Ndërlidhjet

“Serbët u kthehen incidenteve në veri”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Brenda vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës do të fillojnë të pajisen me pasaporta biometrike. Një fakt të tillë e pohon Artan Duraku, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Por, këshilltari Duraku shpjegon se qytetarët e vendit nuk kanë nevojë të ndërrojnë pasaportat e tyre valide, të cilat kanë filluar të lëshohen vitin e kaluar. Sipas tij, shtetasve të Republikës së Kosovës nuk iu duhet të dynden dyerve të komunave për të marrë patjetër një pasaportë të tillë. “Ato pasaporta janë valide për dhjetë vjet. Në këtë rast, nëse një shtetas i Kosovës që jeton në Gjermani, ka vizë në pasaportën e tij, ai nuk ka nevojë ta marrë atë biometrike, pa i skaduar afati të parës”, shpjegon këshilltari Duraku për “Express”...

ZËRI
Vetëm një ditë pas deklarimeve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Andres Fog Rasmusen, se gjatë mandatit të tij në krye të NATO-s do të ketë reduktim të madh të trupave të KFOR-it në Kosovë, zyrtarë nga Kosova, duke e vlerësuar lart kontributin e Aleancës Veri-atlantike për sigurinë në vend dhe rajon, kanë shprehur bindjen e tyre se NATO-ja do të jetë prezente në vendin tonë derisa edhe ne të bëhemi pjesë e saj. Si pozita, ashtu edhe opozita kanë thënë se Kosova nuk ndihet e shqetësuar me reduktimin e trupave të KFOR-it që veprojnë nën komandën e NATO-s, ngase, sipas tyre, vendi ynë shumë shpejt do të ndërtojë kapacitetet e plota të Forcës së Sigurisë, pastaj të Shërbimit të Inteligjencës dhe të mekanizmave tjerë të sigurisë në vend...

BOTA SOT
Pas rreth një muaj e gjysmë qetësie, është trazuar sërish lagjja “Kroi i Vitakut”, në veri të Mitrovicës. Si zakonisht, për këtë janë përkujdesur “kujdestarët e përhershëm” të incidenteve, ekstremistët serbë të kësaj lagjeje. Një grup sish prej rreth 30 vetash, kryesisht të rinj, të martën, rreth orës 15:00, kanë sulmuar me gurë punëtorët shqiptarë, që kishin filluar punët për rindërtimin e disa shtëpive në thellësi të lagjes “Kroi i Vitakut”, diku rreth 200 metra larg shtëpive të para shqiptare, që janë në përfundim të rindërtimit dhe shumë afër shtëpive serbe. Kësaj radhe nga gjuajtja e gurëve, nga ana e rebeluesve serbë, nuk janë kursyer as punëtorët shqiptarë që po punonin, pastaj banorët e lagjes, zyrtarët komunalë, policët, si dhe gazetarët...

EPOKA E RE
Qeveria e Republikës së Kosovës reagoi të martën ndaj inicimit nga ana e Këshillit të Evropës të një grupi hetimor për veprimtarinë e UÇK-së, duke potencuar se edhe 100 hetime po të bëhen, prapë rezultati do të jetë i njëjtë, sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër. Këto komente i bëri zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, në kohën kur mediet ndërkombëtare raportojnë se Këshilli i Evropës ka filluar një hetim lidhur me akuzat serbe, sipas të cilave, ish-guerilët shqiptarë të UÇK-së kanë rrëmbyer civilë serbë gjatë luftës në Kosovë dhe më pas i kanë shitur organet e tyre...

LAJM
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë vazhdon të mos funksionojë në mungesë të kompletimit të stafit të nevojshëm për kryerjen e obligimeve të parapara me ligj. Përkundër zgjedhjes së drejtorit më 4 shkurt, ky institucion i rëndësisë së veçantë vazhdon të jetë dekor në kuadër të Qeverisë. Arsyet e vonesës së funksionalizimit të AKI-së lidhen me neglizhencën karakteristike të kabinetit aktual qeverisës për kompletimin e institucioneve kushtetuese dhe vështirësitë e partnerëve të saj për përzgjedhjen e bartësve të funksioneve në pozitat e larta. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi janë kompetentë për emërimin e zëvendësdrejtorit dhe kryeinspektorit të AKI-së...

KOHA DITORE
Tensionimi i situatës që ka ardhur si pasojë e ndërtimeve ilegale serbe në “Kroin e Vitakut” ka nxjerrë paqartësi rreth përgjegjësive politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, do një zgjidhje politike, ai i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, thotë se ka “një mirëkuptim të palëve për ndërtimet serbe”, ndërsa institucionet e Kosovës nuk preferojnë shumë të flasin për pjesën e ndjeshme. “Ne mendojmë se duhet të gjendet një zgjidhje e nivelit politik në Mitrovicën veriore”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, për “Kohën ditore”...

INFOPRESS
Serbia po planifikon të zhvillojë zgjedhje paralele në Kosovë për komunën e Prishtinës dhe Pejës dhe nuk ka marrë leje nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës. Zyrtarë të këtyre dy institucioneve në Kosovë, ndërkaq, kanë thënë se njohin vetëm zgjedhjet që parasheh Kushtetuta e Kosovës, por nuk kanë dhënë përgjigje konkrete se si do të veprojnë në rast se Serbia tenton t’i zhvillojë zgjedhjet pa marrë parasysh këtë... Ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se ky është edhe një improvizim i radhës e Serbisë. Ai ka thënë se këto veprime të Serbisë është dëshmuar se po dështojnë, pasi që, sipas tij, edhe vetë qytetarët serbë në Kosovë e kanë kuptuar se nuk është kjo rruga e duhur...

KOSOVA SOT
Mbi 70 milionë euro të kursimeve të punëtorëve kosovarë, të grumbulluara në Bankën Qendrore të Kosovës, presin vendimin e Bordit të Trustit për t’u investuar. Mirëpo, nga këto 70 milionë, në bazë të rregullave ligjore, vetëm 25 milionë euro mund të investohen në bankat vendore, përveç atyre 15 milionëve, të cilët janë tashmë të investuar. Këto mjete, Bordi i ri i Trustit do të detyrohet t’i investojë në tregun e jashtëm. Kjo do të vazhdojë të mbetet kështu derisa nuk ndryshohet apo nuk nxirret një udhëzim, i cili do të rregullonte këtë dhe do të lejonte që këto mjete të mund të investohen në Kosovë dhe atë jo vetëm deri në masën 30 për qind...
XS
SM
MD
LG