Ndërlidhjet

logo-print

“EULEX-i hesht për dhunën në veri”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Edhe pse jemi në kohën e pushimeve verore, subjektet politike në Kosovë janë në vlugun më të madh të punëve, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë dhe që në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit të hyjnë sa më të fuqishme. Ndërsa pesë partitë kryesore në vend thonë se janë në përgatitje intensive, ato ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të komunave, e as nuk e kanë përcaktuar dizajnin dhe sloganet e fushatës. Sidoqoftë, këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për skenën politike në vend, e sidomos kur merret parasysh fakti se janë të parat në Kosovën e pavarur. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partia e vetme, e cila deri më tani ka publikuar shumicën e emrave të kandidatëve për kryetar të komunave, ndërkaq, partitë tjera kanë bërë vetëm disa nominime, ose ende nuk kanë bërë asnjë të tillë...

BOTA SOT
Akuzat e serbëve për trafikim organesh gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë kanë shtyrë Këshillin e Evropës që të hulumtojë rastin. Derisa kryesuesi i delegacionit evropian, Dik Marti, qëndron në Serbi, hulumtimet do t’i vazhdojë në Shqipëri për mbledhje faktesh mbi akuzat. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës i quan spekulime akuzat e tilla dhe njollosje për UÇK-në. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i quan spekulime akuzat e Serbisë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së për rrëmbim të qytetarëve serbë dhe shitje të organeve të tyre gjatë luftës. “Shqiptarët e Kosovës kanë bërë luftë të drejtë. Ne kemi bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës e me drejtësinë vendore dhe është konstatuar shpeshherë që spekulime të tilla kanë dalë vetëm spekulime. Unë jam i bindur se edhe në këtë rast do të jetë e njëjta gjë”, deklaroi Kuçi...

EPOKA E RE
Është shprehur e bindur se Komisioni Qendror Zgjedhor do t’ia dalë të organizojë zgjedhje të lira dhe fer. Gjithashtu, ka bërë me dije se zgjedhjet do të organizohen nga vendorët, por me ndihmën e ndërkombëtarëve. . “Ne u kemi bërë disa kërkesa disa subjekteve ndërkombëtare për ndihmë teknike. Edhe roli i OSBE-së në zgjedhjet lokale do të jetë i theksuar. Gjithashtu i kemi bërë kërkesë një organizate ndërkombëtare për t’i vëzhguar zgjedhjet, si dhe kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me trajnimet. Kështu që jemi ne vendorët që do t’i organizojmë zgjedhjet vetë, por do ta kemi përkrahjen edhe të institucioneve ndërkombëtare... Flet për “Epokën e re” kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta...

LAJM
Me qindra ankesa, të bëra nga kandidatët e pakënaqur me rezultatet e provimeve pranuese, janë arkivuar dhe vazhdojnë të arkivohen në sirtarët e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, pa u ditur kur dhe si do t’u kthehet përgjigje. Menaxhmenti i këtij universiteti, sado që e ka hapur “zemrën” t’u bëjë zgjedhje kërkesave të kandidatëve me formimin e komisionit në nivel të UP-së, që do të merret me shqyrtimin e ankesave të tyre, në anën tjetër i ka mbyllur dyert për t’u kthyer përgjigje. I gjithë stafi udhëheqës dhe ai kompetent për t’i shqyrtuar ankesat kanë shkuar në pushime, pra ende pa përfunduar mirë procesi i provimeve pranuese...

KOHA DITORE
Raportimi se Ministria serbe për Rini dhe Sport, Lidhja Futbollistike e Serbisë dhe ajo e Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë kanë financuar ndërtimin e dy minifushave futbollistike në dy komunat e udhëhequra nga strukturat paralele serbe – Shtërpcë dhe Leposaviq – ka nxitur reagimin e autoriteteve të Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i ka quajtur investime me qëllime politike, duke kërkuar “koordinimin e këtyre mjeteve nëpërmjet autoriteteve kosovare”, ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos jetë pjesë e financimit të strukturave paralele serbe në Kosovë pa miratimin e Prishtinës...

INFOPRESS
Më shumë se një vit, procesverbalet nga mbledhjet e Komisionit për Politikë të Jashtme nuk publikohen në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës, ani pse këtë e parasheh Rregullorja e punës së Kuvendit dhe të gjitha komisionet tjera e përfillin. Krejt problemi duket të ketë mbetur tek mospajtimi mes administratës së Kuvendit, gjegjësisht punonjësve që përcjellin mbledhjet e këtij komisioni për të bërë procesverbalin, dhe kryetarit të këtij Komisioni, Sabri Hamiti, i cili nuk po jep lejen për publikimin e tyre pa u përmirësuar në mënyrë gjuhësore. Procesverbalet thuhet se gjenden të arkivuara në Kuvend, por ato nuk janë publikuar, pasi duhet leja e kryetarit të Komisionit...

KOSOVA SOT
Misioni EULEX nuk ka dashur të komentojë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku si pasojë e dhunës së serbëve janë lënduar dy persona, në polic dhe një gazetar, me arsyetimin se është mision që është në shërbim të sundimit të ligjit dhe jo të politikës. Një grup serbësh të martën kanë protestuar kundër rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”, me ç’rast kanë sulmuar me gurë punëtorët shqiptarë, të cilët më pas kanë ndërprerë punimet. Por, dhuna e serbëve në veri nuk është komentuar nga misioni EULEX... “Faleminderit për pyetjet tuaja, por ju lutem kuptoni se ne jemi si një mision i sundimit të ligjit dhe nuk mund të bëjmë komente politike”, ka thënë për “Kosova sot”, Kristof Lamfalusi, zëdhënës i EULEX-it...

EXPRESS
Gjyqtari amerikan, Uilliam Ueb, nuk ka liruar asnjërin nga shtatë të arrestuarit e një jave më parë, në Karolinën e Veriut (S`HBA), që të mbrohen në liri. Në mesin e të arrestuarve është edhe Hysen Sherifi (25) nga Gjilani, i cili, së bashku me të tjerët, duhet të qëndrojë në njërin prej burgjeve me siguri të lartë, deri më 5 tetor, kur fillon procesi i rregullt gjyqësor. Sherifi dhe gjashtë të tjerët dyshohet se janë përfshirë në plane terroriste për të goditur forcat amerikane në Jordani, Izrael dhe Kosovë, në luftën e “xhihadit”. Sipas ligjeve amerikane, në seanca të tilla kur duhet të vendoset për mbajte ose jo në paraburgim, të arrestuarit nuk mund të flasin, por, në të njëjtën kohë, as avokatët e tyre. Në këto seanca, fjalën e ka prokurori, i cili duhet të ofrojë prova dhe gjyqtari që të vendosë për mbajte ose mbrojtje në liri të të arrestuarve...
XS
SM
MD
LG