Ndërlidhjet

logo-print
Së paku 14 raste të gripit të derrave janë konfirmuar në Kazakistan, që nga paraqitja e rastit të parë në qytetin Astana, javën e kaluar.

Shumica e pacientëve janë studentë kazakë, të cilët janë kthyer në vend nga shtetet evropiane. Është hera e parë që në Azinë qendrore janë regjistruar zyrtarisht raste të infektuara me këtë virus.

Lajmi ka shkaktuar panik në mesin e qytetarëve. Shumë prej tyre kanë ndaluar së bleri mish derri, duke menduar që ai mund të shkaktojë sëmundjen. Ndërkaq, agjencitë e udhëtimit pohojnë se të shumtë janë ata që kanë anuluar apo shtyrë për më vonë fluturimet e planifikuara për në Evropë.

Në përpjekje për të qetësuar popullatën, autoritetet shëndetësore kanë siguruar se kanë barna të mjaftueshme anti-virale dhe se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Karantina janë vendosur në qytetet Astana dhe Almati, ndërsa shumë skanerë janë instaluar në aeroporte dhe stacione të hekurudhave, ku ekipet mjekësore kontrollojnë temperaturën e pasagjerëve. Çdo njeri me simptome gripi dërgohet për analiza të mëtutjeshme.

Po ashtu dhe në pjesë të tjera të Azisë qendrore thuhet të jenë marrë masa për parandalimin e përhapjes eventuale të këtij virusi.

Ekipe speciale janë vendosur në aeroportin ndërkombëtar të Uzbekistanit për të bërë kontrolle mjekësore të pasagjerëve, nëse janë të infektuar me virusin H1N1. Hapa të ngjashëm janë ndërmarrë edhe në Kirgistan dhe Taxhikistan, përderisa presidenti i Turkmenisë, Gurbanguli Berdimukhamedov, ka bërë thirrje që të merret seriozisht rreziku i kësaj sëmundjeje.

Por, pavarësisht masave zyrtare që janë ndërmarrë në mbarë rajonin, vetëdijesimi i opinionit për gripin e derrave mbetet i ulët, sidomos në zonat rurale, ku shumë njerëz thonë se nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për një sëmundje të tillë.

XS
SM
MD
LG