Ndërlidhjet

Komuniteti i të verbërve kërkon mbështetje ligjore


Prishtinë

Prishtinë

Disa organizata joqeveritare në Kosovë kanë kërkuar nga institucionet kosovare që të përgatisin infrastrukturën ligjore lidhur me statusin e personave të verbër në Republikën e Kosovës, pasi, sipas tyre, gjendja e këtij komuniteti është alarmante.


Gjendja e personave të verbër dhe me të parë të dobësuar është mjaft e vështirë, madje edhe alarmante, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti. Dhe, për këtë arsye, në një debat të mbajtur sot në Prishtinë, ata kanë kërkuar mbrojtje institucionale dhe ligjore.

Mexhit Foniqi, kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Kosovë, tha se kjo kategori e shoqërisë po ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, për shkak të mungesës së ligjit adekuat për statusin e personave të verbër në Republikën e Kosovës.

Iniciativa për hartimin e këtij ligji është që nga viti 2005, por përgjigjja e autoriteteve kompetente, thotë ai, ka qenë që për shkak të implikimeve buxhetore, ligji në fjalë të miratohet deri në vitin 2009 - gjë kjo që nuk ka ndodhur as deri më tash.

Foniqi thotë se përpjekjet e shoqatës për të bindur Qeverinë për korrigjimin e gabimeve dhe dhënien e të drejtave të ligjshme, kanë dështuar.

“Si duket, institucionet po harrojnë se kjo sëmundje, apo kjo aftësi e kufizuar mund t’i ndodhë çdokujt. Prandaj, kërkojmë mbështetje nga institucionet, që të kthejnë kokën edhe nga komuniteti i të verbërve, se meritojnë dhe janë pjesë integrale e pandarë e shoqërisë. Duhet shteti të krijojë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët e vet”, shprehet Foniqi.

Edhe Ejup Rashica, me të parë të dobësuar, pohon se gjendja e këtyre personave është alarmante dhe, sipas tij, kjo kategori është e diskriminuar, për shkak se nuk mbrohet në mënyrë ligjore. Ai madje thotë se ky komunitet, deri më tash, nuk është ndihmuar as në mënyrë humanitare nga institucionet vendore.

“Ndonjë mbështetje mund të them aty-këtu; më shumë kemi pasur mbështetje nga shoqatat e huaja ndërkombëtare, kurse nga ato vendore shumë pak”, thotë ai.

Më rastin e avokimit për Ligjin mbi statusin e verbërisë janë mbajtur debate në të gjitha shoqatat ndërkomunale dhe komunale të të verbërve të Kosovës, si dhe janë nxjerrë rekomandimet nga vetë komuniteti i të verbërve. Kështu thotë Burim Haliti, nga shoqata “Lobimi për ligj dhe demokraci”, e cila ka organizuar dhe debatin e sotëm.

Ai thotë se personat e verbër kanë nevojë për mbështetje si nga institucionet, ashtu dhe nga shoqëria në përgjithësi.

“Të nxirret një ligj që rregullon statusin e verbërisë. Personi i verbër duhet të gëzojë të drejtën e kompensimit për verbëri. Të verbrit të mos diskriminohen në punësim; në çdo 25 të punësuar në institucionet publike dhe private të jetë i punësuar një person i verbër, e jo siç është tani, në çdo 50 të punësuar të punësohet një person me aftësi të kufizuara”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jetë përgjegjëse për jetën dhe përmirësimin e kushteve të jetës së personave të verbër”,
thotë Haliti.

Ndryshe, sipas Shoqatës së të Verbërve, supozohet se në Kosovë jetojnë afër 5000 persona të verbër dhe me të parë të dobësuar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG