Ndërlidhjet

Nën presionin e zgjedhjeve


Para serbëve të Kosovës janë dy palë zgjedhje lokale - zgjedhjet që i organizon Qeveria e Serbisë më 16 gusht dhe ato që i organizon Kosova më 15 nëntor të këtij viti. Por, janë vetë përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti ata që kanë mendime të ndryshme rreth pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje.

Para serbëve të Kosovës janë dy palë zgjedhje lokale - ato që organizon Serbia më 16 gusht dhe ato që organizon Kosova më 15 nëntor.

Ata duhet të zgjedhin se cili do të jetë interesi i tyre si bashkësi në Kosovë dhe të orientojnë energjinë për një rezultat që do të ishte në dobi të tyre. Kështu thonë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga Këshilli Kombëtar Serb, ndonëse shprehin mendime të ndryshme lidhur me çështjen se në cilat zgjedhje duhet të marrin pjesë serbët dhe nën cilat kushte.

Dragan Veliq, kryetar i këtij Këshilli, thotë se serbët e Kosovës gjenden në situatë të palakmueshme dhe për ta, sipas tij, nuk ekziston mbrojtje institucionale. Prandaj, zgjedhjet lokale, të cilat i organizon Serbia, ai i quan të domosdoshme.

Dragan Veliq
“Sa u përket zgjedhjeve, të cilat janë caktuar për 16 gusht, sigurisht se në përputhshmëri me Rezolutën 1244, por sidomos edhe për shkak të mungesës së mbrojtjes institucionale të serbëve, ato janë të domosdoshme”.

“Ndonëse jemi të vetëdijshëm se ato komuna nuk kanë pushtet të plotë dhe mekanizma ekzekutivë, ato mund të ndihmojnë në masë të mirë për përmirësimin e gjendjes së bashkësisë serbe”,
tha Veliq.

Por, Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Kombëtar Serb, shpreh mendimin se rezultati i energjisë së serbëve të Kosovës duhet të orientohet në drejtim të organizimit të jetës, që nënkupton legalizimin institucional.

Sipas saj, deri më tash kjo nuk është realizuar në mënyrën që do të nënkuptonte perspektivën e mbijetesës dhe organizimit të jetës dhe të ardhmes së serbëve në Kosovë.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet në Prishtinë do të krijonin kushte, atëherë serbët do të duhej të dilnin në zgjedhjet e 15 nëntorit”.

“Por, duke pasur parasysh që ata nuk po tregojnë vullnet dhe orientim të qartë, atëherë në kuptimin e vetorganizimit, serbët orientohen në vazhdimësinë e organizimit sipas procesit zgjedhor të shtetit të Serbisë, i cili në esencë më tepër e simulon pushtetin, sesa që është në të vërtetë i tillë”,
tha Trajkoviq.

Ndryshe, Dragan Veliq thotë se e kupton faktin që autoritetet në Prishtinë i kundërshtojnë zgjedhjet serbe në Kosovë, por, sipas tij, nuk duhet shikuar nëse Prishtina është e kënaqur, por realitetin, i cili, thotë ai, tregon se procesi i decentralizimit ka ngecur në tërësi dhe rrjedhimisht për serbët nuk ekziston mbrojtja institucionale.

“Serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, pa marrë parasysh se kush çfarë mendon. Ky është një proces, i cili do të çojë drejt një procesi serioz të decentralizimit. Kështu duhet kuptuar këtë çështje, sepse, thjesht, duhet të sigurohet mbrojtja institucionale dhe në këtë duhet të kërkohet zgjidhje”, deklaroi Veliq.

Ai shton se serbët, pa përfunduar decentralizimi, nuk do të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të organizuara nga institucionet kosovare.

Ndërkaq, zonja Trajkoviq vlerëson se trendi i orientimit të serbëve të Kosovës kah Beogradi do të vazhdojë, derisa liderët institucionalë dhe politikë shqiptarë në Prishtinë të mos jenë të gatshëm që t’i integrojnë serbët në, siç thotë ajo, mënyrë të vërtetë.

Rada Trajkoviq
“Ata ende nuk kanë një marrëdhënie relaksuese ndaj serbëve dhe nuk dëshirojnë që popullit të tyre, shqiptarëve, t’u tregojnë se serbët janë qytetarë të kësaj hapësire, të barabartë me shqiptarët dhe se ata do të mendojnë për ardhmërinë e tyre”.

“Çmimi i kësaj sjelljeje po paguhet me një jofunksionalitet të Kosovës, sepse të gjithë orientohen drejt atyre që u besojnë dhe kjo do të thotë se serbët në Kosovë, megjithatë, më shumë i besojnë Beogradit”,
u shpreh Trajkoviq.

Sidoqoftë, ajo shprehu mendimin se krijimi i një Kosove shumetnike dhe funksionale do të ishte, siç tha, patriotizmi më i madh i shqiptarëve, por, sipas saj, këtë fakt fillimisht duhet ta kuptojnë liderët institucionalë dhe politikë shqiptarë në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG