Ndërlidhjet

Papunësia dhe varfëria janë faktorët kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës. Kështu thuhet në raportin e Paralajmërimit të Hershëm, që ka publikuar Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.



Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka prezantuar sot faktet kryesore të Raportit të Paralajmërimit të Hershëm. Në raport thuhet se respondentët e pyetur shqiptarë dhe ata të komuniteteve tjera, papunësinë dhe varfërinë i cilësojnë si faktorë kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.

Mytaher Haskuka, udhëheqës i sektorit të politikave në UNDP, shpjegon më shumë për gjetjet e raportit.

“Në përgjithësi kemi një trend pozitiv në ketë hulumtimin e fundit, ku faktikisht është një rritje e kënaqshmërisë së qytetarëve me institucionet. Por, në anën tjetër, papunësia dhe varfëria ende dalin si probleme kryesore të kosovarëve”.

“Vetëm për papunësinë dhe varfërinë së bashku janë përgjigjur më shumë se 60 % e respondentëve, të cilët shohin që këto dy probleme janë kryesoret, me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë rast”,
tha Haskuka.

Ndërkaq, për serbët, siç vlerëson raporti, shqetësim kryesor mbetet përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tyre, kjo rrezikon stabilitetin e Kosovës për dallim nga ajo që kishin deklaruar në raportin e prillit, se papunësia dhe varfëria rrezikojnë stabilitetin në vend.

“Praktikisht, problem kryesor del edhe papunësia edhe te serbët, por si problem që do të ndikojë në përkeqësimin e situatës del përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Pastaj, vjen papunësia”, deklaroi Haskuka.

Anketa e qershorit tregon se përqindja e serbëve të gatshëm për të punuar me shqiptarët ka rënë dukshëm dhe tani qëndron 29 %, krahasuar me 48 % sa ka qenë në prill të po këtij viti.

Sa u takon shqiptarëve, ky tregues ka shënuar rritje nga 33% sa ishte në prill, në 48 % në raportin e fundit.

Ndërsa, lidhur me faktorët kryesorë që ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike, shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme.

Shqiptarët numërojnë ndikimin e Beogradit dhe mungesën e gatishmërisë së serbëve të Kosovës për t’u integruar në shoqërinë kosovare, kurse për serbët, pamjaftueshmëria e shqiptarëve për integrimin e serbëve dhe qëndrimi i udhëheqësve shqiptarë janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike.

Por, lidhur me këtë çështje, analisti politik, Halil Matoshi, thotë se institucionet e Kosovës janë duke bërë maksimumin për integrimin e serbëve në shoqëri.

“Problemi qëndron se Prishtina zyrtare veç se ka pranuar praktikisht Planin e Ahtisarit, i cili teorikisht u jep një bazë shumë të mirë të realizimit të të drejtave qytetare dhe nacionale serbëve të Kosovës. Në realitet, megjithëse ka ndonjë përparim, jeta është shumë e varfër, por kjo nuk është vetëm për serbët e Kosovës, por për gjithë qytetarët e saj”.

“Ndërkaq, është shumë e vërtetë se Qeveria e Prishtinës ka investuar shumë dhe nuk ka bërë asnjë gabim në raport me pakicën serbe në Kosovë. Përkundrazi, ka qenë shumë gjeneroze dhe shumë e kujdesshme për të gjithë hapat që i ka ndërmarrë. Mund të them se Qeveria ka qenë shumë më e kujdesshme ndaj pakicës serbe, sesa ndaj qytetarëve shumicë”,
u shpreh Matoshi.

Krahasuar me prillin e 2009-ës, anketa aktuale tregon një rënie prej 18% në aspektin e pesimizmit politik të respondentëve.

“Pyetja është bërë se a besoni që situata politike në Kosovë është duke u përmirësuar, si dhe ajo ekonomike. Në këtë aspekt kemi një trend pozitiv, ku më shumë qytetarë mendojnë se do të përmirësohet dhe është duke u përmirësuar”, tha Haskuka.

Raportet e Paralajmërimit të Hershëm përgatiten çdo tre muaj. Rezultatet e prezantuara janë bazuar në analiza statistikore të hulumtimit të opinionit. Ky hulumtim është bazuar në intervista të drejtpërdrejta, ku janë përfshirë 1,290 respondentë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG