Ndërlidhjet

logo-print

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas autoriteteve kosovare, në shtator do të fillojë së vepruari me kapacitete të pjesshme operative dhe më pas do të ketë stërvitje të avancuara, kur do të përgatiten pjesëtarët që më vonë t’i marrin përgjegjësitë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.


Në njëvjetorin e themelimit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, drejtuesit e kësaj ministrie vlerësuan se është arritur progres i theksuar deri në funksionalizimin e Forcës së Sigurisë.

Ministri Fehmi Mujota pohoi se zhvillimet në FSK po ecin në rrugën e duhur dhe se kanë hapur perspektivën e integrimit euroatlantik.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në shator do të deklarojë veprimet e para të operacioneve. Ne kemi një afat kohor kur duhet të arrihen të gjitha kapacitetet e sigurisë në kuadër të FSK-së dhe natyrisht që ne po bëjmë punën tonë legale. Janë dy procese të ndara”.

“NATO ka obligimet dhe përgjegjësitë e veta dhe FSK po ngrihet në kapacitet e saj, sipas obligimeve kushtetuese. Për çdo gjë jemi të koordinuar dhe për asgjë nuk kemi nevojë të shqetësohemi”,
tha ministri Mujota.

Në lidhje me rregullimin e përgjegjësive të autoriteteve të sigurisë në Kosovë, Plani i Ahtisarit, mbi të cilin mbështetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parasheh që ndryshimet eventuale rreth pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, pra ato që kanë të bëjnë me KFOR-in, duhet të bëhen pas konsultimeve me palët relevante dhe në përputhje me vendimet e Këshillit Veri-atlantik.

Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, ka thënë se deklarimet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, për reduktimin e trupave të NATO-s në Kosovë, paraqesin një vlerësim të progresit të arritur në vend.

Fehmi Mujota
“Është një parashikim objektiv, është një parashikim që shton para vetes obligime të reja. Ne jemi bashkë në çdo agjendë. Do të kemi shumë shpjet një takim me sekretarin gjeneral të NATO-s, ku do të bisedojmë për çështje konkrete. Kjo është një arritje e përbashkët e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore”.

“Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë. Ky paralajmërim nënkupton se Kosova do të përgatisë kapacitetet e veta sipas Kushtetutës, sipas obligimeve ligjore që ka, dhe në kohën e duhur do t’i marrë të gjitha obligimet që i takojnë si institucion”,
tha ministri Mujota.

Ndërkohë, eksperti për çështje ushtarake, Ramë Arifaj, shpreh bindjen se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas reduktimeve të trupave të KFOR-it, që janë të vendosura në Kosovë, do të jetë në gjendje të ruajë rendin dhe qetësinë.
FSK është në rrugë të mbarë dhe të mirë që të arrijë në atë nivelin e dëshiruar të profesionalizmit të saj, meqenëse edhe NATO-ja është duke punuar për së afërmi me trupat e Forcës së Sigurisë...

“Dita-ditës, FSK është në rrugë të mbarë dhe të mirë që të arrijë në atë nivelin e dëshiruar të profesionalizmit të saj, meqenëse edhe NATO-ja është duke punuar për së afërmi me trupat e Forcës së Sigurisë. Shpresojmë që në një të afërme edhe FSK-ja do të jetë e gatshme që t’i marrë përgjegjësitë në lidhje me sigurinë në Kosovë”, u shpreh Arifaj.

Sa i përket reduktimit të trupave të NATO-s, zoti Arifaj tha se kjo është një gjë që duhet bërë.

“Sekretari i ri i NATO-s paralajmëroi reduktimin e trupave të NATO-s, gjë që është e pritur. Kjo është një dëshmi që në Kosovë gradualisht është duke ardhur deri tek formimi i institucioneve, të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë dhe paqes pas largimit të forcave të NATO-s”, tha Arifaj.

FSK-së fillimisht do t’i lejohet që të mbajë armë të lehta, ndërsa mision i saj është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile, duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG