Ndërlidhjet

A është misioni Klinton sukses për Obamën?


Bill Clinton dhe Al Gor me gazetaret e liruara.
Bill Clinton dhe Al Gor me gazetaret e liruara.

Misioni i ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, në Korenë e Veriut u tregua i suksesshëm. Tash shtrohet pyetja nëse ai do të angazhohet edhe në misione tjera të ngjashme?





Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, u kthye të mërkurën në Shtetet e Bashkuara me dy gazetaret amerikane, Laura Ling dhe Euna Li, të cilat ishin burgosur në Korenë e Veriut.

Klinton shkoi në Phenian në cilësi private, e jo si i dërguar i Qeverisë amerikane.

Shtrohet pyetja nëse ky do të jetë misioni i tij i vetëm, apo presidenti Barak Obama do ta shfrytëzojë edhe në raste tjera?

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha fjalë mirënjohëse për ish-presidentin Klinton dhe zëvendësin e tij Al Gor, të cilët ndihmuan lirimin e gazetareve amerikane, Laura Ling dhe Euna Li.

“Unë dua të falënderoj presidentin Klinton, kisha mundësinë të bisedoj me të për punën e shkëlqyer humanitare që bëri dhe e cila rezultoi me lirimin e dy gazetareve. Unë dua të falënderoj po ashtu edhe zëvendëspresidentin Al Gor, i cili bëri punë të palodhshme për të arritur rezultate pozitive”, tha Obama.

Por, a ishte ky krejtësisht mision humanitar?

Tomas Karoters është zëvendëspresident i Institutit Endoument në Uashington.

“Ngrirja e raporteve me Qeverinë e Koresë së Veriut në dekadat e fundit nuk na ka ndihmuar shumë. Vizita e ish-presidenti Klinton ka ardhur në një kohë kur zyrtarët e Phenianit kanë qenë jashtëzakonisht të pasjellshëm; në fakt, janë shfaqur haptazi agresivë në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

"Pra, vërtet nuk është e qartë se çfarë ka marrë Qeveria e Koresë së Veriut nga kjo, përveç një foto të presidentit të tyre me ish-presidentin tonë”,
ka thënë Karoters.

Nikolas Eberstad pajtohet që vizita e Klintonit në Korenë e Veriut duhet të duartrokitet shumë. Por, sipas tij, ekziston edhe një rrezik. Eberstad studion politikën globale në Institutin amerikan Enterprise në Uashington.

“Shikoni se çka ka ndodhur vetëm gjatë dy ditëve të kaluara: Tre amerikanë janë kapur në kufirin e Iranit nga ushtarët dhe do të sillen në gjyq për t’iu nënshtruar akuzës penale. Duket sikur njerëzit mësojnë nga këto veprime".

"Pyes veten nëse iranianët presin ish-presidentin Klinton të vijë në vendin e tyre tani dhe të negociojë lirimin e amerikanëve. Qeveria e Iranit po i shikon lajmet dhe është duke mësuar nga eksperimentet diplomatike të Koresë Veriore”,
tha Eberstad.

Nëse Obama në të ardhmen angazhon Klintonin në misione të ngjashme, është çështje tjetër, mirëpo ekziston një problem potencial, pasi ai është i martuar me Hillari Klintonin, Sekretaren e Shtetit në administratën Obama.
Karoters thotë se nuk pret që patjetër Bill Klinton të angazhohet në misione të ngjashme në të ardhmen, mirëpo edhe nëse e bën, marrëdhënia e tij me Hillari Klintonin nuk do të jetë pengesë.

Edhe Eberstad mendon gjithashtu se në këtë rast nuk duhet të ketë çështje të konfliktit të interesit, nëse Bill Klinton është një i dërguar i Qeverisë amerikane, ndërsa gruaja e tij zbaton politikën e jashtme.
XS
SM
MD
LG