Ndërlidhjet

SHBA: Nisi procesi kundër të akuzuarve për terrorizëm


Në Karolinën Veriore ka filluar procesi kundër shtatë personave, të cilët nga autoritetet akuzohen për terrorizëm. Në mesin e tyre është edhe Hysen Sherifi, 24 vjeçar, nga Kosova, i cili ka lejeqëndrim të rregull në Shtetet e Bashkuara. Gjashtë personat e tjerë janë shtetas amerikanë.

Gjatë dëgjimit të parë, prokurorët kanë paraqitur disa incizime, në të cilat i akuzuari Daniel Patrik Bojd, tregonte pasionin e tij për “të luftuar për xhihad” dhe janë dhënë dëshmi se ai kishte udhëhequr stërvitjet në Karolinën Veriore.

Agjenti special, Majkël Suton, që kishte marrë pjesë në hetimet katërvjeçare, të cilat rezultuan me arestimin e zotit Bojd, dy djemëve të tij dhe katër personave të tjerë, përfshirë edhe Hysen Sherifin, tha se “ekziston rreziku që ata të arratisen”.

Agjenti Suton tha se disa prej të akuzuarve kishin udhëtuar në Jordani, Kosovë, Pakistan dhe Izrael, gjatë tri viteve të kaluara, për “t’u angazhuar në xhihad të dhunshëm”.

Avokatët e shtatë të akuzuarve i kanë kundërshtuar akuzat kundër klientëve të tyre dhe kanë kërkuar lirimin e tyre me pagesë.

Procesi vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.
XS
SM
MD
LG