Ndërlidhjet

Ejal: Bild vuri në dukje problemin e vërtetë

  • B. Triviq

Xhonatan Ejal

Xhonatan Ejal

Perspektiva evropiane e Ballkanit duhet të forcohet, thotë Xhonatan Ejal, drejtor i Studimeve për Siguri në Institutin Mbretëror në Londër, duke mbështetur idenë e shefit të diplomacisë suedeze, Karl Bild, që Brukseli të ofrojë sinjale të qarta për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.


RADIO EVROPA E LIRË

Si e komentoni deklaratën e shefit të diplomacisë suedeze, Karl Bild, për të fuqizuar perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian?

XHONATAN EJAL
Në Bashkimin Evropian është një ndjenjë e pakënaqësisë deri më tani për efektet e zgjerimit, veçanërisht me anëtarësimin e dy vendeve ish-komuniste, Rumanisë dhe Bullgarisë; në atmosferën në të cilën ka ndjenja se vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore meritojnë më pak vëmendje të Bashkimit Evropian, sesa vendet perëndimore.

Dihet publikisht se ajo që e ka irrituar më shumë Bildin, është se të gjithë në Bruksel kanë mbështetur anëtarësimin e Islandës në Bashkimin Evropian, me ç’rast kanë thënë se nuk shihet asnjë problem në lidhje me kandidaturën e Islandës.

Mirëpo, kur janë përmendur vendet e Ballkanit perëndimor, menjëherë kanë shpejtuar t’i përmendin problemet e ndryshme politike, ekonomike e sociale.

Bild po ashtu e ka vërejtur se 20 vjet nga zhdukja e komunizmit në Evropë, diçka nuk është në rregull me radhitjen e prioriteteve. Ky qëndrim është përmendur me arsye, pasi mungesa e përqendrimit evropian në çështjet e pazgjidhura mund të jetë një nga sfidat më serioze, me të cilat Bashkimi Evropian mund të përballet së shpejti.

Shumë shpesh Brukseli pretendon se është i angazhuar fuqishëm në Ballkan, por efektet e tilla, si për shembull liberalizimi i vizave, i cili në BE është parë si një sukses i madh, në fakt është themeli në të cilën Brukseli duhet të ndërtohet.

Prandaj, ajo që ka thënë Karl Bild është porosi tejet e rëndësishme: ambiciet për integrimin e Ballkanit perëndimor duhet të bëhen në mënyrë më të fuqishme, pasi ata nuk mund të jenë të kënaqur vetëm nga një vendim burokratik, siç është liberalizimi i vizave në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
A thua pas retorikës së Brukselit për ritheksimin e perspektivës evropiane të Ballkanit qëndron vendosmëria që të punohet më shumë në këtë drejtim, në pajtim me qëndrimet e ministrit Bild?

XHONATAN EJAL
Nuk është lehtë të injorohen qëndrimet e vendit kryesues të Bashkimit Evropian. Bild, i cili është ekspert për Ballkanin dhe diplomat i shquar, argumentin e vet e ka prezantuar shumë fuqishëm. Në fakt, e ka bërë në mënyrë shumë të njëjtë si administrata Obama, e cila vendosi të ketë një qasje të re të marrëdhënieve me disa vende.

Edhe BE-ja, sipas mendimit të Bildit, duhet t’i rishikojë marrëdhëniet me vendet në lagjen e saj dhe të tërhiqet nga filozofia e së kaluarës. Mbetet të shihet nëse porosia e tij do të jetë forcë lëvizëse.

Komisarët evropianë, të cilët janë ngutur të deklarojnë se kandidatura e Islandës do të marrë menjëherë dritën e gjelbër, kanë heshtur, pasi e kanë kuptuar se sa është absurde të fusin në procedurë të përshpejtuar vendin, i cili u kandidua disa javë më parë, dhe të injorohen vendet, të cilat janë kandiduar disa vite më herët, pasi edhe Bashkimi Evropian ka më shumë nevojë për to, sesa për Islandën.

Këtu duhet të përmendet edhe qëndrimi i përfaqësuesit të Francës në Komisionin Evropian, i cili ka thënë se askush nuk mendon që Islanda duhet të kalojë mbi të gjithë të tjerët.

Siç e shihni, sinjalet janë të përziera. Kuptohet se, shikuar teknikisht, Islanda nuk ka pengesa të rëndësishme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por po ashtu është e vërtetë se në fund të fundit akti i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është politik e jo teknik.

Prandaj, nuk duhet të ndodhë që në vend të rëndësisë politike, të flasim për gatishmërinë teknike të Islandës për t’u anëtarësuar. Më këtë ne jemi duke iu afruar dërgimit të porosisë së rrezikshme, që pjesa veriore e Evropës është më me rëndësi strategjike, sesa ajo jugore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mundet që Uashingtoni, në komunikim me Brukselin, të ndihmojë përshpejtimin e proceseve integruese të Ballkanit perëndimor në strukturat euro-atlantike?

XHONATAN EJAL
Unë duhet të përmend këtu që sa herë që Shtetet e Bashkuara u përpoqën t’i sugjerojnë Bashkimit Evropian zgjidhjen e problemeve, përgjigjja ka qenë agresive, pasi Brukseli ka një ndjesi të fortë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përzihen në punët e tij të brendshme.

Administrata e presidentit Obama i dërgoi porosi Bashkimit Evropian që të përshpejtojë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, por Brukseli iu përgjigj ashpër Obamës, i cili në Evropë është parë si hero.

Konsideroj se amerikanët nuk do të arrinin shumë në çështjet e integrimeve të Ballkanit duke “shtyrë” Brukselin.

Ajo që mund të kontribuonin është që të mos e vështirësojnë gjendjen edhe ashtu të ndërlikuar në Ballkan, e cila do ta vinte Bashkimin Evropian në situatë që të ballafaqohet me problemet, të cilat nuk mund të zgjidhen.

Kur nënpresidenti Xho Bajden e vizitoi Ballkanin, ai në fakt u përmbajt nga çfarëdo nismash të reja, të cilat viteve të fundit në Ballkan kanë qenë të shumta.
XS
SM
MD
LG