Ndërlidhjet

logo-print

Fuere: Maqedonia t’i përmbushë reformat


Ervan Fuere

Ervan Fuere

Maqedonia duhet t’i përmbushë reformat e nevojshme, e në veçanti ato në pushtetin gjyqësor, që, në vjeshtë, të mund të marrë raport pozitiv nga Komisioni Evropian. Kështu ka deklaruar ambasadori i BE-së, Ervan Fuere. Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor thanë se Maqedonia ka kapacitet për të arritur kriteret evropiane, por ekspertët thonë të kundërtën.


Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere, kërkoi nga institucionet shtetërore të përshpejtojnë procesin e përmbushjes së kritereve ndërkombëtare, me qëllim që raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian për Maqedoninë të jetë pozitiv.

Ambasadori Fuere në veçanti u përqendrua në reformat në gjyqësi, për të cilat Maqedonia në vazhdimësi ka marrë kritika nga institucionet ndërkombëtare.

“Reformat në sistemin gjyqësor janë fusha më e mirë që shteti të mund të demonstrojë suksesin për rritjen e efikasitetit dhe pavarësimin e pushtetit gjyqësor”, deklaroi Fuere, duke mos dhënë detaje nëse raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian do t’i hapë rrugën caktimit të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“E dëgjuat euro-komisionarin Oli Ren, i cili tha se Komisioni Evropian ka disponim të japë propozimin për fillimin e bisedimeve, por që të bëhet ajo, sigurisht se duhen argumente maksimale, që t’u tregohet shteteve anëtare se vendi ka mbaruar pjesë të rëndësishme të punës. Shpresojmë se në periudhën e ardhshme do të merren të gjitha masat që të arrihet ajo”, deklaroi ambasadori Fuere.

Ndërkohë, drejtuesit e Këshillit Gjyqësor janë të bindur se Maqedonia ka kapacitet për të përmbyllur edhe çështjen e reformave në gjyqësi.

“Gjyqësori në Maqedoni ka potencial dhe mundësi që të jetë në atë nivel ku të gjithë ne presim dhe të mos jetë pengesë që Maqedonia të mos pranohet në BE dhe NATO. Mendoj se Maqedonia ka kapacitet ta bëjë këtë”, u shpreh Vasil Gërçev, kryetar i Këshillit Gjyqësor Republikan, duke shtuar se nga reformat në pushtetin gjyqësor do të përfitojnë në radhë të parë qytetarët e Maqedonisë.

Por, ekspertët konsiderojnë se pushteti gjyqësor është larg përmbushjes së standardeve dhe koha e mbetur është e pamjaftueshme për të arritur rezultatet e kërkuara.

“Së pari, akoma ngel problemi i efikasitetit të gjyqësisë, që nënkupton se lëndët dhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk zbërthehen në afatet e parapara edhe me konventat për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Së dyti, është korrupsioni; duhet të luftohet, sepse korrupsioni në gjyqësi lulëzon. Dhe, së treti, janë ndikimet politike, të cilat janë të pranishme në procese konkrete gjyqësore”, deklaroi Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike.

Raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian për përparimin e bërë në Maqedoni do të publikohet nga mesi i muajit tetor dhe, sipas përfaqësuesve evropianë, ai mund të jetë pozitiv, nëse deri nga mesi i shtatorit arrihet të përmbushen vërejtjet nga raporti i vitit të kaluar.
XS
SM
MD
LG