Ndërlidhjet

A po i sforcon Serbia strukturat paralele?


Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës pohojnë përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për shpërbërjen e strukturave paralele, që veprojnë në pjesë të ndryshme të Kosovës. Por, opozita i kritikon ata për mospunë në këtë drejtim.



Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës pohojnë përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, për shpërbërjen graduale të strukturave paralele që veprojnë në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, shpjegon veprimet e ndërmarra në këtë drejtim:

“Ne nuk kemi marrë veprime të dhunshme. Unë, si ministër i Brendshëm, asnjëherë nuk kam pasur në agjendë, edhe pse unë e kam thënë publikisht që mekanizmi që unë e menaxhoj, ka kapacitete, resurse profesionale, që problemet e tilla mund t’i zgjidhë brenda disa orëve”.

Zenun Pajaziti
“Kemi zgjedhur rrugën e forcimit të institucioneve tona. Konkretisht kemi vënë shërbimet tona gjëkundi. Policia e Kosovës është e shpërndarë në gjithë territorin dhe shërbimet që i japim, janë të shtrira në gjithë territorin e Kosovës”,
tha Pajaziti.

Ministri Pajaziti i ka hedhur poshtë disa deklarata të zyrtarëve serbë, sipas të cilave, strukturat paralele janë duke u sforcuar në Kosovë, e sidomos në vendet e banuara me shumicë serbe, pasi që, siç ka kanë deklaruar ata, institucionet e Kosovës nuk mund t’u shërbejnë serbëve kosovarë.

“Tanimë ideja e disa qarqeve politike nga jashtë Kosovës, e sidomos nga Beogradi, që pretendojnë të menaxhojnë disa të ashtuquajtura struktura paralele, është krejtësisht e tejkaluar, shumë manipuluese, dhe nëse eventualisht do të ketë përpjekje të ngjashme për të vazhduar, do të jenë edhe të rrezikshme”, tha Pajaziti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se Qeveria e vendit nuk është duke bërë asgjë në drejtim të shuarjes se këtyre strukturave.

Naim Maloku, deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e kësaj partie, thotë se strukturat paralele në veri të Mitrovicës tashmë janë sforcuar.
Rrethanat, të cilat mbretërojnë në Kosovë, serbët po i shfrytëzojnë maksimalisht për t’i sforcuar strukturat paralele aty ku ata jetojnë...

“Kjo është një larushi e këtyre strukturave. Mund të flasim për një sforcim në veri, por jo edhe në pjesë të tjera ku janë, të themi në Graçanicë, Anamoravë dhe Shtërpcë. Rrethanat, të cilat mbretërojnë në Kosovë, serbët po i shfrytëzojnë maksimalisht për t’i sforcuar strukturat paralele aty ku ata jetojnë”, u shpreh Maloku.

Zoti Maloku konsideron se sforcimi i strukturave paralele në Kosovë ndodh edhe për, siç thotë ai, faktin që Qeveria e Kosovës nuk po arrin t’u ofrojë mundësi serbëve të Kosovës, siç parashihet dhe me Planin e Ahtisarit.

“Qeveria e Kosovës, përveç që thotë se Plani i Ahtisarit ofron, nuk e ka nxjerrë atë Plan të Ahtisarit dhe ta bëjë plan veprimi konkret. Vetëm të mbash Planin e Ahtisarit në dorë, nuk do të thotë asgjë. Duhet të nxirret Plani i Ahtisarit, të nxirren ato gjëra që janë për serbët; me përfaqësues të serbëve legjitimë të bëhet plani i veprimit dhe oferta”, tha Maloku.

Duke i konsideruar deklaratat e opozitës si deklarata për konsum të përditshëm politik, përfaqësuesit e Qeverisë nuk kanë dashur t’i komentojnë ato.

Ndërkaq, deklaratat e ministrit serb, Bogdanoviq, në lidhje me sforcimin e strukturave paralele në Kosovë, nga përfaqësues të serbëve të Kosovës janë cilësuar si një truk parazgjedhor. Marko Jaskshiq, njëri nga liderët e Këshillit Kombëtar Serb në veri, thotë:
Konsideroj se bëhet fjalë për një truk parazgjedhor të ministrit Bogdanoviq...

“Konsideroj se bëhet fjalë për një truk parazgjedhor të ministrit Bogdanoviq. Dëshiroj të theksoj se lartësia e investimeve të Qeverise aktuale është për pesë herë më e madhe sesa, për shembull, në vitin 1999, në kohën e Qeverisë së Mirko Marjanoviqit”.

“Nga ana tjetër, deri më tash kemi mundur të nxjerrim pasaportat dhe letërnjoftimet në territorin e Kosovës, tash një gjë e tillë është bartur në të ashtuquajturën Serbi e ngushtë, me qëllim që të mos ofendohet në ndonjë mënyrë shtetësia shqiptare në Kosovë. Atë që ministri Bogdanoviq e thotë, mendoj se askush nga serbët nuk e beson”,
u shpreh Jakshiq.

Kurse, Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb për Kosovën qendrore, thotë se Qeveria e Serbisë duhet të punojë për mbrojtjen institucionale të serbëve, gjë që institucionet e Kosovës, sipas tij, nuk mund ta bëjnë.

Dragan Veliq
“Qeveria do ishte dashur dhe shpresoj se do të punojë në drejtim të mbrojtjes institucionale të serbëve, të cilën, për fat të keq, nuk e kemi nga institucionet e përkohshme në Kosovë. E dyta, përveç ndikimit më të madh politik, me siguri se e rëndësishme është prezenca më e madhe financiare, që të ndahen më shumë mjete për Kosovën”,
tha Veliq.

Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u, para disa vitesh kishte vendosur që institucionet në mjediset serbe, të cilat i përkrah Republika e Serbisë, e që nuk janë pjesë e sistemit kosovar, të konsiderohen si "struktura paralele". Kurse, analistët politikë, deklaratat e politikanëve të Beogradit për sforcimin e strukturave paralele, i shohin si manipulim me serbët e Kosovës.
XS
SM
MD
LG