Ndërlidhjet

logo-print

“Serbët ndërtojnë pa leje në Kroin e Vitakut”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Kanë kaluar gati tre muaj qëkur Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se Ligji për financimin e partive politike do të jetë shumë shpejt gati, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Zyrtarë të Qeverisë nuk japin ndonjë arsye të fortë për mosmiratimin e këtij ligji, por thonë se është duke u punuar që ligji të miratohet para zgjedhjeve lokale që mbahen më 15 nëntor. Më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës, Kosova nuk ka ligj për financimin e partive politike, pasi që projektligji i miratuar nga legjislatura në vitin 2004 nuk pati fatin të nënshkruhej asnjëherë nga PSSP-ja dhe tani është kthyer në Qeveri, ku pritet të përpunohet dhe të dërgohet sërish për aprovim...

EXPRESS
Edhe pse ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ishte distancuar nga pohimet se po shtynte për opsionin e ndarjes për Kosovën, kur diku tri javë më parë gazeta beogradase “Politika” e nisi këtë debat, ishte e qartë se në kryeqytetin serb tashmë po shfaqej projekti për të nxjerrë “çfarë të munden”, pasi nuk kishin qenë në gjendje të ndalin Deklaratën e Pavarësisë, të 17 shkurtit 2008. Thuhet se ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, i kishte kushtuar me kokë propozimi për ndarje territoriale, pas rënies së Millosheviqit. Tash, kur 60 shtete e kanë njohur Kosovën, përfshirë vendet më relevante perëndimore, liderët në Serbi po bëjnë ç’është e mundur për të rikthyer Kosovën në tavolinën e diskutimeve me synim të vënies së gishtave në hartën e kufijve. Analisti serb Dushan Janjiq kishte paralajmëruar se, për shembull, mund të pritet propozimi i shkëmbimit të rajonit të Leposaviqit me komunën e Preshevës...

ZËRI
Shumica e ministrave të Qeverisë së Kosovës kanë filluar të “mburren” me gjetjet e pakta në raportet e auditivit, pavarësisht shkeljeve të ndryshme që janë zbuluar në pasqyrat financiare të agjencive buxhetore për vitin 2008. Në anën tjetër, partitë opozitare akuzojnë Qeverinë e Kosovës se praktika e organizimit të konferencave për shtyp nga disa ministri po bëhet me qëllim të minimizimit të gjetjeve të Auditorit Gjeneral dhe njëkohësisht, sipas tyre, nuk po ndërmerren masa ndaj askujt për veprimet kundërligjore. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, gjatë një konference për shtyp, të hënën, ka vlerësuar lart raportin e auditorit për pasqyrat financiare të kësaj ministrie për vitin 2008...

BOTA SOT
Kurrë më zgjedhje serbe në Kosovë! Ky është mesazhi dhe thënia që mundohen ta shqiptojnë me zë plot institucionet dhe partitë politike në Kosovë. Strukturat paralele serbe duan të rikonfirmohen edhe një herë nga Beogradi, pasi që Beogradi zyrtar paralajmëroi mbajtjen e të ashtuquajturave zgjedhje “të parakohshme” për institucionet paralele serbe, për komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës... Qeveria e Kosovës, sikur edhe para disa ditëve, ende nuk ka marrë ndonjë qëndrim të saj, se si do të veprojë lidhur me këtë çështje, ndërkohë që thotë se do të marrin qëndrim në momentin adekuat... Ndërkaq, për Sadri Feratin, ministër i Pushtetit Lokal, zgjedhjet e serbëve për krijimin e institucioneve paralele janë të papranueshme, madje ai theksoi se Beogradi po vazhdon që elementin serb në Kosovë ta përdorë për nevojat e politikës ditore...

EPOKA E RE
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, të hënën, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për përdorimin e sistemit të menaxhimit të informimit të lëndëve. Ky memorandum u vlerësua se do ta paraqesë marrëveshjen në mes të palëve në lidhje me përgjegjësitë për mirëmbajtjen dhe përdorimin e sistemit të menaxhimit të informimit të lëndëve nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it dhe personelit tjetër të EULEX-it. Me këtë rast, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor, Halit Muharremi, ka thënë se përdorimi i përbashkët i sistemit të menaxhimit të informatave të lëndëve është ndërtuar kohë më parë me një donacion të fuqishëm të agjencisë evropiane...

LAJM
Edhe nëse plotësohet njëqind për qind lista e barnave esenciale, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund të krenohen se kanë siguruar barna të mjaftueshme për pacientët kosovarë. Kjo ndodh pasi nevojat e spitaleve për barna në Kosovë konsiderohen shumë më të mëdha sesa rreth 300 artikuj që thuhet se i përmban lista. Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, duke iu referuar të dhënave të barnatores qendrore të kësaj qendre, tha se që nga paslufta e tutje, nevojat e qendrës klinike, sa u përket barnave të listës esenciale, nuk janë plotësuar asnjëherë. Fazliu tha se Ministria e Shëndetësisë më herët ka formuar një komision për ta përcaktuar listën esenciale të barnave, e ku kanë marrë pjesë edhe disa drejtorë të klinikave...

KOHA DITORE
Serbët kanë filluar ndërtimin e objekteve shumëkatëshe në lagjen “Kroi i Vitakut” pa leje të administratës së UNMIK-ut. Ndërtimi i pesë ndërtesave shumëkatëshe po bëhet në disa prona të blera nga shqiptarët në atë lokalitet. Në afërsi të punëtorëve shqiptarë, të cilët janë duke punuar në atë lagje në rindërtimin e shtëpive shqiptare të djegura dhe të shkatërruara gjatë luftës, punëtorët serbë punonin, të hënën, në mbushjen e themeleve me beton. Disa policë të Policisë së Kosovës e vëzhgonin punën duke qëndruar nën hijet e pemëve në oborret e shtëpive të kësaj lagjeje. Afër ndërtesës ku po punonin serbët ishte i vendosur edhe një kontejner me flamurin e Rusisë, që shërbente si zyrë për udhëheqësit e punëve...

INFOPRESS
Prishtina dhe Beogradi nuk e kanë përkrahur idenë që të ketë shkëmbim territoresh mes tyre, gjegjësisht veriun e Kosovës me Kosovën lindore, ndërkohë që përfaqësues të Luginës së Preshevës nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të bashkohen me Kosovën. Në anën tjetër, një ide të tillë nuk e kanë përkrahur analistë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë gjatë viteve të mëhershme. Ideja për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi është dhënë para dy ditësh nga një kongresmen amerikan, Dana Rahrabaher... Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë të hënën se për një gjë të tillë nuk ka pasur kurrë plan...
XS
SM
MD
LG