Ndërlidhjet

NYT: “Hetohen pohimet e serbëve për trafikim organesh në Kosovë”


“New York Times”


Grupi kryesor evropian për të drejtat e njeriut ka filluar hetimet të hënën mbi pohimet e Serbisë se gjatë luftës në Kosovë, civilë serbë janë rrëmbyer dhe dërguar në Shqipëri, ku, siç thuhet, u janë hequr organet para se të vriteshin.

Hetimet nga Këshilli i Evropës udhëhiqen nga Dik Marti, një senator zviceran, i cili përpara kishte hetuar edhe pohimet se në Evropë ekzistojnë, siç thuhej, burgje sekrete të CIA-s për marrje në pyetje të të dyshuarve terroristë.

Këshilli ka thënë se zoti Marti do të takohet gjatë kësaj jave me zyrtarët kryesorë për çështje të krimeve të luftës dhe të të drejtave të njeriut në Serbi dhe Shqipëri.

Mosbesimi midis të dyja palëve mbetet akoma i lartë edhe dhjetë vjet që prej përfundimit të luftës, me akuza të ndërsjella për krime të rënda. Hetuesit serbë të krimeve të luftës tani pandehin se rreth 500 serbë nga Kosova janë zhdukur gjatë kohës së luftës.

Por, autoritetet në Prishtinë i kanë hedhur poshtë me vendosmëri këto akuza, duke thënë se ato janë politikisht të motivuara dhe kanë për qëllim të zhvlerësojnë Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë nga Serbia vitin e kaluar.

Hetuesit serbë, ndërkaq, thonë se kanë dëshmi se së paku 10 persona janë rrëmbyer nga guerilët shqiptarë, në kuadër të një, siç thuhet, operacioni për trafikim organesh në një rrjet spitalesh të fshehura në Shqipëri.

Këto akuza fillimisht janë shfaqur në një libër memoaresh nga Karla Del Ponte, ish-kryeprokurore në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Pas botimit të librit, zyrtarët shqiptarë, por edhe analistë të shumtë, janë pyetur pse zonja Del Ponte kishte vendosur t’i zbulonte këto akuza pesë vjet pasi hetuesit e saj i kishin trajtuar këto dyshime dhe kishin dështuar të grumbullojnë prova të mjaftueshme për rastin.
XS
SM
MD
LG