve dhe prokurorëve”, theksoi ai.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë në qendër të kritikave të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, siç është Hjuman Rajts Uaç (Human Rights Watch). Problemet në këtë fushë janë përmendur dhe në raportet e fundit për Kosovën të Komisionit Evropian, si dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
XS
SM
MD
LG