Ndërlidhjet

Bill Klinton siguroi lirimin e gazetareve

  • Breffni O'Rourke

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, me gazetaret e liruara, Laura Ling dhe Euna Li, 5 gusht '09.

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, me gazetaret e liruara, Laura Ling dhe Euna Li, 5 gusht '09.

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, e kompletoi misionin e tij në Korenë Veriore, pasi në Shtetet e Bashkuara kthehet me dy gazetaret amerikane, që ishin liruar nga burgimi në Korenë Veriore. Zoti Klinton e siguroi lirinë për gazetaret Laura Ling dhe Euna Li, në bisedimet me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Ill, në Phenian.

Përgjigjja në pyetjen se çka arriti Koreja Veriore me lirimin e gazetareve amerikane, është e shkurtër: kjo ishte prania e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton.

Zoti Klinton ende është personalitet shumë i popullarizuar në botë dhe udhëtimi i tij në Phenian, për të kërkuar lirimin e gazetareve nga lideri i këtij vendi, Kim Jong Ill, është ndikim në rritjen e prestigjit për shtetin e izoluar komunist të Koresë Veriore.

Megjithëqë dukej se udhëtimi ishte një mision spontan i shpëtimit, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se ai ishte organizuar me kujdes gjatë disa muajve.

Dagllas Ling, që është babai i gazetares Laura Ling, aludoi në këtë aspekt të përpjekjeve prapa skenës, kur iu falënderua autoriteteve amerikane.

“Unë jam shumë falënderues ndaj të gjithë njerëzve për lutjet e tyre. I falënderohem shumë Departamentit të Shtetit, i falënderohem shumë Qeverisë, që kanë bërë çdo gjë të mundshme për ta siguruar lirimin”.


Duke i sqaruar etapat e këtij zhvillimi, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara thonë se Koreja Veriore e kishte bërë me dije se është e gatshme që t’i lirojë gazetaret, nëse një personalitet i lartë amerikan vjen personalisht për t’i marrë ato për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.

Zgjedhja e tyre për këtë detyrë ishte Bill Klinton.

Bill Klinton dhe Kim Jong Ill
Zoti Klinton, një kundërshtar i vjetër i liderit Kim Jong Ill, tha se do të shkonte vetëm nëse ka gjasa të arsyeshme se gazetaret do të liroheshin.

Ai u sigurua se Pheniani nuk do të shtrojë çështje të tjera, siç është mospajtimi lidhur me programin bërthamor të Koresë Veriore.


Por, në fakt, vizita, në mënyrë indirekte, është e ndërlidhur me mospajtimin atomik.

Në një artikull në numrin e sotëm të “Uashington Post”-it, Glen Kesler shkruan se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara po shpresojnë se vizita e ish-presidentit Klinton do t’i mundësojë liderit Kim Jong Ill që më lehtë të përfundojë një varg të aksioneve provokuese të Koresë Veriore, siç është testi aktual atomik raketor dhe fillimi i procesit të kthimit në tryezën e negociatave për programin atomik të Phenianit.

Zoti Klinton i ka kaluar disa orë në biseda të qeta me zotin Kim dhe ka marrë pjesë në një banket dyorësh.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, thotë se nuk i ka ofruar asnjë stimulim Koresë Veriore lidhur me kontestin e saj bërthamor me Perëndimin, për lirimin e dy gazetareve të Shteteve të Bashkuara.

Por, një zyrtar i lartë i administratës tha se ish-presidenti Bill Klinton, i cili e siguroi lirimin e dy gazetareve, ka biseduar me udhëheqjen e Koresë Veriore për “gjërat pozitive që mund të rrjedhin” nga lirimi i reportereve amerikane.

Vizita e ish-presidentit Klinton ka nxitur reagime në rajon.

Zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Takeo Kavamura, pos tjerash, tha:

“Ne shpresojmë se vizita nga ish-presidenti do të nxisë vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore dhe po ashtu edhe bisedimet gjashtëpalëshe. Ne po ashtu shpresojmë se nëpërmjet bisedave të mëtejshme, do të jemi në gjendje t’i zgjidhim edhe çështjet e tjera, përfshirë edhe rastin e rrëmbimit të shtetasit japonez dhe normalizim të marrëdhënieve diplomatike me Korenë Veriore”.

Bisedimet gjashtëpalëshe, për të cilat foli zëdhënësi Kavamura, ishin ndërprerë, pasi Koreja Veriore ishte larguar nga ato.
XS
SM
MD
LG