Ndërlidhjet

Tensione në veri


Kroi i Vitakut
Kroi i Vitakut

Autoritetet lokale në Mitrovicë thonë se me ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, po rriten dhe interesat e disa grupeve ekstremiste serbe për të destabilizuar situatën. Serbët thonë se provokimet janë të ndërsjella, si nga shqiptarët, ashtu dhe nga serbët.


Pas incidentit të djeshëm në veri të Mitrovicës, ku disa banorë serbë kanë sulmuar sërish punëtorët shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, me ç’rast ishin ndërprerë dhe punimet, situata sot thuhet të jetë e qetë.

Përfaqësuesit e Komunës së Mitrovicës thonë se këto incidente kanë qenë të pritura, pasi që, sipas tyre, grupe të caktuara ekstremiste kanë për synim prishjen e rendit dhe të qetësisë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pohon se të tilla grupe serbësh kanë interes destabilizimin e situatës.

Bajram Rexhepi
“Kohë pas kohe është interes i grupeve të caktuara ekstreme që ta destabilizojnë situatën, t’i pengojnë proceset që kanë shkuar drejt normalizimit dhe ky është synimi i tyre”.

“Realisht, nuk do të ishte dashur të jenë ato, por ka grupe të caktuara të njerëzve që thjesht kanë detyrë dhe obligim që të bëjnë këso tensionesh të kohëpaskohshme - edhe një herë po them, që t’i pengojnë proceset”,
u shpreh Rexhepi.

Sipas autoriteteve të rendit, punimet kanë rinisur në mëngjes dhe nuk është shënuar ndonjë problem. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, pohon se në lagjen Kroi i Vitakut situata është nën kontroll.
Sot, situata paraqitet të jetë tërësisht e qetë. Kemi pasur vazhdim të procesit të ndërtimit të shtëpive nga të dyja palët...

“Sot, situata paraqitet të jetë tërësisht e qetë. Kemi pasur vazhdim të procesit të ndërtimit të shtëpive nga të dyja palët, e kam fjalën për shtëpitë e banorëve shqiptarë dhe atyre serbë. Ndërsa, policia vazhdon të jete prezente aty, duke monitoruar situatën për së afërmi”, bëri të ditur Hoti.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta për të mos lejuar incidentet e tilla, pasi që, sipas tij, përgjegjësinë më të madhe në këtë pjesë të Kosovës e ka misioni i EULEX-it.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë kompetencë drejtpërdrejt. Policia e Kosovës bën hetime, mirëpo kjo është tash për tash vendosja e rendit dhe ligjit që në pjesën veriore i takon më tepër EULEX-it”, tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, zyrtarë të misionit EULEX nuk kanë dashur të flasin për sa i takon incidentit. Zëdhënësi i EULEX-it për rajonin e Mitrovicës, Hans Kristian Klasing, pohon se Policia e EULEX-it merret vetëm me aspektin e sigurisë.
Për sa i përket EULEX-it, ne merremi me komponentin e policisë, me aspektin e sigurisë në këtë çështje...

“Për sa i përket EULEX-it, ne merremi me komponentin e policisë, me aspektin e sigurisë në këtë çështje. Kjo nënkupton se ne mbështesim policinë lokale, nëse ajo ka nevojë për të ruajtur rendin dhe ligjin. Këtë jemi të gatshëm ta bëjmë, tashmë e kemi bërë dhe do ta bëjmë nëse na kërkohet”, tha Klasing.

Është njëri nga liderët e serbëve në veri, Millan Ivanoviq, ai që konsideron se provokimet janë të njëjta si nga serbët, ashtu dhe nga shqiptarët.

“Kishim një eskalim të dhunës dhe sulmeve të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, në fillim të këtij viti. Edhe këtë herë, provokimet janë pothuajse të njëjta”.

Millan Ivanoviq
“Shumë familje të Kroit të Vitakut kanë ngritur tensionet dhe, mbi një vijë të kuqe, për të cilën është arritur marrëveshje që të mos e kalojnë as shqiptarët as serbët, kanë filluar të rrafshojnë terrenin, me qëllim që aty të ndërtohet ndonjë lagje, që serbët të frikësohen. Provokim i qartë me qëllim të nxitjes së frikës në lagjen Kroi i Vitakut. Kurse, nga ana e serbëve kemi një reagim spontan për arsye të shqetësimit”,
u shpreh Ivanoviq.

Ai thotë se me fillimin e fazës së dytë të ndërtimit të shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, po tentohet “ndryshimi i imazhit etnik”.

“Dëshirohet ndryshimi i imazhit etnik dhe me ardhjen e numrit më të madh të shqiptarëve, dëshirohet që të bëhet presion tek serbët, sipas modelit të njohur tashmë, të parë gjithandej në Kosovë, që më pas të vijë deri tek largimi i serbëve me frikë nga mundësia e dhunës. Do të thotë, sipas recetës së njëjtë”, deklaroi Ivanoviq.

Grupi i serbëve, duke gjuajtur me gurë në drejtim të punëtorëve shqiptarë, kishte ndërprerë dje fazën e dytë të rindërtimit të shtëpive. Aty, sipas policisë, kanë mbetur të lënduar një polic dhe një gazetar.
XS
SM
MD
LG